Dhe duket se vlonjatët nuk kanë pasur faj, kur shikon se një industri e këtij lloji nuk ka bërë dot rrugën as deri tek shtëpia e vet.
Dikur, kjo rrugë, ishte një nga rrugët më të bukura të qytetit të Vlorës. Ajo ishte rruga e pyllit, që pas krijimit të tij rreth viteve ’60 ka qenë mushkëria e qytetit. Ishte rruga drejt plazheve me rërë të jashtëzakonshme, kuruese dhe relaksuese të Adriatikut, ku kanë kaluar pushimet të gjithë vlonjatët dhe jo vetëm. Ishte rruga e kabinave të pushimit dhe Kampit të Pionierëve, ku në verë shkonin fëmijë nga e gjithë Shqipëria.
Ishte rruga e disa prej industrive më të rëndësishme të qytetit, si ish-Uzina e Sodës PVC apo Fabrika e Llambave, ku ishte punësuar një pjesë e mirë e zonës.
Tani e gjitha është kthyer në material për skrap dhe kujtime nga e kaluara.
Ndërsa rruga më e bukur e Vlorës, e pyllit dhe plazhit, e pishave dhe detit, është shndërruar në një prej rrugëve më torturuese të qytetit, ku nuk është vënë dorë prej dekadash dhe duket sikur një tra i padukshëm e ndan prej qytetërimit.
A e meriton Vlora këtë harresë?/dritare.net