Fidani, djali që nuk qesh kurrë

Nga Rudina Xhunga

Fidani nuk e di çfarë janë negociatat dhe a do e ndryshojë fatin e tij, fakti që do të hapen vitin tjetër.

E vetmja gjë që di me siguri është se do një palë letra, të mos vijë me frike në punë.

Është 19 vjeç. E shoh përditë nga dritarja.

Vjen në 7 ulet në trotuar dhe pret të vijë mjeshtri.

Pastaj nis punën deri në 7 të darkës.

Kazmën në dorë dhe hap kanalin ku do kalojnë tubacionet e shtëpisë së re, ku po punon.

Kur ishte agjërim,  ju desh ta thyeje se nuk kishte fuqi të punonte.

Një ditë kur në Londër, temperaturat shkuan 32 grade, ai nuk e lëshonte kazmën nga dorë, ndërsa afër tij tre fëmijë të vegjël lagnin njeri tjetrin me zorrë ujë dhe ulërinin nga gëzimi.

E pashë që i shikonte. E pyeta a kishte lozur si ata. Po tha në Kukës, me fëmijë të tjerë. Dikur.

Po kur dikur? Fidani ngjan akoma fëmijë.

Sot e mori dikush në telefon. U skuq, iu duk sikur ia dëgjuan bisedën.

E pyeta dhe më tregoi.

Kishte ikur para dy vjetësh nga Shqipëria. Në Farkë, ku ishte shpërngulur familja nga Kukësi, kishte lënë prindërit,  vëllai dhe  motrën e vogël dhe një shtëpi me pula, dele, oborr, domate dhe lule.

Po ç’doje të ikje, i them. Ti i kishe të gjitha. Fidani më sheh me çudi. Nuk di , çfarë kam parasysh unë me të gjitha. Po nuk kundërshton.

E kishte provuar tre herë, kufirin. Dy herë nga Franca e kapën.

Por nga Hollanda arriti më në fund.

Arriti te ëndrra e fejsbukut. Kur babai i lutej të mos ikte nuk e dëgjonte. Rrinte në FB, i bindur se do ta provonte patjetër.

Ja ku erdhi. Me një kazmë në dorë, duke pritur të mësoje gjuhën, zanatin dhe pastaj ku i dihet të gjeje një grua me letra.

Këto janë tre hapat. Kështu i thonë të gjithë. Herë herë behet shumë e vështire. Herë herë, lirohet dhe të del fati.

LEXO DHE :  Përfshihet nga flakët, hoteli në Sarandë

Në fund mbase edhe ai do ketë një familje dhe fëmijët e tij do lagin njeri tjetrin me zorrë uji, një dite qershori në Londër.

E pyes a i kanë ofruar ndonjë rrugë më të shpejtë.

Pohon me kokë.

Djali që telefonoi sot, i kërkoi të nisej në Shqipëri për të sjellë një porosi.

I tha jo. Jam mirë, punoj ndërtim, ia ktheu. Nuk dua ta prish. Dhe uli kokën, pasi e mbylli telefonin ne xhep.

Më vjen të qaj,  kur e dëgjoj kur flet. Me duket sikur e njoh. Mendoj për nenën e tij dhe mallin e ankthin për të birin.

Dua  t’i them, mos ki merak. E mbylli telefonin. Do e  hapë vetëm në darkë, kur ta marrësh ti.

Djali yt i madh do vetëm t’ia dalë të gjeje letrat.

Letra për të jetuar pa frike. Për të marrë autobusin pa para, mbrapa. Kur dikush i kërkon biletën në tren, ai trembet. Kujton se e kapën. Ne fakt i kërkuan vetëm biletën. Shpëtoi edhe këtë herë. Po nesër?

Nesër askush nuk di si është. Por pritja është gjithmonë aty, s’të lë kurrë vetëm. Të ruan nga tundimet, të shpëton nga frikërat. E kështu derisa bëhesh burrë.

Fidani nuk do te kthehet. Pastaj do. Pastaj ul kokën dhe nis ditën nga e para. Nuk do që babai t’i thotë, unë të thashë , po nuk më dëgjove.

Fidani nuk e di, çfarë janë negociatat. Ul kurrizin dhe punon pa sharë qeverinë, opozitën, Francën, Hollanden. Ato i njeh vetëm si kufij të kalueshëm, ose jo. Nuk pret gjë prej tyre.

Fidani pret vetëm një palë letra që një dite të hipe pa frike ne autobus.

Fidani është një nga mijëra shqiptarë me ëndërr Londrën. Ajo është tani, si dikur Amerika.

Po Londra nuk fal ëndrra. As buzëqeshje të panjohurish, asgjë.

Vajza ime më pyet sa here i thotë mirëmëngjes; ma, pse nuk qesh asnjëherë Fidani?

E ka lëne të qeshurën, në shtëpi, zemër. Nuk e mori dot me vete. /dritare.net

1 Koment

  1. Ah moj Rudina mu be shpirti cope…. keshtu eshte ne Shqiperi.. Fidani eshte si djali im, u lodh neper bote dhe tashme esht kthyer i pashprese ne Shqiperi….po studion tashme po perseri nuk gjen veten e tij… puna eshte jeta …..

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.