Foto/ Vrasësi shqiptar endet sërish i lirë në rrugët e Britanisë, mashtroi me shtetësinë
Dritare.net
Pas raportimit, zyra e emigracionit e arrestoi dhe nisi procedurat për ta dëbuar. Por tani Rragami ka përfituar lirinë e kushtëzuar pasi vendosi ta apelojë vendimin për ekstradimin e tij të dytë.
Gjykatësi Esther Lagunju kishte urdhëruar që të mbahej me cip elektronik, pra nën mbikqyrje elektronike, të mos dalë nga shtëpia nga ora 8 i darkës deri në 8 të mëngjesit dhe të shkojë çdo javë të firmosë si detyrim paraqitje. Zyrtarët kanë refuzuar të japin detaje të arsyeve të tij të apelimit të vendimit për ekstradim.
Rragami është parë së fundi në Essex ku ai jeton me gruan britanike edhe dy fëmijët, me një cigare në dorë dhe i shkujdesur. “Rasti i tij e thellon skandalin e vrasësve shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe, me autoritetet që tani po përballen me një beteje të kushtueshme për ta dërguar sërish Rragamin në Shqipëri”, shkruan Daily Mail.
Rragami, i regjistruar si shqiptar i Kosovës me emrin Ardian Gashi, kishte shkuar në Britani pas vrasjes së një personi në veri të Shqipërisë në vitin 1998. I arratisuri u martua me një grua të divorcuar në Londër në vitin 2002 dhe mori leje qëndrimi si azilant, duke gënjyer se ishte nga Kosova. Interpoli e zbuloi në vitin 2009 teksa punonte në ndërtim, në Essex. Në 2010 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 15 vjet.
Por pasi e apeloi vendimin, Rragami u lirua në 2014 dhe u kthye në Britaninë e Madhe për t’u bashkuar me gruan e tij Chrysoulla Michaels, 46 vjeç dhe dy vajzat e tyre. Në shkurt të vitit të shkuar ai u kap nga zyra e emigracionit, por u lirua në mars pas një aplikimi “për të qëndruar apo dëbuar”. Në qershor kur Daily Mail raportoi se ai kthyer sërish i lirë nëpër rrugë, u arrestua prapë derisa e apeloi çështjen. Dhe sot ai lëviz sërish i lirë në rrugët e Britanisë.
Gjatë verës Daily Mail zbuloi dy shqiptarë të tjerë, të cilët ashtu si Rragami, ishin hequr si refugjatë nga Kosova për të hyrë në Britani. Saliman Barci, 41 vjeç, ishte dënuar në Shqipëri në mungesë me 25 vjet burg për vrasje dhe tani po pret përgjigjen e Apelit për ekstradimin e tij. Rasti tjetër është vrasësi i dyfishtë Avni Metra, 53 vjeç, gjithashtu i dënuar në mungesë me 25 vjet burg në Shqipëri.