Fëmijët i rikthejnë paqen Parlamentit, Ruçi: Kemi nevojë për ju
Dritare.net
Me tej, Ruçi, theksoi se nuk ka Kuvend apo Kushtetutë në botë që të japë rekomandime më të mira dhe më të drejta se sa mesazhet që japin fëmijët.
“Ju jeni Presidenti i këtij vendi, jeni Kuvendi, jeni Qeveria e vërtetë e këtij vendi. Bashkë me ju unë do të përshëndesja të gjithë prindërit shqiptarë për dashurinë që ata japin, për sakrificën që ata bëjnë që fëmijët të rriten shëndetshëm, të pakushtëzuar nga vështirësitë, që shkakton varfëria, apo sëmundjet e shoqërisë tonë”, tha Ruçi.
Kreu i Kuvendit vazhdoi më tej duke thënë se, “ju kërkoj ndjesë të dashura nëna, të dashur baballarë që disa herë, në vend që t’ua lehtësojmë, jua vështirësojmë jetën, dhe në vend që të bëjmë ligje më të mira për të gjithë, gjuajmë njëri-tjetrin nga llogoret e politikës.”
Gjithashtu Ruci ka përshëndetur të gjithë mësuesit, të cilët i cilësoi fisnikë, që pavarësisht vështirësive, ata i përkushtohen punës dhe ia arrijnë qëllimit për të edukuar dhe arsimuar, brezat që vijnë.
“Edhe ne si deputetë kemi ende shumë për të bërë për t’ju ndihmuar e lehtësuar në misionin tuaj. Ju garantoj se personalisht do të bëjë të gjitha përpjekjet që Kuvendi i Shqipërisë të hartojë ligje më të mira për arsimimin, që ju fëmijët tanë të fitoni shkollim më cilësor, të krahasueshëm me moshatarët tuaj evropianë. Ligje për shërbime sociale e publike cilësore të cilat u përgjigjen në radhë të parë nevojave tuaja dhe zbatojnë pikërisht këto rekomandime që bëtë sot, që askush nga ju të mos mbetet pas shokëve dhe shoqeve.”, -tha Ruçi, duke uruar 1 Qershorin.