Flet endacaku i Elbasanit: Nuk i dua ëmbëlsirat që më dhurojnë kalimtarët
Dritare.net
Këtë të premte në Oktapodin e Turjan Hyskës në Vizion Plus u transmetua intervista që moderatori kishte zhvilluar me të në qytetin e Elbasanit. Ai e nis rrëfimin e tij me vjedhjen që thotë se i ka bërë shteti shqiptar në kohën e komunizmit. Sipas tij i kanë vjedhur të ardhurat që e lanë pa familje, pa grua, e pa fëmijë. Avniu thotë se gjithë këto vite ka mbijetuar nga dashamirësia e qytetarëve të ndryshëm që i kanë dhënë për të ngrënë, por ai është edhe selektiv, për të ruajtur një shëndet të mirë: “Më ndihmojnë, por ka edhe nga ata që më sjellin ëmbëlsira. Unë nuk i ha. Më sjellin molto, ç’i dua unë ëmbëlsirat. Më sjellin sanduiç, unë nuk i dua yndyrat. Ha gjërat që nuk e cenojnë shëndetin, zemrën, tensionin, sheqerin. Njeriu duhet të hajë sa më shumë zarzavate, edhe bulmetra. Qumështi, kosi pa yndyrë e ndihmojnë shëndetin. Zarzavatet nuk kanë sheqer, kanë 15%. Buka ka 60%, orizi ka 80%, nuk i ha unë këto”.
Sipas Avniut gjendja në Shqipëri është shumë e keqe:
“Bujqësi s’ka, që është baza e shoqërisë për punë e ushqim, industri s’ka, është shtojcë në ekonomi për punësim dhe ngritjen ekonomike, ushtri nuk ka, për mbrojtjen e vendit, drejtësi s’ka, sepse tek ne vjedh prokurori, gjykatësi, hetuesi. Në vend që ta burgosë kriminelin, ai i jep dorën, s’kam prova thotë, merr para, kjo është vjedhje. Pse nuk zbatohet Vettingu në Shqipëri? Sepse tek ne vjedhin deputetë, vjedh parlamenti, vjedhin kryetarët e partive, e çfarë pret ti?”
Avniu tregon se edhe pse shteti i ka bërë shumë keq, ai do të luftonte për Shqipërinë në rast lufte:
“Do luftoja për Shqipërinë. Se ka fajin Shqipëria si truall që unë jam kështu, unë mbroj këtë tokë, jo partinë politike”.
Ai thotë se i vetmi shok që ka janë gazetat, sepse askush nuk i kupton idetë e tij, askush nuk përshtatet me të. Ai nuk e pranon të quhet lyps, sepse lyps sipas Avniut, është ai që thotë “më jep një lek, por unë nuk kërkoj, mua më ndihmojnë se rri në rrugë për të mbijetuar”, shton Avniu.
“Filozofi i rrugës” flet për ngjarjen e disa viteve më parë kur një adoleshent vrau një çift turistësh çekë.
“Erdhi një çift nga Çekia, ai i vrau. Prit pra se është gjynah, ai erdhi, zgjodhi klimën më të bukur, ai i vrau. Donte t’i merrte makinën, pse do t’ia marrësh makinën, ti puno dhe merre makinën. Por prapë ambasadorja e Çekisë e ngriti prestigjin, tha që nuk janë të gjithë shqiptarët kështu”.
Turjan Hyska e pye Avniun nëse e ka menduar ndonjëherë vetëvrasjen, por ai përgjigjet se sido që është jeta e tij, ai do i përshtatet ashtu sic ia ka dhënë natyra: “Kurrë, do i përshtatem jetës ashtu siç ma ka dhënë natyra. Çdo gjë që bën njeriu, unë do them: Të kem vullnet të hekurt që jeta është mbi gjithçka, jeta dhe liria është mbi gjithçka. Unë i lirë jam, në burg s’më ka futur njeri, jetën e kam, copa-copa, por prapë është jeta ime. Vetëvrasësi është bandit, nuk është i kësaj shoqërie”
Avniu thotë se e gjithçka dëshiron është një shtëpi, që të jetojë siç duhet vitet që i kanë mbetur./dritare.net