Fuqia e vërtetë e fjalës

Nga Alteo Hysi

“Fjalët janë forca më e fuqishme në dispozicion për njerëzimin. Fjalët kanë energji dhe fuqi, kanë aftësi për të ndihmuar, për të shëruar ose për të lënduar, për të poshtëruar dhe përulur”.

Yehuda Berg, autor dhe një zë përparimtar i botës shpirtërore të njerëzimit, e përcakton kështu, kaq thjesht peshën e vërtetë të fjalës.

Fjalët nuk janë thjesht gërma, e as konvencione komunikimi. Ato krijojnë perceptime, ato nxisin gjykime ose vlerësime, motivojnë ose dekurajojnë, në një botë ku fjala është shprehje e mendimit dhe ndjesive që na përshkojnë. Pa fjalën, këtë aset të çmuar që me fuqinë e vet na bashkon me njëri tjetrin, aq sa edhe na zhvendos nga një gjendje emocionale në tjetrën, bota jonë e brendshme do të humbte shtegun e shprehisë më të mirë të saj.

Një vlerë e tillë, që kërkon të mbrohet me çdo kusht në pafundësinë e ligjërimeve të përditshme të cilat molepsen keqaz me njëra tjetrën, aq sa fjalët i bëjnë çorapë për të prodhuar kuptime të vakëta që godasin dëgjimin, por jo logjikën, jo arsyen, është domosdoshmëria që kemi për të prodhuar kuptimin e vërtetë, përmbajtësor, të vetes dhe botës sonë.

A jemi ne sot të aftë për ta peshuar realisht fuqinë e fjalës? A mundemi ne ta përfytyrojmë fjalën si krijesën tonë personale që ka fuqinë për të prekur dhe ndikuar krijesën që kemi përballë? Përshembull, kur ti i thua dikujt “idiot”, a mund ta imagjinosh që idioti brenda tij është zgjuar për t’ju përgjigjur sulmit tënd idiotesk?

Kur ti mendon se e ke fituar betejën televizive duke i treguar shqiptarëve se sa “legen”, “bastard”, “vemje” është kundërshtari yt politik, a mund ta imagjinosh dëmin e këtij keqpërdorimi të fjalës, në këtë rast si mjetin e një imponimi të dhunshëm te ata që po të ndjekin?

LEXO DHE :  Nis puna për KLP, kandidatët prezantojnë platformat

A mund ta imagjinosh se ashtu si dhuna, edhe gjuha e urrejtjes, përmes fjalës së rëndë e të ligë, mund të jetë gjithashtu një imponim fizik ndaj lirisë së të tjerëve, po të mendosh se gjuha ka një efekt psikologjik të imponuar fizikisht në sistemin nervor të qënies njerëzore?

George Lakoff, profesor i shkencave konjitive dhe linguistikës thotë se imponimi në lirinë e tjetrit mund të vijë në mënyrë të hapur, në formë fizike – pra banditë që vijnë me armë në dorë, por dhuna mund të jetë edhe një mënyrë shprehjeje.

Gjuha e urrejtjes imponohet dhunshëm mbi aftësinë e një personi për të menduar dhe për të vepruar si një qytetar plotësisht i lirë për një kohë të gjatë. Dhe meqenëse imponon lirinë e të tjerëve, nuk është kurrë një rast i fjalës së lirë, e as i lirisë së shprehjes.

E në këtë kontekst, gazetarë që çirren e politikanë që mallkohen, kushdo që fjalën e përdor si gjyle për të goditur, nuk prodhojnë asgjë tjetër veçse një imponim të dhunshëm në lirinë tonë.

Lehtësia me të cilën e trajtojmë fjalën sot, kafeneve ku me orë të zgjatura flasim e përflasim, në shoqëri ku me fjalën gjykojmë para se të arsyetojmë, në media, ku për lehtësi të komunikimit fjalën hiç nuk e peshojmë, në politikë ku për hir të qëllimit fjala bëhet kurban, nuk mund të jetë atribut i lirisë së shprehjes. E as liria e shprehjes nuk mund të jetë garante, për një shoqëri që rrëzikon të humbasë kuptimin, duke zhvlerësuar pafundësisht fuqinë e vërtetë të fjalës./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.