Fluturimi me parashutë nga Llogoraja, më ndryshoi jetën

Nga Fjorda Llukmani

Sa herë dikush më pyet cila është dëshira imë më e madhe në botë, u them që do doja të kisha krahë për të fluturuar. Që  fëmijë kur shikoja zogj ëndërroja të isha si ata, për të parë si dukej bota nga sipër. Fluturimet e shpeshta me avion më bënin të kuptoja sa të vegjël jemi para universit që na rrethon.

Shyqyr Zotit, para disa vitesh njihem me Xhonin dhe grupin e fluturakëve të Aeronautikës Shqiptare.

Tani mundësitë e mia për t’i dashur sportet e ajrit u rritën. E ndiqja Xhonin nëpër gara dhe e dëgjoja me kureshtje kur më fliste për paragliding dhe hedhjet me parashutë. Pikat më të famshme për fluturime dyshe në Shqipëri janë: Llogoraja, Shushica në Vlorë, Dajti dhe Morava në Korçë. Zgjat rreth 15-20 minuta dhe kushton 60 euro. Jo keq, për t’ia bërë dikujt dhuratë për shembull.

Për herë të parë u hodhëm nga Vlora, por në këtë artikull do shkruaj për eksperiencën tonë në Llogora. Nëse do të kuptosh vlerën e jetës, atëherë këtë verë duhet të provosh se s’bën paragliding.

Prej disa kohësh nuk po merrja ndonjë satisfaksion të madh dhe më kishte marrë malli për një çikë adrenalinë. Së fundmi Xhoni, bashkë me skuadrën e “Sky Sports Albania”, kanë marrë patentë ndërkombëtare për të kryer fluturime turistike me pasagjerë. “Do ma bësh një fluturim tani që ke marr patentën”,-i them Xhonit ,duke gjetur gjoja justifikimin e patentës megjithëse ai ka një jetë që fluturon.

 

Për të gjithë ata që më pyesin shpesh, me paragliding nuk fluturon tek pullë, se s’di t’i japësh. Është gjithmonë një pilot shumë i kualifikuar që merr përsipër të të dhurojë disa nga minutat më të bukura të jetës. Dmth nëse jeni me mendjen po sikur të bie, të mbyllet parashuta, të vjen për të vjellë, sikur po bie në det, etj drama si këto, më mirë mos ju fusni këtij muhabeti.

Ky fluturim është ndër gjërat më relaksuse që kam bërë. Ecën shumë herë më avash se një makinë në Tiranë dhe është më i sigurt se ç’mendoni. Gjithsesi në vendin tonë grupi i “Sky Sports Albania” janë të vetmit shqiptarë  të licencuar  për fluturime dyshe. Duke qenë se janë disa pilotë, mund të fluturosh njëkohësisht edhe si grup shoqëror.

Shkojmë me Xhonin në Drimadhes, bazën e tij verore. Pasi fluturuan dy shoqet e mia, unë e kisha radhën e fundit. Kur po ngjisnim kthesat e Llogorasë m’u mbush një lëmsh. Nga jashtë flisja e qeshja me çunat por nga brenda po plasja.

 

Ndaluam tek panorama e Llogorasë nga ku është pista e hedhjes rreth 900 metra mbi nivelin e detit. “Ej më ka kap një siklet”-i them Xhonit i cili është shoku im prej kohësh e më njeh mirë. “Ca thu mi nona po ç’pate ti?”- filloi duke qeshur e nuk e mori seriozisht frikën time. “Ore kam frikë, megjithëse e kemi bërë dy herë më duket si hera e parë”,-i them me gjysmë zëri, pa e vendosur që do hidhesha.

LEXO DHE :  Tiranë, përfshihet nga flakët magazina tek rruga Bardhyl

Një moment u fiksova me “sikuret” që po sikur të më ndodhë kjo po sikur ajo… Pastaj thashë me vete: “Këta çunat e kanë punë të përditshme fluturimin, kështu që s’kam pse frikësohem.”

Ishte ditë jave dhe në pistë prisnin erën edhe disa austriakë, që kanë vizituar kastile Shqipërinë për të fluturuar. Vendi ynë ka potencial fantastik për zhvillimin e këtij sporti. Nuk jemi kot toka e shqiponjave. Çdo vit vijnë plot fluturakë për të shijuar pamjet fantastike që kemi. Llogoraja është padyshim vendi i preferuar i çdokujt, pasi ka detin dhe malin. Vendosemi në pistë. Pasagjeri qëndron para pilotit në karrigen personale që e mban si çantë shpine. Sapo vela ngrihet në ajër, ulesh si në jastëk super komod. E vetmja gjë që duhet të bësh është të shijosh pamjen e mos të mendosh për asgjë tjetër.

 

Kur u ngritëm në ajër m’u duk vetja si personi më me fat në botë. “Unë do fluturoja përditë po të mundja”-i them Xhonit. Shikoja poshtë sa të vegjël dukeshin njerëzit në plazh.

Pale pemët e shkurret që më dukeshin si brokoli. “Kësaj here nuk dua spirale se e kam zemrën e dobët”-i them Xhonit që herën e parë kur fluturuam më bëri nja dy manovra adrenaline.

Sigurisht që edhe ato kanë lezetin e vet, mos të them që janë pjesa më e bukur, por atë ditë më kishte kapur fiksimi vetëm për udhëtim turistik.

Era na çoi më lart se pista ku u nisëm. Në një moment e gjetëm veten mbi det, me Llogoranë përpara. “Kjo është pamja më e bukur në botë Alban, do thoshte Shako”,- komentoja unë gjatë gjithë fluturimit. E bukura është që dhe Xhoni që e ka bërë me mijëra herë, të bën ta shijosh çdo pamje përpara, megjithëse pretendohet mos t’i bëjë përshtypje. Po si mund të rrish pa reaguar kur gjithë jetën kam parë detin nga Llogoraja, e kësaj here po shihja Llogoranë nga mesi i detit.

Çfarë perle!!! Sa më afër tokës vinim, aq më shumë qartësoheshin ngjyrat e objektet. Do doja të kisha zbritur direkt në det ose mos të zbrisja kurrë. Sa inat më erdhi kur mbaroi. Kur zbrita m’u duk vetja tjetër njeri.

Nuk ju gënjej po t’ju them që, pasi i pashë gjërat nga syri i një zogu, kam ndryshuar komplet si njeri. Distancat më duken më të afërta, cdo gjë më duket e mundur, bota më duket shumë simpatike nga ajri, fytyrat më të lumtura… Në videon më poshtë do të shikoni reagimet e mia gjatë fluturimit. Ndërkohë ju mos harroni ta fusni tek lista e gjërave që do bëni këtë verë./dritare.net



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.