Gjiri më i bukur, që më kanë parë sytë!

Nga Fjorda Llukmani

Gjiri më i bukur që më kanë zënë sytë ndonjëherë, është i Gramës. Sa herë publikohej në rrjetet sociale mendoja ,“A thua është aq bukur sa duket?”  Dhe në fakt është, madje më i bukur akoma, nëse do dini ta mbani.

Nëse ka një person që i di këto vende më mirë se askush tjetër, ai është Fation Plaku. S’kishte shans ta refuzoja një ftesë të tijën, edhe pse nuk njihja asnjë nga pjesëtarët e grupit. Plani i Fationit ishte të flinim me çadra kampingu një natë dhe të eksploronim shpellat e gjiret pas Gramës. Duhej marrë parasysh. që nuk ka as valë e as Internet. E quajta si një rikuperim të vetes. Ça do më gjente dy ditë pa telefon fundja?

Nisemi të shtunën në mëngjes nga Dhërmiu. Djali që kishte skafin, Leo na kënaqi me shërbimin e saktë. Rrallë sheh skafistë që vijnë në orar, që të qeshin, që të vijnë vërdallë sipas qejfit. Biles skafin e kishte me kasetofon. “Amon ndërroje këtë kongën i  thosha unë”-direkt Leo s’mërzitej që s’ia pëlqeja playlistën.

Gjatë rrugës pamë Gjirin e Ariut, Shpellën Blu dhe vetëm det, det, det… Valët u shkëputën sapo kaluam Palasën, prandaj mamin e lajmërova që herët, që s’do jem e disponueshme, deri të nesërmen pasdite. Vetëm kur faaapp, një të dalë Gjiri i Gramës avash-avash.

Gjetëm një varkë me vela me flamur gjerman, të parkuar në cep. Në breg, ne ishim të vetmit. Çfarë ngjyrash more shokë! Të gjitha nuancat e blusë dhe jeshiles i gjeni këtu.

Hapëm çadrat e kampingut dhe u tokëzuam pak. Komplet restart truri eee! S’të duhej asgjë më shumë.

Pak muzikë chill dhe jeta luks. As më binte mendja për krevat të rehatshëm, për mushkonja, buburreca apo kafshë të egra që mund të vinin. Me grupin u përshtatëm aq mirë sa dukej sikur njiheshim prej kohësh. Çdo gjë shkonte sipas planit të Fationit, që se kundërshtonte njeri normalisht.

Leo vjen përsëri për të na bërë xhiron e premtuar. Ndaluam në Gjirin e Anglezit, që ishte në formë gjarpri. Nuk dukej asgjë, deri sa u futëm kthesë pas kthese e del një gji  i vogël. “Me siguri këtu fshihej hashashi në ’97.”,-them unë me zë të lartë. Leo qeshi si për ta pohuar komentin tim.

Surpriza më e bukur e shëtitjes me skaf ishte, një shpellë nënujore. Shyqyr që ishte Fationi, që i dinte këto cepa, se unë maksimumi do shullëhesha në diell e kaq.

Uji vinte nga burimi dhe deti ishte akuuuull i ftohtë. Notojmë pak midis gurëve, vetëm kur shohim një shpellë në formën e çatisë së shtëpisë. “Hej Zot i modh po ku paskan qen gjithë këto gjona njëherë”?-komentoja gjatë gjithë kohës e habitur. Sigurisht pasthirrmat “Oh sa bukur!” “Oh çfarë qejfi!” “Oh çfarë mrekullie!”,- nuk m’u ndanë gjatë gjithë udhëtimit 2 ditor.

Kur kthehemi në Gramë pamë, që po vinin njerëz nga mali. Një grup prej 40 personash u nisën nga Llogoraja për të bërë shtegun që të sjell në gji. Rreth 6 orë rrugë në pik të vapës. Ndërkohë që, ne qëndronim në plazh, ata vinin parti-parti duke zbritur. Më dukej sikur po na pushtonin ushtarë.

LEXO DHE :  Video/ Kim dhe Mario i bëjnë make up një të vdekure

I pari që na pa nga sipër ulëriti “A ka njeri atje eeeejjjj?” Atmosferë shumë e këndshme pa teknologji, duhet të ulërije që të merreshe vesh me tjetrin, se ku do i gjeje valët për ta pyetur , ku je, si qysh, tek. Pale nga sipër, u dukej vetja sikur kanë arritur në Tokën e Premtuar.

Pasdite u mbush plooot me njerëz. U bëmë 50 veta gjithsej. Dhe ata hapën çadrat, u rehatuan pas rrugës që kishin bërë. U socializuam aq mirë me njëri-tjetrin sa s’ka. Shikoje grupe duke luajtur Mafia, të tjerë duke kënduar. Asnjëri me telefon në dorë ëë.

Secili përpiqej të merrej me një aktivitet ose vendoste të tjerët në lëvizje, që mos të rrinin kot. “Mirë e bënë që erdhën, se do na zinte gjumi.”,-them Anxhit, shoqe e grupit tim. Ndërkohë që ata rregulloheshin, ne ngjitëm shtegun, për të parë Gjirin e Gramës nga sipër.

I kisha pirë dy birra, por s’mund t’ia ktheja fjalën Fationit. E lë birrën në fillim të shtegut, e them me vete, “Hajt se e marr kur të zbres.” Bëmë ngjitje 30 minuta, aspak e lodhshme në fakt. Zëre se ngjite shkallët e pallatit 3 herë. Ama pamja ia vlente! Nuk do ta humbisja për asgjë në botë. Gjiret e Greqisë s’kanë asgjë më shumë se kaq!

Çadrën e kampingut e vura pak larg nga të tjerët, që mos t’më zinin pamjen e detit në mëngjes. Nata qe e gjatë me muzikë e aheng, deri në mëngjes. Mua më zuri gjumi, po sa për të bërë qokën qëndrova rreth zjarrit një periudhe kohe. 50 veta rreth një zjarri, tamam si fiset e Indisë. Aq shumë e shijova sa fjeta top.

Më del gjumi herët, që në 5 të mëngjesit, ku sapo kishte lindur dielli.

U ula duke pirë kafe me 2 shokë të grupit tim. “Shihe kur të dalin si kërpudha nga çadrat, sapo të lindë dielli plotësisht.”,-tha Landi. Vetëm kur dolën pak nga pak. Në orën 8 të gjithë ishim zgjuar. Në një të diel paralele në Tiranë, me siguri asnjëri prej nesh, nuk do ishte zgjuar në pikë të sabahut.

Hëngrëm mëngjes dhe rreth orës 9 vendosëm të ngjisnim shtegun nga krahu tjetër i gjirit. Përsëri  shkurtër e piktoresk. Gjatë xhirimeve me dron hodhëm një tymuese të kuqe.

Sa kontrast kishte me ngjyrat e natyrës. Pastaj pjesën tjetër të ditës e kaluam të gjithë bashkë, si ditë tipike në plazh. Ama jo plazh dosido, por në më të bukurin e Shqipërisë.

Nëse shkoni në Gramë, mundësia e parë, që do zgjidhni është me skaf. Por ju lutem pastrojini mbeturinat. S’ju kushton gjë ta leni siç e gjetët. Ku i dihet do ktheheni prapë një ditë./dritare.net



1 Comment

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.