Gjergj Luca, biznesmeni që ka punësuar qindra gra në Elbasan. Ka kopësht edhe për fëmijët e tyre

Fabrika më e madhe e përpunimit të peshkut dhe të frutave të detit në vend, “Rozafa” ndodhet në Labinot të Elbasanit. Kjo sipërmarrje, një prej investimeve më të rëndësishme në qytetin e Elbasanit, është model për punësimin dhe trajtimin e punonjësve, me kushte pune të standardeve europiane. Për të parë nga afër investimin, si dhe për të diskutuar se c’mund të bëhet më mirë në të ardhmen, ishte në mjediset e saj, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputeti i zonës Taulant Balla.

Sipërmarrësi Gjergj Luca tregoi se në planet e tij parashikohen edhe dy projekte të tjera, të cilat do të rrisin ndjeshëm punësimin në zonë. Por sipërmarrësi kërkoi edhe angazhimin e strukturave të tjera të pushtetit për ta nxitur atë. “Kemi dy projekte të rëndësishme që duam t’i mbyllim.

Taulantin e kemi pranë e kemi dëshirë që këto dy fabrika të tjera t’i mbyllim brenda shkurtit. Unë kam një staf që i nxjerr me makina fshat më fshat për të kërkuar njerëz për punësim. Të gjithë këta politikanë a kanë mundësi ti motivojnë këta njerëz? Ne kemi hyrë shtëpi në shtëpi. Kemi hapur një zyrë në Cërrik e kemi lënë disa veta që i shpjegojnë njerëzve gjithë proceset e punës. Por kemi vënë re një fenomen, në zonat e varfëra, gjithë ditën telenovela, nuk luan njeri nga vendi. Këta njerëz duan politika për ti nxjerrë nga shtëpia.”

Kryeministri Rama tha se çdo sipërmarrje ofron vazhdimisht vende të reja pune, por duhet të zhvillohen profesionet dhe motivohet dëshira për ti përvetësuar ato. “Ideja e të jetuarit me ndihmë ekonomike është e njohur botërisht që i paralizon njerëzit. Prandaj duhen nxitur më shumë. Unë e di që të gjithë ata që e shohin Shqipërinë nga televizioni dhe që rrinë në kafe gjithë ditën, sa herë dëgjojnë për punësim thonë “ku ka punë këtu?” Por të gjitha ndërmarrjet, p.sh., nga Zogu i Zi deri në Durrës kanë vende të lira pune. Problemi është që duan njerëz që të kenë zanat ose gatishmërinë që të marrin një zanat.”

Shumë nga punonjëset e kësaj fabrike, janë vajza të cilat kanë kryer arsimin e lartë, dhe që në këtë sipërmarrje kanë marrë një zanat. “Këto vajzat këtu janë me master, kjo tjetra është me ekonomik. Gjithë stafi që kam këtu, më ka dalë vetëm nga prodhimi.” – tregoi sipërmarrësi Luca.

LEXO DHE :  KPK/ Rovena Gashi bojkoton seancën, nuk dërgon as avokat

Përveç teknologjisë moderne të saj, ajo për të cilën kjo fabrikë është model i të gjitha sipërmarrjeve, janë kushtet e punës të standardeve të larta. Aty ka kopësht dhe çerdhe për fëmijët, të cilët nënat e punësuara mund t’i marrin me vete.

Kryeministri u shpreh se një shembull i tillë duhet të jetë nxitës për t’u ndjekur edhe nga sipërmarrje të tjera. “Edhe kultura e punës dhe gjithë kjo që keni krijuar ju këtu, është gjë e madhe. Duken si gjëra të vogla, por janë gjëra që bëjnë diferencën. Nuk është çështja thjesht tek paga, por dhe tek të ndjerit pjesë e një kolektiviteti. Shumë ndërmarrje kanë filluar të investojnë në këtë pjesë. Por ka edhe probleme dhe njerëzit nuk kanë dhe faj se ka dhe një perceptim që nuk është komplet pa bazë. Nuk është se kudo ku shkon në një ndërmarrje private, trajtohesh si këtu.”

Sipërmarrësi Luca tregoi gjithashtu se me iniciativën e tij po ndërton një shkollë profesionale që do të shërbejë për trajnimin e punonjësve. “Aty në hyrje po bëjmë një shkollë për të specializuar punonjësit, shkollë marine dhe për teknolog. Pra shkollë profesionale. Dhe një sallë të madhe leksionesh.”

Kryeministri tha se me zhvillimin që ka marrë prodhimi vendas, ka ndryshuar raporti import/eksport, duke ulur ndjeshëm importin. Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme kualifikimi i punonjësve dhe krijimi i kulturës së punës. “Është rritur prodhimi vendas ushqimor dhe është ulur importi. Duhet të shkojë më shumë, por është goxha përmirësim, që tregon se njerëzit punojnë.

Patjetër që ka plot probleme papunësie, por problemi kryesor me papunësinë që kemi ne, është kualifikimi dhe kultura e punës. Veliaj më thoshte kur ishte në ministri se 95% e atyre që vijnë në zyrën e punës, që insistojnë tek zyra e punës e që në fund fare u jep punën e ikin duke thënë “faleminderit”, janë ata që kanë qenë në emigracion, se ata kanë kulturën. Këtu është një luftë e madhe për të kaluar këto dy pengesa. Por mungesa më e madhe është ajo e kualifikimit. Se u mësuan të gjithë të jenë juristë.”

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.