Gjergj Bojaxhi: Berisha dhe Rama po zhdukin Valbonën
Dritare.net
Nëse ka dy lugina malore alpine Shqipëria, që simbolizojnë Alpet shqiptare janë Thethi dhe Valbona, dhe kjo është e pakontestueshme. Janë dy lugina që simbolizojnë më pastër alpet e Shqipërisë.
Kjo ka qenë dhe arsyeja pse Valbona është shpallur si zonë e mbrojtur dhe Park Kombëtar. Kështu që në radhë të parë do të thoja që gjithë koncepti dhe logjika e Parkut Kombëtar është që për çfarëdo lloj arsyesh të tjera ekonomike që njeriu mund të shpikë, apo mund të kërkojë, kjo zonë e një rëndësie të veçantë ekonomike nuk mund të lejojë disa lloje të caktuara industrish.
Qeveria ekzistuese mendon se kjo është një procedurë e paligjshme, por e vazhdon se nuk do të paguajë dëmshpërblim kompanisë. Po ku janë proces-verbalet, kallëzimet penale që janë bërë ndaj punonjësve të administratës duke përfshirë nga punonjësi më i thjeshtë që ka bërë atë studimin etj etj. Ku janë procedurat dhe ndjekjet penale për ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë dhënë këtë hidrocentral? Këta tallen me ne. Thonë që janë të paligjshme, ishte kështu, ishte ashtu. Në fakt nuk ka ndjekje penale. Jo vetëm kaq, por edhe sikur të mos thonin që është shkelje ligjore por është gjetur një hapësirë, një çarje ligjore për ta justifikuar këtë gjë, duhej të ishin marrë një veprim dhe të kishin modifikuar ligjin që kjo e çarë ligjore të mos ndodhë më. As këtë nuk e kanë bërë.
Janë tre kompani që kanë marrë tre koncesione në këtë zonë. Dy leje janë dhënë në vititn 2009 dhe një në vitin 2013, dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve pa ardhur qeveria e re. Të tre lejet janë dhënë nga qeveria Berisha, por nga këto koncesione dy e kanë marrë lejen e ndërtimit, një nuk e ka marrë. Nga këto dy leje ndërtimi të dhëna, një është dhënë po nga qeveria Berisha. Ndërsa tjetra është dhënë në vitin 2014 nga qeveria “Rama”. Kështu që prandaj ju them këtu kemi vazhdimësi të politikës për çfarë po ndodh dhe do të ndodhë në Valbonë.
Zërat kundër nga Valbona, janë shumë më të pakët nga ç’duhet të ishin. Sepse ka me dhjetra operatorë në Valbonë, të cilët kanë biznese turistike të cilët do preken nga kjo gjë. Por pse nuk kanë guximin të dalin? Sepse jo të gjithë kanë zbatuar ligjin kur kanë marrë kur kanë ndërtuar apo zhvilluar hoteleritë e tyre që do të thotë janë peng i kësaj klase politike, i këtij shteti, i cili u bën presion dhe u thotë: “Në qoftë se ju dilni publikisht dhe kundërshtoni këtë gjë, atëherë do të keni pasoja.”
Çdo njeri që e ka ndërtuar jetën e tij realisht, ka investuar në bazë të sugjerimeve dhe propozimeve që ka bërë qeveria që Valbona do zhvillohet për turizmin. U bë rruga për të çuar turistët etj etj. E kanë ndërtuar jetën e tyre, kanë hedhur lekët e tyre, qoftë dikush në shtëpi më të vjetër e ka bërë modifikime apo rikonstruksione, qoftë dikush që ka ndërtuar një objekt të ri. Kanë bërë investimin e tyre dhe çdo investim i tillë cenohet.
Përgjegjësia nuk është e kompanisë. Ne si qytetarë nuk kemi votuar kompaninë.
Nuk është as leja e parë që i është dhënë, është leja e dytë. Leja e parë i është dhënë një kompanie tjetër. Çështja qëndron, problemi me kompaninë: ne mund t’i flasim kompanisë sa të duam. Kompania ka marrë një copë letër nga shteti shqiptar, letër e cila është lëshuar pasi ne e kemi dhënë.
Por e keqja është që banorët janë zënë në kurth.
E para, asnjë nga banorët nuk ka të drejtë të hedhë qeverinë në gjyq, pasi kanë kaluar tre vjet nga dhënia e koncesionit, dhe pas tre vjetësh nuk ke të drejtë edhe sikur të jetë një procedurë në kundërshtim me ligjin.
E dyta, nuk ka asnjë kontratë të shkruajtur me shtetin që në qoftë se shteti do të bëjë atë hidrocentral në vendin tonë dëmton atë investim që ka bërë. Kjo është kontratë sociale, nuk është kontratë biznesi apo ligjore në kuptimin e saj.
Dhe e treta, mund të dalë dikush e të thotë se çdo prodhim shtesë energjie elektrike shton kapacitetin prodhues që ekziston në Shqipëri. Në këtë këndvështrim ky hidrocentral është një gjë e mirë për ekonominë shqiptare. Ko është e vërtetë, por në aspektin e rëndësisë kombëtare, në aspektin e bukurisë natyrore dhe të veçorisë që ka dhe që tregon një nga dy luginat më të bukura alpine që ka Shqipëria, kjo dëmton në radhë të parë atë që ne kemi si simbol të alpeve tona, d.mth. pa dyshim kjo ka një efekt negativ lokal dhe këtë efekt e ka sepse gjatë gjithë këtyre viteve shteti shqiptar ju ka dhënë një mesazh banorëve të kësaj zone: Zhvilloni turizmin, investoni të ardhurat tuaja; ndërtoni një jetë me turizmin.
Banorët e kanë dëgjuar shtetin, i kanë dëgjuar politikanët, kanë zhvilluar me mundësitë që kanë pasur, ambiente turistike dhe tani kush i dëmshpërblen ata për humbjen? Sepse do të humbasin. Turizmi do të dëmtohet. Valbona do të dëmtohet. Shteti shqiptar në mënyrë abuzive, duke shkelur ligjin, i heq mundësinë banorëve të fitojnë atë që do të ishte normale dhe një pjesë të këtyre fitimeve ia kalon një subjekti tjetër. Por kjo nuk do të jetë një përplasje mes banorëve që humbasin dhe kompanisë që fiton, por mes shqiptarëve që humbasin Valbonën dhe dy qeverive Berisha&Rama/dritare.net