Nga viti 1991 deri në vitin 2000, Niki Varvakula, një përkthyese e autorizuar e Gjykatës së Selanikut kishte përgatitur me dhjetëra dosje shqiptarësh që ishin dënuar nga përkthimet e saj. Të dëmtuarit kishin bërë ankesë për parregullsi në proces, por askush nuk ishte shqetësuar. Në vitin 2003 gazetarja, Rudina Xhunga në një intervistë surprizë bërë zonjës në fjalë, zbulon se Niki Varvakula nuk dinte asnjë fjalë shqip. Me dhjetëra shqiptarë, ndërkohe vuanin dënimin në burgjet greke. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ankohet homologut të tij grek, Jorgos Kaminis, por e vetmja masë që mori shteti grek, ishte pushimi i përkthyeses nga puna. Ndërkohë asnjë proces për shqiptarët e dënuar në bazë të përkthimeve të këtij individi nuk u rigjykua. Përkundrazi, hoqën nga puna edhe shqiptarin që e kishte denoncuar dhe punonte në të njëjtën gjykatë.
Rastet e përfaqësimit të keq ligjor nga avokatët e huaj, nuk kanë gjetur përgjigje nga shteti shqiptar. Ambasadat apo konsullatat shqiptare nuk kanë avokatët e tyre të besuar. Diplomatët me formim juridik janë pothuajse inekzistente. Nuk ekziston një libër i emigracionit dhe as një listë e të burgosurve në burgjet e mbarë botës. Shërbimet diplomatike janë në gjendje të mjerueshme dhe më shumë janë streha kushërinjsh sesa shërbime të specializuara në ndihmë të taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë ata që paguajnë kostot, janë ata që edhe mbështesin më shumë ekonominë shqiptare: emigrantët./dritare.net