Sot televizori në zyrën tonë, është i zi. Në qendër të ekranit një shirit lajmërues, "Weak or no signal." Sot u mbyll epoka e analogut. Nis një erë e re, ajo digjitale. Për t'u bërë pjesë e këtij sistemi duhet të pajisesh me... etj, etj? Po pse duhet ta blej, pse më duhet mua televizioni? Pyetjes a jeton dot pa televizor, qindra, mijëra të rinj i përgjigjen: Po jetoj, sigurisht që jetoj. Pyetjes, a jeton dot pa celular, po këta të rinj, i përgjigjen: Jo nuk jetoj dot. Sepse përgjigja e një epoke të re komunikimi është interneti, komunikimi tani, po ndodh, unë jam gazetari, unë jam ngjarja, unë jam produkti, like e share. Të vetmit që shqetësohen sot për errësirën në ekran janë moshat e treta, por edhe ata, jo të gjithë. Pavarësisht se emigrantë digjitalë, shumë prej tyre ia kanë dalë të përshtaten me tranzicionin e komunikimit ( janë të stërvitur me tranzicion shqiptarët) dhe ia kanë marrë dorën FB, e në këtë mënyrë çdo portali online. Vetëm më besnikët e tradicionales ndihen në mungesë sot. Ndërsa situata do qartësohet dhe kush do ta ketë TV që ndiqte, do ta këtë sërish, duket se ky është momenti më i mirë për online, që ka hyrë dhe është përhapur gjerësisht, por jo dot denjësisht në Shqipëri. Është momenti më i mirë për vetrregullim të medias online e mbi të gjitha i rregullave të reja. Sepse nuk është më lojë. Tani është kanali kryesor i komunikimit. Mjafton një celular e ti ke, kur ndodh dhe kur do, akses në çdo informacion që vjen nga çdo cep e qoshe rruzulli tokësor, në lajm, foto, video, audio e çdo mënyrë të re dhe të vjetër. Vendos ti, kur do e shohësh. Edhe çfarë do të shohësh, e vendos po ti. Ndaj tv analog apo digjital ka ngecur, sepse njerëzit që bëjnë televizion nuk kanë kapur thelbin ndryshimit; ti nuk do më, të jesh vetëm shikues, por pjesëmarrës, ti që do të zgjedhësh vetë, orar, zhanër, mënyrë dhe stil tregimi të botës. Ndaj media televizive në Shqipëri gëlon nga hyrje/ daljet, që po bëhen me panik, më shumë se me vizion. Sepse të gjithë po mundohen të ndryshojnë mobiliet në dhomë, por jo mobilimin e dhomës.
E derisa ajo kohë të vijë në Shqipëri, derisa të prodhohet ‘Netflix made in Albania’, online mund të kapë momentin. Që është tani. Tani për t'i dhënë shqiptarëve, lajmet tani, historitë njerëzore tani, live dhe reale, të gjitha dramat dhe përditshmëritë e cdo shtëpie, lagjeje, qyteti, planeti. Të gjitha këto dritare kanë një histori për të treguar. Mjafton të kesh me vete një celular dhe shumë dëshirë të tregosh histori.
Bëhu pjesë e dritares së madhe online, zgjidh, mos lër të të zgjedhin! Media Online, "power to you"!/dritare.net