Grabitja në Rinas/ Prokuroria gjen provën tjetër që fundos policët privatë
Dritare.net
“Është kërkuar nëse ka pasur njoftim me shkrim apo telefonatë në sallën operative apo me drejtues të Policisë, por nuk është gjetur diçka e tillë”, thanë burimet nga grupi i hetimit. Sipas tyre, më 9 shkurt, nga Tirana në drejtim të Rinasit janë transportuar dy ngarkesa të tjera me shuma monetare, që bankat e nivelit të dytë i kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë.
“Nga sekuestrimi i praktikave për këto dy raste, rezultoi se policitë private kishin informuar Policinë e kryeqytetit dhe pas njoftimit, ka qenë Policia e Rendit që ka eskortuar e shoqëruar mjetet e policive private pa asnjë problem deri në Rinas”, thanë burimet nga hetimi.
Sipas tyre, nga hetimi ka rezultuar se momenti i parë kur Policia ka marrë dijeni për lëvizjen e 3.2 milionë dollarëve nga zyrat e BKT në drejtim të Rinasit, ka qenë ora 13:10 kur patrulla e vendosur në autostradë ka pasur kontakt vizual dhe ka raportuar kalimin e dy automjeteve të përshtatura si të blinduara nga kompania “Jaguar Security”. Prokuroria ka bërë me dije se efektivat që kryenin shoqërimin e shumës totale prej 3.2 milionë dollarësh nuk kanë bërë asnjë instruktazh ditën e transportit të parave apo një ditë para, siç kërkohet nga rregulloret dhe udhëzimet në fuqi.
Policët privatë Dashamir Balla, Endri Daci, Përparim Logu, Gentjan Dedja, Fatmir Gabi dhe Xhelil Metaj u arrestuan në flagrancë nga ana e Policisë, ndërsa Prokuroria e Gjykata vendosën lënien e tyre në burg. Ky vendim u mor pasi policët privatë nuk u kundërpërgjigjën me armë ndaj grabitësve e po ashtu ata kishin fikur pajisjen GPS, si dhe sistemin e kamerave të montuar në dy automjetet ku ishin vendosur paratë/Panorama