Goca, nisi plazhi në Dhërmi!

Nga Fjorda Llukmani

Siç duket vapa e madhe u bë sebep që unë dhe shumë të tjerë ta fillojmë plazhin javën e parë të prillit. Çuditërisht në Drimadhes takova goxha fytyra të njohura të Tiranës. M’u duk vetja në një ditë tipike korriku, në një prej plazheve më të hajrit në Shqipëri.

Madje, shokët e mi u krodhën një dy herë, megjithëse pak ftohtë. Ama dielli të binte sa një saç në majë të kokës. Më zuri gjumi dy orë me kokë nga qielli dhe u skuqa si katunare. Unë jam ezmere dhe rrallë më kap dielli aq kollaj. Llogarit se sa i fortë ishte dmth. Kthehem përsëri në Drymades këtë fundjavë, me shpresën se mund të kridhesha dhe unë si shokët e mi.

E shtuna dukej përsëri si ditë tipike vere. Dikush pinte një shishe verë në plazh, ca të tjerë luanin volejboll, edhe unë që prisja mundësinë e parë për t’u larë. Data 21 prill më kapi duke notuar në brigjet e detit Jon, me pamje nga Llogoraja me borë në majë.

Me plazhin e Drimadhes kam një lidhje të veçantë shpirtërore. Vjet, gjatë verës punova këtej një periudhë kohore, dhe sa herë kthehem më duket vetja si në shtëpi. Zor të gjesh kaq shumë gjëra pozitive në një vend. Deti është kristal i pastër, plazhi rrëzë malit të mban freskët  gjithë kohës, pemët e ullirit personifikojnë zonën, mund të fluturosh, notosh, zhytesh…e shumë e shumë të tjera.

Ashtu si ju edhe unë dija që Dhërmiu ose Drimadhes shquhet vetëm për party, plazh, goca të bukura, jetë pordhe etj. Nëse bën pushimet këtu, merr tjetër vlerë në shoqëri. Pale po të thuash që s’ke qenë në Dhërmi sivjet për plazh, do quhesh sikur s’ke bërë pushime fare. Me pak fjalë moshatarët e mi e njohin në këtë prizëm.

Kur isha e vogël, gjyshi më dha për të lexuar librin e Petro Markos, “Shpella e Piratëve”. Në atë kohë nuk kishte figura brenda, vetëm në kopertinë një pikturë e shpellës. Sapo kisha mësuar të lexoja, e doja kaq shumë ta shikoja nga afër shpellën e treguar aq bukur nga shkrimtari. Rreth moshës 10-vjeçare vizituam shpellën. U zhgënjeva pak me idenë që do ishte e thellë si në film, por vonë më thanë që shpella e xhiruar nga brenda ndodhet në Karaburun. Gjithsesi, që atëherë më pushtonte kureshtja për të ditur më shumë për këtë fshat.

Vjet kuptova prej vërteti vlerat e Dhërmiut. Kur punoja në hotel, vendosëm të bënim një udhëtim të shkurtër në fshat, aty ku ndodhen shumë kisha e manastire. Nga mbresat që më la, thashë ta vizitoj me terezi këtë fundjavë. Nisemi nga Drimadhes për në fshat. Është rreth 15 minuta larg. Rrugicat janë të ngushta, por një makinë e përmasave mesatare kalon kollaj.

Së fundi, fshati po rregullohet rrënjësisht. Me sa dëgjova po bëhet rikonstruktim i shtëpive të vjetra e rrugicave, që t’i kthejnë Dhërmiut vlerën e dikurshme. Në fakt ngjan aq bukur rrëzë malit, sa me qejf do pleqëroja në një prej shtëpive. Ngjyra që mbizotëron është e bardha, tamam si në Greqi. Sigurisht që fshati ka pasur ndikim grek prej kohësh dhe shumica e banorëve kanë emigruar atje.

Miqtë që zgjodha t’u tregoj fshatin janë pak përtacë, si shumica e shqiptarëve kur janë buzë detit. “Pse të shkojmë deri në maj të fshatit kur kemi detin këtu?”, -më thotë njëri prej tyre. “Po pra, deri është këtu, por atje ka diçka më shumë për të parë”,-i kthehem unë.

