Fotoreportazh nga Vlora/ Plazhi në Radhimë e dreka në Tragjas!

Nga Rudina Xhunga

Kur shkon në Tragjas, fshatin 10 minuta nga Vlora, të thonë të ndalosh në të vetmin hotel buzë rruge.

Po ti ec fare pak dhe qëndro veç te lulishtja e fshatit.

Aty kur të shohesh Zonja Curren në bronx, mos lëviz më.

Hyr në një kopësht plot zogj që fshihen poshtë tavolinave të drurit dhe shtro një mbulesë pikniku nën rrepet e Izvorit.

Një ndërtesë që duket sikur kafja e fshatit, dikur, është ne fakt shtëpia e një çifti të rinjsh. Ai punoi vite në Bolonja si restaurator kishash dhe u kthye te fshati i fëmijërisë të ngrejë shtëpi e ndërtojë familje.

Trazon saçin dhe kur e pyes a është hapur restoranti dhe a mund të hamë diçka, më thotë me nje ton që me shumë përzë se fton: Mish nuk kemi. Të tjera ka.

Duhet të dalë Ela të të rrëmbejë e të largojë zogjtë nga tavolina e drurit, buzë burimit dhe ta mbushë me te tjerat që kishte pasur fjalën i shoqi fjalëpakë; gjizë shtëpi e domate të bahçes, kulaç në saç e gjalpë bërë ne mëngjes.

Pastaj Ela të merr prej dore të mbledhësh patatet që do skuqë për ty e kur i thua i dua me vezë si dikur, ajo të tregon kotecin. Aty i ke, qesh.

Kur e pyet pse nuk ka mish të thotë se klientët i telefonojnë më parë, se aq mundësi ka. Ata vijnë kur saçi është ende i ngrohtë dhe byreku me lakra fshati, gati, ndërsa ajo ve zogun të piqet.

Nëse presim 45 minuta ajo e bën edhe për ne, mjafton të zgjedhim zogun qe duam.

Sa dëgjon ime bije që do hamë shokët e saj të lojës ne lëndinë, ulërin dhe nuk pranon të hamë veçse kulaç me djathë e gjalpë në mes.

 

Pastaj Ela të çon te frigoriferi i shtëpisë të marrësh vetë dhallën. E ka bërë mëngjes dhe e ruan të ftohtë te burimi.

Ime bije do edhe një lëng dhe kur zgjat dorën, trembet nga e ftohta e përroit dhe kutia i ikën nga duart, nëpër rrjedhë.

Ela vrapon nëpër ujin brisk dhe ia sjell.

Ka dy fëmijë, gatuan bashke me ta, të katërt kanë ndërtuar këtë oaz qetësie Tragjasi që nuk ka çmim.

LEXO DHE :  Basha: Propaganda e shpifjeve të Ramës i ka ndezur të gjithë motorët

Kur paguan drekën, ajo faturën ta sjell mes një tufe çaj mali dhe qeseje letre me rigon.

Dhe ty të vjen turp që e paguan aq pak.

Kur e pyet si ia dalin, të thotë, me ëndrra.

Ëndërrojnë të katërt qe një ditë do ngrenë dhe dy kate e do bejnë ca dhoma, do presin e përcjellin njerëz, do blejnë frigorifer e do kenë drita.

Një dite. Unë i them qe atë ditë nuk do jete kurrë aq bukur sa sot.

Ky vend nuk do jetë më parajsa e harruar e rrepeve të Izvorit dhe Ela nuk do vrapojë në përrua të marrë bostanët, a dhallën a birrat, që ftohen në burim, si dikur.

Ela buzeqesh. E di qe të ankohesh, të largon klientët, por Emiljani me fytyrën e kuqe nga prushi, të thote nga lart; të më vijnë dritat pa do e bej edhe më bukur këte vend.

Do vish e do e shohesh. Vetem me jep nje mendje.

Kam qëkur nisa këtu e 6 vjet më parë, pa drita. Nuk m’i sjellin. Më thone, ca s’më thonë. I provova me ankesa e gjyqe dhe tani e kuptova. Duan të me përzënë. E duan për vete këtë truall. Ndaj i shkrova kryeministrit.

Në mes të nates më erdhen ata të dritave dhe më thane do ta zgjidhim, po ti mos e shqetëso më të gjatin.

Punë është që nuk ma zgjidhen. Si thua, t’i shkruaj prape?

 

Kur e degjoj të flasë, ashtu të dorëzuar, i them, mos ik, mos e lër fshatin tënd.

Edhe kur dritat të vijnë, bëje prape kulacin në saç si sot dhe kthejë këtë tokë në lulishte pikniku për plazhistët e vaposur të Radhimës.

Ai tund kokën, me përcjell te ura e vjetër mbi kallamishte dhe pastaj e shoh tek përzë pulat që kanë rrethuar monumentin e Zonja Curres./dritare.net

 

Ps.Emiljani ka këtë numër;

069 529 8168

Porosit të mos vesh i paftuar, por edhe ne shkon me buke me vete, për piknik, Ela do vije te të sjellë dhallë e rigon mali.

4 Comments

  1. Per dhallen mire po per ata qe hane vetem mishi keci ose shterpe si i vete halli, se juve e keni bere restorant te semuret, po ndo pake revani dhe ca djath te embel mire do ishte ky eshte restoranti juaj ( Bebe )

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.