Emigrimi, pse ikin dhe ku shkojnë shqiptarët?

Nga Dritan Hila – Editorial, emisioni “Arena” në Ora News

Migrimi i popullsisë është një fenomen i hershëm ndër shqiptarë.

Ndryshe nga sa mendohet, ai ka traditë para skënderbejane, kur valë të popullsive migratore shqiptare dyndeshin drejt Greqisë dhe Italisë. Janë arvanitasit dhe arbëreshët e sotëm.

Gjashtë deri në shtatë valë të tilla mendohet të kenë ndodhur, deri sa vijmë tek periudha post Skënderbe.

Në librin e tij “Despotë të Epirit dhe princër të Maqedonisë” të përkthyer nga profesor Pëllumb Xhufi, studiuesi arbëresh Paolo Petta e trajton temën dhe pozicionet e emigrantëve arbër të mesjetës në gadishullin apenin.

Në periudhën otomane është vështirë të përllogaritet zhvendosja e shqiptarëve. Por duhet thënë se mbizotëron mercenarizmi ushtarak. Regjimentet e mercenarëve shqiptarë do hasen anembanë Evropës, nga stepat e Rusisë e deri në pyjet e Anglisë.

Ajo që ka qenë e identifikueshme është emigracioni në Shtete e Bashkuara. Por numri nuk është domethënës.

Pas pavarësisë është emigracioni politik i antizogistëve i cili shoqërohet edhe nga ai ekonomik. Franca dhe Amerika ishin objektivat e synuar, por vetë numri i vogël i popullsisë autoktone nuk lejonte një numër të madh emigrantësh.

Duhet të vinte viti 1990 kur shqiptarët do të përjetonin dyndjen e parë në dhe të huaj i cili filloi në 2 korrik me dyndjen në ambasada.

5 mijë shqiptarë është kontingjenti i parë i shqiptarëve që largohen nga atdheu. Janë vala e parë e një popullsie e cila kishte arritur nivelin e 3.3 milionë banorëve. Kjo është edhe shifra më e lartë që shteti shqiptar ka pasur si nënshtetas të tij rezidentë. Pas kësaj dite fillon vetëm tkurrja, ku nuk mungojnë nga skenat e eksodeve biblike deri në ato dramatike.

Tetë muaj pas ngjarjes së ambasadave, pason një valë tjetër emigrantësh. Në 6-7 mars 1991 25 mijë shqiptarë mësyjnë anijet, peshkarexhat, dhe çdo mjet që pluskonte për të arritur brigjet italiane. Ndërkohë nga kufijtë e jugut mësynin Greqinë një numër i pallogaritshëm njerëzish. Hemoragja nuk ka të ndalur.

8 gusht 1991 20 mijë shqiptarë tentojnë me anijen Vlora të kapin Italinë. Ja dalin, por muaji i mjaltit kishte mbaruar. Pasuan ngjarjet e Stadiumit të Barit ku lundërthyerit u mbyllën deri në momentin kur më përjashtime të rralla u kthyen rishtas në Shqipëri. Ishte një sinjal se nuk do lejoheshin më eksodet masive. Por edhe fillimi e emigrimeve klandestine. Ngushtica e Otrantos u bë autostrada e gomoneve, ndërsa kufiri unë jugor humbi kuptimin.

Pas kësaj do jemi dëshmitarë të tragjedive të mëdha. Marsi do të jetë muaj i zi për shqiptarët.

Në 9 mars 1996, 32 burra nga krahina e Dibrës do humbasin në ujërat e Otrantos. As sot nuk dihet për fatin e tyre dhe të afërmit shpresojnë se janë ende gjallë.

Në  27 marsit 1997, 105 shqiptarë mbyten në atë që është quajtur si tragjedia e Katerit të Radës.

Në 4 janar 2004 në lidhje direkte televizive 17 burra dhe 3 gra humbën jetën në tentativë për të arritur Italinë.

Por askush nuk ka një statistikë të numrit të të humburve, vrarëve, ngrirëve në kufijtë e jugut apo mbytur në hapësirën që na ndan nga Italia.

Me heqjen e vizave tetë vjet më parë, shqiptarët nuk kanë më nevojë ti drejtohen rrugëve ilegale të emigrimit. Por kjo nuk e ka ndaluar hemoragjinë.

