Emigrantët shqiptarë dhe plagët e tyre

 Nga Dritan-Hila/ Editorial i Emisionit ‘Arena’

Një milion e gjysmë të emigruar, e bëjnë Shqipërinë një ndër tri vendet e para në historinë botërore të largimeve në raport me popullsinë. Në shekullin e 19-të e njohën irlandezët dhe suedezët. Më tepër se kaq, popullsitë janë gjymtuar nga epidemitë. As luftërat nuk kanë sjellë të tillë shpopullim të një territori.

Shqiptarët kanë pasur një hemorragji që nuk ndalet. Herë  me letra si në rastin e lotarisë amerikane, e herë pa zhurme si eksodet drejt Italisë dhe Greqisë. Ku jo pak herq fatkeqët përfundonin në thellësitë e Otrantos, ose nën plumbat e policisë greke.

Rasti i fundit i Kostandin Kacifës solli në vëmendjen e publikut sjelljen e organeve të rendit ndaj një personazhi, i cili donte të bëhej hero. Po nuk mund të rrime pa cituar se nga plumbat e policisë greke janë me dhjetëra emigrantë të vrarë për shumë më pak gjë: Sepse nuk i ndaluan policisë, sepse kërkonin rrogën, apo thjesht për kënaqësi. Qasja e shtetit grek ndaj ekzekutorëve të fatkeqëve ka arritur deri në raste cinizmi, duke dënuar policët Kunapaqis, Rigas dhe Karajanidhis vetëm me vlerën e plumbave të harxhuar për të vrarë shqiptarët. Ndoshta ka ardhur koha që të shkuarës t’i vihet kapak.

LEXO DHE :  Policia aksion për ta arrestuar, zhduket Nikolla Gruevski

Por nuk duhet harruar që të mos përsëritet: Ilia Kareli, vdekur në burgjet greke nga dhuna policore. Flamur Pisli, i papaguar, i poshtëruar, i ndjekur si kafshë e egër, për të rënë në fund pre e paaftësisë së policisë shqiptare. Gramoz Palushi, i therur me thikë vetëm pse mbante një flamur shqiptar. Melsi dhe Klevis Çollaku, të vrarë ndërsa peshkonin.

Saga e shqiptarëve për një jetë më të mirë ka viktimat e saj. Të mbyturit e katerit të Rades janë disa dhjetëra, nga mijëra që si varr kanë ujërat e Adriatikut dhe Jonit. Nga të plagosurit dhe invalidët: Afrim Salla, 14 vjeç mbeti i paralizuar përjetë nga plumbi i kufitarëve grekë; Ferhat Caka, 68 vjeç, qëlluar me gjakftohtësi nga kufitarët grekë pas dorëzimit; Ligor Halili; Arjan Hodi;  Refat Tafili, janë vetëm disa nga emrat e njerëzve të keqtrajtuar në mënyrë shtazarake vetëm se ishin shqiptarë.  Lista e varrezës shqiptare të emigracionit është e gjatë. Ajo e invalidëve akoma dhe më shumë. Le të jetë rasti i Kostandin Kacifës, ai që grekët të kuptojnë se sa dhemb një jetë e humbur, qoftë edhe me faj dhe të kuptojnë se sa dhimbje i kanë shkaktuar fqinjëve të tyre./dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.