Edi,
Bashkë nuk jemi njohur, por turbull mbaj mend sesi prindërit e tu ishin të shqetësuar se mos bëje ndonjë proçkë dhe i merrje në qafë.
Prandaj edhe në zbore të jepnin vetëm pushkë druri. E vërteta është që ke pasur prindër të mirë.
Tani të vijmë në ditët e sotme se edhe kohë nuk kam, pasi jam duke ndërmarrë aksionin për zhdukjen e fesë këtu në parajsë dhe sipas informatave të shokut Judë, shoku Pjetër sikur nuk duket shumë i motivuar. Shto këtu që s’ka dy ditë që i qetha mjekrën Muhametit dhe ky nuk e priti mirë e seç po përpiqet të organizojë me ca fise arabe, por do të merrem së shpejti me të. Kam pak problem çfarë forme riedukimi të përdor, se këtu nuk ka këneta për të tharë, por do t’ia gjej anën. Do t’i vë të lëvizin rërë nga një cep në tjetrin, me karroca dore.
Dua të t’i them vetëm dy fjalë për partinë, pasi shikoj që nuk ke nevojë. Bile edhe mund të mësoj prej teje. Me thënë të drejtën në atë parti, edhe unë që e formova, vetëm pas vitit 1961, sikur i vura punët në vijë, se nuk rrinin rehat. Një herë Koçi Xoxe, një herë Konferenca e Tiranës, e pastaj Liri Gega e të tjerë. Ndërsa ti për dhjetë vjet i ke bërë si lepuj të butë. Më bëri përshtypje sidomos referendumi i fundit. 97%! Dhe të mendosh që të gjitha këto i bën me Taulant Ballën. Në ’56-ën po mos të kisha Mehmetin dhe Kadrinë ishin duke më sjellë para kohe në këtë botë.
E kuptoj që ke vështirësi, sidomos me këto votimet. Por ti ke talent djalë. Si ua mbush mendjen të votohesh? Unë thava këneta, zhduka malarjen, analfabetizmin, urinë, bëra rrugë dhe hekurudha, i mësova ç’është higjena dhe i katërfishova si popullsi dhe prapë më shajnë. Ju bëni tendera që të lyeni godinat e mia, i shkatërruat arsim e shëndetësi dhe prapë ju durojnë. Po pse nuk më shkoi në mëndje përpara edhe mua t’i bëja këto zgjedhjet dhe do të isha rehat. Nuk e kuptoja se ky milet do vetëm të bëjë sikur vendos vetë!
Megjithatë nja dy këshilla do të t’i jap.
Së pari atë Koço Kokëdhimën, nëse nuk ndan paratë me të, lere në Fier aty ku e lashë unë. Shokun i tij, ta kesh mik të prish punë, ta kesh armik të ha munë.
Ke në parti ca tipa që më çojnë nervat kur hap televizorin, se më duket sikur lehin dhe jo të flasin. Nuk të duhen për gjë. Më mirë merr ca budallenj që nuk flasin dhe bota kujton se çoç dinë.
Kam parë që mban ca të fortë rreth vetes. Tani, nuk e di a je trim, apo ke qejf të rrish me trimat. Po ç’ngatërrohesh me halabakë mor djalë. Po ata trima unë i bëja të qanin me një polic që e paguaja 700 lek në muaj, ti je mbret e i ke frikë?
Kam vënë re që e ke dorën e rëndë. Po e bën bythë atë vend me koncesione. Ki mëndjen. Kështu bënë edhe ca para se të vija unë, dhe pastaj kur mora frenat ua nxora nga hundët.
Po e mbyll me kaq. Shpresoj mos të kem më nevojë të shkruaj.
Juaji
Enver