Haberet e Mitros: Një natë Shkurti në Peshtan

Ura solli rrugën. Rruga solli dritat. Dritat sollën televizorin dhe internetin. Të gjitha bashkë sollën njerëzit dhe turistët në  Peshtan

Nga Mitro Çela

Mero Baze na ftojë familjarisht në Peshtan. Sebepi? Është “pagëzuar” fshat turistikë.

Rrugës nisa të flas me Ezmerkën.

Unë:-Qeveria në 100 fshata ka ngulur një tabelë:”Fshat turistik.” Tabela më kujton Nolin:”Llafe, imzot..llafe.”

Ajo:-Nihilist?!

Unë-Po. Qeveriu u thotë turistëve: Shkoni. Bëni qejf. Harxhoni  para në katund.

Ajo:-Ide e bukur. Tutistët nga Çekia, Polonia, Franca- e duan katundin. Janë deri në lëfyt  me qytetin.

Unë:-E drejtë. Por sot fshatrat janë tharë. Rinia? Në kurbet. Pleqtë nuk lidhin dot ushkurët.

Ajo:-Kur u martuam të gjeta në Tiranë. Pse flet kaq serbes per katundarët?!

Unë:-Linda në Mbrezhdan në vitin 1948. Ne vitin  1962 zbritëm nga katundi në Tiranë. Në ato vite Mbrezhani kishte rreth 350 shtëpi. Fshati kishte “piacë”:Dyqani. Shkolla. Kopshti. Poshtë shkollës-kisha. Një hajat dhe një oborr të madh rreth kishës. Çdo te diel, burra e gra të veshur e të stolisur mblidheshin në kishë. Dëgjonin priftin. Ndiznin qirinj. Pastaj uleshin në hajat. Bisedonin. Qanin halle. Me kryeplakun dhe bekshiun zgjidhnin probleme. Bëheshin mblesëri. Shuheshin mëri brenda familjeve. Ne fëmijët luanim me cingla. Me peta. Kaladibrançe. Me llastiqe në bigë, gjuanim zoq. Mirmëbaheshin rrugicat që lidhnin lagjet. Vendosej grafiku për ujitjen e kopshteve në fushë, tek Boboshi, Arrët dhe Përtëkonjë.

Kishte një rrugë për në Këlcyrë. Një pacarelë mbi lumë. Këtej kalonin njerëzit me “automjetet “e kohës: gomerë e mushka. Bëhej pazar. Mbrezhani kishte edhe “agroindustri”. Kazanë për të “pjekur” raki. Bazho për djathë. Mullirin e Shtikës për bluar grurë. Mokra për bollgur. “Sera” për të tharë domate, fiq, vadheza, thanë, speca, lëkurët e bagëtive. Çdo shtëpi bënte zahire: trahan, peta, pastërma, kole të tymosura, qep e hudhra në varg. Mblidhnim sherebel. Kamomil. Lule kuqe. Hithra. Kokrra dëllinje. Bile dhe hashash, për të vënë në gjumë kalamajtë dhe për ti bërë hamshorë burrat!

Ajo:-Po sot?

Unë:-Fshati ka mbetur jetim. Ka karabina per shkolla-por nuk ka nxënës. Kishat e xhamitë janë tharë. Shtëpive u ka rënë flama. Rrugët i kanë mbytur ferrat e drizat. Toka është vidhisur. Ku do mbyten turistët?

Arritëm në urën e Peshtanit. I them Ezmerkës.

-Kjo urë është me mit, si kalaja e Shkodrës. E nisi në vitin 1982 një dhëndër nga Peshtani: Shane Korbeci, ish ministër i Tregtisë. Ju sosën paratë. Mbeti ura gërmadhë.  Një këmbë ja mori Vjosa. Por doli një djalë nga Peshtani, Mero Baze dhe në vitin 2007, u pre shiriti i inagurimit. Pardon! Gjatë ndërtimit, Vjosa mori me vete një vinç?! Ishte thartuar lumi dhe nuk pranonte samar?…Kërkonte fli?!…Nuk di. Punë perëndie?!

Kaluam urën. Ecëm me makinë në rrugë të asfaltuat. Bëmë disa zig-zage dhe ndaluam në oborrin e një shtëpie. Aty bëmë konak.