Është e vështirë t’i shkulësh njerëzit nga plazhi për të marrë rrugën e fshatit. Por ja vlen sepse  mund të kalosh një ditë ndryshe duke u sjellë vërdallë në rrugicat e ngushta. Unë gjithmonë i kam sugjeruar turistët që vinin për plazh, që të bënin një xhiro në fshat pasditeve. Ngaqë nuk ia dinë vlerën ngurrojnë pak, deri në momentin që e shohin nga afër.

LEXO DHE :  Marrëdhëniet intime, zbuloni disa gjëra që meshkujt lënë kokën

Dhërmiu ka rreth 30 objekte kulti dhe 3 manastire. Manastiri i Shën Mërisë, Kisha e Ipapandisë dhe e Shën Stefanit,  janë të shpallura Monument Kulture të Kategorisë së parë. Ndaluam makinën pranë shkallëve që të çojnë në  Manastirin të Shën Mërisë.

Pranë shkallëve ndodhet shtëpia e Petro Markos. “Ky xhaxhi më ka futur nëpër ëndrra kur isha kalama”- mendoja me vete për Petron. Duke parë pamjen e shtëpisë së tij, nuk i vë faj që i ka thurur aq shumë lavde Dhërmiut. Gjynah që askush nuk ka vënë dorë për ta kthyer në shtëpi muze. Po ta mendosh veprat më të bukura të tij, janë shkruar brenda atyre mureve. Me shpresën se kur të kthehem herës tjetër ndokujt do i shkojë mendja ta rregullojë paksa.

Marrim shkallët që të çojnë në manastir. Manastiri dhe kisha e Shën Mërisë ndodhet në majën e fshatit. Atje shkohet vetëm në këmbë. Nëpër shkallë ka stola, ku mund të pushosh e të shijosh pamjen gjatë ngjitjes. Sa më lart shkonim, aq më bukur dukej.

Dera e murit rrethues të kishës, ishte e mbyllur. Na u desh të bënim marifete shqiptarësh si për shembull,  të kapërcenim murin për t’u futur brenda. E rrethuar nga varreza të reja e të vjetra, kisha të duket pak e frikshme.

Futemi brenda dhe miqtë e mi habiten nga pikturat e murit.

Manastiri i Shën Mërisë i ka fillimet e ndërtimeve të saj në shek 13. Salla e lutjeve dhe një kapelë lindore u ndërtuan në shek. 14-15. Në pikturat murale që zbukurojnë kishën, dallohen qartë tre faza të pikturimit.

Në të kaluarën të gjitha ambientet e kishës kanë qenë të pikturuara. Është për t’u theksuar se këto piktura ngjallin interes të jashtëzakonshëm për vlerat etnografike dhe artistike. Ishte hera e dytë që e vizitoja kishën e prapë nuk ngopesha, duke u përpjekur t’i gjeja kuptimin figurave.

Ndër të tjera do të shikoni engjëj, skelete trupash, duke dalë nga arkivoli, lum gjaku, disk fluturues, pëllumb me libër në dorë, bishë me 4 koka etj. Çfarë ka dashur autori të thotë me këto piktura, një Zot e di. Ne na mbetet vetëm të aludojmë se mbase në atë kohë dikush ka parë disqe fluturuese e ka vendosur ta dokumentojë në muret e kishës. Po pse pikërisht brenda në kishë? Shumë pyetje pa përgjigje.

Dal nga dera për në murin rrethues ku ka vetëm varreza. Bëra një xhiro vërdallë, por s’kishte gjë tjetër veç varreve. Me kujdes të madh shikoja mos hidhja këmbët mbi varr, se nona më ka thënë që është keq. Më kapi një frikë e thashë, po dal fare më mirë, sa të rri pa gjumë gjithë natën. Shyqyr gjumin e bëra top, pa makthe e imazhe nga pikturat e kishës.

Dal nga muri kryesor që të shkrepja dy foto. Vinte erë çaj mali. Ndërkohë që në Tiranë digjej fabrika e qeseve, mua m’u mbushën mushkëritë plot me ajër të pastër. Tek shijoja pamjen e fshatit nga sipër, Llogoranë me re në majë dhe detin e bukur Jon mendova: “E ç’më duhet qyteti kur jam më e lumtur këtu?”

Njeriu ka nevojë për gjëra të vogla për t’u ndierë i lumtur. Dje kuptova, sa nevojë kisha për të thithur ajër të pastër, e këtë nevojë ma përmbushi Dhërmiu, fshati i shtëpive të bardha./dritare.net

 



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.