Grabitja në Rinas, polici privat: Dyshuam kur na parakaluan, ja pse nuk vepruam
Dritare.net
Policët privatë kanë neglizhuar dhe nuk kanë vepruar si duhet, duke shpërdoruar edhe detyrën me anë të mosveprimit.
Faktin që e kanë lajmëruar vonë Policinë për ngjarjen, punonjësit e policisë private e justifikojnë me panikun që i zuri nga të shtënat e grabitësve.
Edhe pse kishin dyshuar që në momentin kur kanë parë makinat pas tyre, ata nuk kanë pasur mundësi ta shmangnin ngjarjen.
“Dyshuam që në momentin që pamë njërën makinë pas nesh që po tentonte disa herë të na parakalonte, por më pas menduam se ishte thjesht një tentativë parakalimi e zakonshme. Më pas na zuri paniku dhe nuk kisha si të lajmëroja policinë. Kundërshtova fillimisht duke qëlluar në ajër me armë, por ata na qëlluan drejtpërdrejt dhe nuk e di si nuk na zunë plumbat”, ka treguar dje njëri prej punonjësve të policisë private, raporton Panorama.
Ai dëshmoi se ndodhej në makinën e dytë, bashkë me dy kolegë të tjerë. Në këtë makinë ndodheshin thasët me para që po i transportonin drejt Rinasit. “Dy makina kanë ecur paralel me dy mjetet tona dhe njëra prej makinave, më duket se ishte “Jeep”, ka goditur në pjesën ballore blindën e parë ku ndodheshin 2 punonjës, e më pas të dytin, që isha unë e dy kolegët. Jam i terrorizuar nga ajo që pashë”, është shprehur polici privat.