Të dhënat e Ministrisë së Jashtme bëjnë me dije se 1.4 milion shqiptarë kanë ikur nga atdheu. Është një rritëm vjetor prej 50 mijë banorësh në vit. Është shtesa natyrore e popullsisë, ose një gjysmë qyteti i madh, sa Vlora apo Shkodra që largohen. Por ca më keq. Këta që largohen janë pjesa më aktive e popullsisë. Nga të dhënat e shqiptarëve në Itali, rezulton se mosha mesatare e emigrantëve është 30 vjeç. Nga 500 mijë emigrant, 465 mijë janë në moshën e punës. Kjo tregon varfërimin dramatik që ka pësuar Shqipëria nga popullsia aktive.

Emigracioni shqiptar në vendet fqinje ka njohur edhe histori suksesi. Gjithmonë në Itali, pasi është burim i pakontaminuar përsa i takon të dhënave mbi kombësinë, ka 30 mijë sipërmarrës shqiptarë. Por nëse këto janë histori suksesi individuale, në planin kombëtar Shqipëria ka pësuar një varfërim nga talentet në fushën e biznesit prej 30 mijë individësh.

Kjo ka sjellë edhe një problem tjetër për Shqipërinë: Arratisjen e trurit. Sot nga 32 mijë shqiptarë që ndjekin universitetet, 8 mijë shkojnë të studiojnë jashtë. A do kthehen? Vështirë të thuhet apo të besohet.

Pavarësisht se kryeministri e paraqet si qarkullim të lirë të njerëzve, e vërteta është se nuk ka politika ndjellëse për thithjen e këtyre njerëzve. Madje as për mbajtjen e atyre që janë prezent në tregun e punës. Me ikjen e trurit dhe krahut aktiv të punës, vendi po merr edhe një goditje në planin afatgjatë, pasi nuk do të jemi kompetitivë për teknologjitë e reja që vijnë apo fushën e kërkimit. Sot në Shqipëri është e vështirë të gjesh nga kamerierët e kualifikuar e deri tek IT (aj titë) e nevojshëm në statidn e sotëm të teknologjisë. Sipërmarrësit e kësaj fushe apo spitalet kanë kohë që ankohen. Ndaj nëse ka vende pune por nuk ka profesionistë, është një faj që nuk është jetim.

Shembulli i Haitit i cili ka humbur 85% të popullsisë së shkolluar, tregon sesa afër varfërisë është një vend që humbet trurin.

Por le të vijmë tek vazhdimi i emigrimit. Arrestimet e fundit të 39 personave të akuzuar se kishin çuar një mijë shqiptarë në destinacionet e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë apo Anglisë, tregon se fenomeni nuk është frenuar por sofistikuar.

Paralelisht, nga viti 2014 deri në 2017, 100 mijë shqiptarë janë regjistruar në Gjermani si azilantë. Ndoshta shifra prej 400 mijë shqiptarësh të larguar që jep opozita, nuk qëndron pasi nuk kemi një census të popullsisë, por mjafton edhe shifra prej 50 mijë të ikurish në vit, që të shqetësonte një klasë politike të përgjegjshme. Dhe që ky fenomen është shqetësues, e tregon fakti se pas Hollandës, tani edhe Gjermania kërkon shfuqizimin e marrëveshjes së Shengen, që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mes tyre edhe të shqiptarëve, pa viza.

Në ndryshim nga e kaluara, në ditët e sotme, shqiptarët që emigrojnë gjenden përherë e më tepër viktima të një fryme raciste. Agimi i Artë në Greqi, Lega Nord në Itali, AfD në Gjermani, FPO në Austri dhe kështu me radhë, janë parti të ekstremit të djathtë me vokacion të deklaruar antiemigrant. Për të frenuar këtë valë, edhe partitë tradicionale po detyrohen ti përshtaten frymës refraktare ndaj të huajve, që është në modë. Kjo pasqyrohet edhe në frymën e organeve ligjzbatuese dhe popullsisë. Vetëm në greqi, në 27 vite emigracion, janë vrarë 170 emigrantë të identifikuar, nga të cilët 93 nga policia.

Skenat e përzënies së familjeve shqiptare në Francë janë bërë mediatike. Por kjo nuk ndryshon asgjë. Shqiptarët vazhdojnë të kenë dëshirën për të ikur. Ndoshta janë bërë më selektivë në zgjedhjen e vendeve që kanë si objektiv, por rrjedha nuk ndalet. Nëse deri dje ishin viktima të skafistëve, sot janë të rrjeteve të trafikimit të sofistikuara. Kush e ka fajin: Klasa politike? Patjetër që ajo ka pjesën e saj. Por ngjan se është edhe një lloj sëmundjeje kombëtare që ka mbijetuar në shekuj të cilës duhet ti gjendet patjetër kura. Përndryshe do të jemi gjithmonë një maternitet që prodhon krahë pune për tregun evropian, por asnjëherë përfitues të fuqisë dhe inteligjencës tonë.

Komentoni