Rreth oxhakut: Në krye të hollit me dy kate. Katër dhoma gjumi me banja brenda.

LEXO DHE :  Kush e vrau Jurgen Kurtin? Klodjana Lala: 10 të shoqëruar dhe 2 pista hetimi

-Marr guximin të të them me gjuhën e Shvejkut: Mos ke shpenzuar pa u llafosur me haxhinë?!

-Jo. Bile janë pak. Dhomat duhen për miqtë dhe turistët.-tha i zoti i konakut.

Natën nuk më zinte gjymi. Nisa të flas me vete: Ura solli rrugën. Rruga pruri dritat. Dritat sollën televizorin dhe internetin. Të gjitha bashkë kthyen njerëzit. Sot në Peshtan ka 50 shtëpi, me oxhak me tym.

Mëngjes. Dola në ballkon. Parajsë e shkuar parajsës. Peshtani është mes dy lumejve-Vjosa dhe lumi i Zagories. Mes pesë maleve: Trebeshinë, Thëmbel,   Zasten, Shëndëlli, Golik. Rrethuar me pyje si virgjërshat. Majat e maleve kishin vënë qeleshe. Ja Gryka e Këlcyrës. 13 kilometra e gjatë. Nga më te bukurat në Ballkan.

Kafen e pimë tek bujtina e Mirës. Rreth bujtinës një shesh. Poshtë bujtines busti i Trifon Xhagjikës,-u pushkatua në vitin 1963 për një grusht me vjersha.Beqar.Ndoshta i virgjër?!… Ka gjysmë shekulli që nuk i gjenden kokallat?!

Bujtina nuk është vetëm për  kafe e raki. Është edhe muze. Në foto të varura në mur. Ushtarë italianë e grekë. Paqësorë në foto. Të egër në luftë. Në vitin 1941 u vranë mijëra ushtarë. Italianë e grekë. Bombarduan dhe bënë gërmadhë fshatin.

Jashtë një ekspozitë me armë. Kobure. Bomba. Pushkë.Thika. Pushkë. Predha. Gaveta. Lugë.Të mbledhura nëpër fshat. Të ndryshkura. I shohin dhe ëndërrojnë turistët.

-Jetoja në Tiranë,-nisi tregimin Mira. -Në kufirin e marrëzisë vendosëm të kthehemi në Peshtan. Sherr e shamata edhe me rrobat e trupit. Vajza në universitet. Djali nga kryeqyteti në katund. Hapëm bujtinën. Beharin e parë ndodhi çudia: erdhën turistë. Francezë dhe anglezë. Tifozë të shpellave dhe guvave. I kishim me shumicë. Dje pa vlerë. Sot prodhojnë para. Burri i shoqëron turistët. Shteg më shteg. Në Kala. Në luginën e Zagorisë. Në Çajup. Rreth e rrotull ka shpella, guva, burime, pyje, arinjë, derra të egër, lepuj. Unë shërbej në bujtinë. Gatuaj. Turistët e duan ushqimin me vete. Sivjet po mbjell pemë. Do shtojmë një shesh: ka turistë që vinë me çadra.

-A mund të bëhet Peshtani qendër për turizmin? Një Theth për Jugun?-Më pyeti Ezmerka.

-Sot fantazi. Nesër realitet. Dëgjomë dhe gjykomë. Peshtani në qender. Gjirokastra një vrap pele: 25 minuta. Po kaq larg kanionet e Langaticës dhe Lixhat. Më afër Përmeti. Pak më karg Nemërçka. Tek ura e Peshtanit, Vjosa harbohet-për kanitazh. Ka edhe një plazh të bukur. Një ditë mund të marrin jetë Sarajet e Ali Beut. Bredhi i Hortovës, teqeja e Alipostivanit, kishat me famëshume në Kosinë, Leusë e Badëlonjë; kalaja e Tepelenës që shihet pa dylbi nga Peshtani; guzhina e njohur përmetare. Shto trëndafilat, lulet e verdha të xanës, blinin kanonet, guvat dhe dy shtigje nga 20 kilometra për të vrapuar drejt maleve. Së fundi: darkë tek hani i Coles; drekë në Grykë të Këlcyrës; gjumë në shtëpitë e peshtanakëve. Nuk besoj se turistët mund të gjejnë më shumë në Theth a Valbonë!/gazetatema.net

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.