Duhet të ketë me siguri një shpjegim nga mjekët që merren me psikoanalizë, shpërthimi i fantazisë së Berishës, për udhëtime sekrete të Edi Ramës në Rumani për të takuar Viktor Ponten, i cili, sipas tij, “më parë mbahej në një burg në Kroaci”. Byroja Kombëtare e Hetimit, në mënyrë paradoksale po tremb më shumë me mos-ekzistencën e saj, se sa mund të bëjë ndonjë gjë kur të jetë formuar, nëse formohet. Shumë njerëz të politikës në vend, mund të ndjehen të kërcënuar, edhe pse të gjithë bëjnë sikur nuk e kanë mendjen, pasi nuk bëhet fjalë për ta. Por Sali Berisha në këtë pikë është ekzemplar. Në një rrëfim të vetëm të tij, gjysmë aluçinant, ai përpiqet të projektojë frikërat e veta, tek portreti i kundërshtarit, biles edhe tek kundërshtarët e miqve të tij.
E tillë ishte diareja e tij për Viktor Ponten. Viktor Ponte është një ish- kryeministër i Rumanisë, i padënuar asnjëherë, i dorëhequr në punë të tij, që merret me një OJQ. Nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, as është ngritur ndonjë akuzë ndaj tij, as ka qenë ndonjëherë në Kroaci, siç ka thënë Berisha, dhe as ka bërë burg asgjëkundi. Por nuk është rasti të mbrojmë Ponten, por të shpjegojmë gjeografi në e psikologjisë së frikës, që i ka mbjellë në kokë Byroja Kombëtare e Hetimit, Berishës. E vërteta është se Byroja Kombëtare e Hetimit, është një institucion atipik për sistemet e drejtësisë, që është eksperimentuar në Rumani dhe Kroaci dhe ka rezultuar e suksesshme në luftën ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Në Kroaci, prokurori antikorrupsion ka arrestuar ish- kryeministrin Sanader, mikun e Berishës, ndërsa në Rumani kanë perfunduar në burg dhjetra zyrtarë të lartë, sidomos për deklarimin e pasurive. Kjo gjeografi frike, që lëviz nga Rumania në Kroaci, ku përfshihen miq të tij të burgosur, dhe frika se edhe këtu mund të përfundojë ashtu situata, kanë rënduar shumë shëndetin mendor të Berishës. Kush nuk e beson, të lexojë deklaratat e tij.
E vërteta është që, dhe nga pala amerikane, por dhe nga politikanët shqiptarë që po merren me reformën në drejtësi, është bërë kujdes të mos konsiderohet në fjalorin publik si një fushatë ndëshkuese, pasi mund të krijojë probleme me bllokimin politik të votës. Dhe në këtë pikë, si zoti Lu, ashtu dhe politikanët që po merren me të, kanë qenë të kujdesshëm. Ambasadori është foksuar më shumë me paralajmërime ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët nuk janë pjesë e mekanizmit votues të reformës dhe më pak, ose aspak me politikanët.
Por Berisha duket se nuk ka nevojë për këtë kujdes. Ai e di mirë se çfarë është duke bërë, dhe Kroacia me Rumaninë i kanë mbetur në mendje, si dy destinacione të frikshme ku ka kaluar kjo reformë dhe ka bërë gjëma. Dhe siç ndodh rëndom me të sëmurët në këto raste, kur nuk duan ta japin veten, apo të bëjnë sikur askush nuk ka gjë me ta, sajojnë histori për t’i nxjerrë frikën vetes dhe vënë në qendër të fantazisë kundërshtarin “që do ta gjejnë gjëma të mëdha”. Aluçinacioni i tij shëtitës, nga Rumania në Kroaci, Viktor Ponte në vend të Sanaderit në qeli, Edi Rama në vend të tij, dhe detaje të tjera të këtij shpërthimi, ilustrojnë qartë idenë, se ai nuk është i trembur vetëm nga fakti se reforma mund të bëhet, por dhe nga fakti se të vetët, duke bërë sikur nuk ja kuptojnë hallin, të ngrejnë dorën e ta miratojnë. Dhe po përpiqet të ngrejë dallgët për të mbytur çdo shpresë që mund të lindë nga miratimi i saj. Po bëhet gati të na thotë se Edi Rama me Taulant Ballën “do ta sabotojnë, se janë trembur…”.
Po shikon ëndrra me qeli në Kroaci, Rumani dhe po shkëmben në mendjen e vet, miqtë e tij në qeli, me miqtë e Edi Ramës. Është në hallin që është çdokush që e di çfarë ka bërë dhe nuk e pranon dot se çfarë mund t’i bëjnë. Është duke parë ëndrra me burgje dhe qeli kundërshtarësh…një fund që imiton gjithë jetën e tij./gazetatema.net