Habit Rama: Ja pse nuk mbaron bypassi i Fierit!

Pas prezantimit në 3D të rrugëve te Arbërit dhe mbikalimit të Thumanes, kanë lindur pyetjet pse nuk mbaroj e rrugët e filluara prej kohesh dhe ku do gjenden paratë.

Projekti i fundit që ka paraqitur për infrastrukturën dhe kap shifrën 1 miliard dollarë, vjen pas atij të Rilindjes Urbane që ka të njëjtën kosto.

Natyrshëm ka lindur pyetja se, ku do gjenden paratë për të rejat dhe pse nuk po ecin të vjetrat?

Lidhur me të rejat, Rama sqaroi se, këto janë projekte që do t’i lihen planit pesëvjeçar të 11 ose 12. Tani për tani duhet të kënaqemi me rrugët. Kjo, shpjegoi ai, vjen jo për mungesë të vullnetit tonë por për shkak të gropës 200 milionë euro që la Saliu. Megjithëse kemi marrë 1 miliard e firifiu borxhe deri tani, akoma nuk po e mbyllim dot këtë gropë.

Sa për 1miliardshin e dytë, Rama u përgjigj me buzëqeshje që “kismet të jemi gjallë, sepse sapo përfunduam pesëvjeçarin e parë dhe deri tek i dhjeti kemi kohë”. Lekët do gjenden, tha ai, se fundja letra të pikturuara janë dhe unë nga këto bëj sa të dua. Nuk jam kot piktor.

Lidhur me gungësen e përparimit të punimeve në bypassin e Fierit, Rradhimës apo pastrimin e autostradës së Elbasanit, Rama sqaroi se me këtë rast puna nuk është aq e thjeshtë. Ka dyshime të forta, tha ai, se forca të mbinatyrshme na kanë lidhur fatin nyje këtu. Ai sqaroi se kjo nuk është dorë e Saliut pasi si ish-komunist nuk beson në këto punë, por hodhi dyshime se presidenti Meta ka aktivizuar forcat okulte me tip hajmalish, dhe i përzier me gurë që duahohet se është marrë nga varrezat dhe të hedhura në rrugët ku bëhen punime, bishta maceje të gjetura në ekskavatorë dhe kokë këndesi në karroceritë e kamionëve. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të gjetur njerëz kompetentë që t’i yshtin dhe zhbëjnë magjitë, rezultati është që punë ka, por s’ka profesionistë. Pasi këta hoxhallarët e rinj nuk ia kanë haberin këtyre punëve, ndërsa plakat e dikurshme ose kanë vdekur ose ato që kanë mbetur janë të frikësuara dhe nuk besojnë më te magjitë. Siç thonë ato, këtyre magjistarëve të rilindjes nuk ka njeri t’u bëjë derman dhe ti shkon me mëndje t’i yshtësh, por të yshtin ata dhe del me trutë e gomarit.

Megjithatë kryeministri Rama kërkoi që, kush njeh hoxhallarë apo njerëz të mirë që kanë haber nga këto punë, t’i nisin numrat e telefonit te portali i Kryeministrisë.

Ai siguroi se, shqiptarët që do të mbesin në 50-vjeçarin që po agon, duhet të jenë besimplotë që një ditë një gjë do ta shohin./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.