Foto/ Pse tremben turistët në Durrës?

Nga Isa Myzyraj

Sezoni turistik në vendin tonë, tanimë ka nisur dhe turistët nga mbarë bota e shohin vendin tonë si një destinacion që duhet vizituar, por në Durrës do t’i presin mbeturinat dhe një mjedis aspak miqësor.

Vija bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Iliria, që është edhe fundi i bregdetit, që më pas nisin zonat ushtarake dhe qeveritare, duket se ende nuk është gati për të pritur turistë elitarë, pasi papastërtitë e mëdha dhe mbeturinat gjenden në çdo kilometër, në vijën e parë të bregdetit.

Familja e Përparimit ka 15 vjet që viziton bregdetin e Durrësit dhe janë nga Kumanova , por edhe pse deklarojnë që përsëri do të vijnë,  kanë rezervat e tyre dhe mjaft kritika për mënyrën si po bëhet turizmi  në Shqipëri.

Ata shprehen se, një ndër problemet kryesore janë mbeturinat e hedhura vend e pa vend, dhe mungesa e koshave të vendosura nga Bashkia.

“Këtu vijnë makineritë e Bashkisë në pikë të ditës, dhe mbledhin mbeturinat. Era është e tmerrshme dhe nuk durohet. Duhet të kishte kosha , dhe mbledhja e tyre të bëhet natën.”-shprehet Përparimi .

Gjithashtu edhe një biznesmen nga Tetova e Maqedonisë ka rezerva të mëdha.

“Ne duhet të merremi çdo ditë me dritat dhe ujin, të cilat ndërpriten  çdo mbrëmje.”-shprehet biznesmeni.

LEXO DHE :  Mbifaturim të energjisë, ja si u zgjidh problemi i qytetarit nga Golemi!

“Ne nuk jemi të gatshëm të përballojmë një fluks të madh turistësh, pasi nuk kemi kapacitete dhe shtimi i kapaciteteve duhet të shoqërohet me siguri tek energjia elektrike dhe uji.”-vijon ai më tej.

Një ndër problemet e tjera që hasin bizneset janë edhe stafi i kualifikuar.

“Ne kemi marrë staf nga Maqedonia, kamerierë, banakierë dhe kuzhinierë, sepse këtu nuk kemi gjetur për 10 vjet me radhë. Ato që vijnë, ikin në mes të sezonit dhe nuk janë të përgatitur.”-shprehet ai për Dritare.net.

Çadrat në bregdetin e Durrësit kanë zënë çdo hapësirë, gati deri te vala e detit, dhe ecja në vijën bregdetare bëhet mjaft e vështirë.

Përsa i përket kullave të vrojtimit, nga një vëzhgim i Dritare.net, rezulton se nga Ura e Dajlanit deri tek Iliria ka 4 kulla vrojtimi, nga to: 2 janë private, dhe njëra nuk funksionon, një është në bashkëpunim mes privatit dhe Bashkisë, e cila funksionon me kapacitet të plotë, ndërsa një vetëm është e ngritur jashtë funksionit.

Në planin e përgjithshëm, bregdeti i Durrësit duket se edhe sivjet do t’i zhgënjejë turistët, dhe sfida jonë më e madhe mbetet, të krijojmë kushte për turistët, që ata të vijnë përsëri, dhe minimumi t’i bëjnë një reklamë të mirë vendit tonë./ Dritare.net