Eliasi nga Berati

19 Tetor 2015

 

-Albanian Stories

 

Nga Rudina Xhunga

 

Kristi ishte 5 vjeç, kur u fiksua pas kapeles se policit të babait. Profesioni i nënës,  mësuese fizkuture, nuk e tërhiqte. Të katërt bashkë më vëllain më të madh, jetonin në një apartament, një dhomë e kuzhinë në Berat.

 

Fëmijë i ’90, u rrit si gjithë brezi i tij, nga piramidat, te piramidat. Një mesatare 9.7 në gjimnaz, nuk e ndihmoi dot për të shkuar te ëndrra e adoleshencës, Juridiku. Por nuk hoqi dorë. Njëra rrogë e familjes, u hoq mënjanë për të çuar djalin, në Tiranë, në Universitet privat.

 

Vetëm shkollohu, do ia dalim, me një rrogë, ishte porosia e çdo kthimi në shtëpi. Dhe dukej se do ia dilte, derisa Universiteti u mbyll, pa lajmëruar. Thjesht u mbyll.

 

Ndërkohë, në pritje për të gjetur një ide, si të shkonte në një tjetër Fakultet Juridiku, nisi të punojë kudo kërkohej një djalë, që njihte mirë internetin. Nuk mori dot asnjë rrogë. E mbanin në provë dhe çunat e provës nuk paguhen. Nga një provë te tjetra, vendosi të shkojë atje ku shkojnë të gjithë; në Gjermani. Në fillim do të punonte dhe pastaj do të vazhdonte Juridikun.

 

Kështu e njoha, në FB, kur më shkroi a isha e interesuar të blija video dhe foto nga jeta në azil. Shkruajnë shumë, por më ngacmoi shprehja e tij; – udhëtimi im i ngjan Eliasit, te filmi “Tre metra mbi qiell”. E kam parë edhe unë atë film.

 

Me fytyrën e Eliasit, që ruante xhupin, mos ia vidhnin në kamp, erdhi të më takojë Kristi. I ndrojtur, por i qartë, për të më shitur pamjet, ku kishte dokumentuar qëndrimin, pasi donte të shlyente borxhin e prindërve.

 

Nuk e kishin përzënë nga Gjermania. Kishte ikur vetë.

 

Fati iu përcaktua qysh në Durrës, atë natë, kur nuk pranoi t’i jepte policit, 50 euro, siç bënin të gjithë, poshtë dorës. I tregoi pasaportën, paratë që kishte me vete dhe të drejtën e tij, si qytetar shqiptar për të udhëtuar lirisht. Dhe ai e lejoi, të shkojë drejt fatit. Që e priti, pas shumë trenave e autobuzëve, në një kamp në Trier të Gjermanisë.

 

Atje gjendja ishte katastrofë, tregon Kristi. Njerëzit rrinin në rrugë, nëpër shkallë e korridore, në radhë për regjistrimin fillestar, pastaj na dhanë një fletë blu, që të kishe të drejtë të merrje bukën në kamp; dy panine, një konservë peshku, një qepë, ky ishte racioni i parë në Gjermani. Pastaj mua dhe disa të tjerë na çuan në restorant. U gëzuam, se kujtuam që do të hanim, por restoranti ishte për të fjetur. Na dhanë dyshekë të pistë e batanije me erë. U zura me rojet, duke i pyetur kush mban përgjegjësi, nëse një njeri vdes në kushte të tilla. Askush tha ai, – nëse një njeri vdes, thjesht e varrosim. Ajo fjalë më vrau shumë, por më ktheu me këmbë në tokë. Një ditë u preka edhe më keq, kur më doli gjumi herët dhe pashë të hapte derën një zonjë gjermane, që shtyu me këmbë, një grua që flinte, aty afër meje, në korridor, me fëmijën një vjeç mbi gjoks. Mos më lini, këtu përtokë, kam fëmijën e vogël, – tha gruaja. Pse, mos do të flesh te zyra ime, -ia ktheu gjermania.

 

Atë ditë vendosa të kthehem në Shqipëri. Kërkova pasaportën. Më thanë nuk është në këtë kamp, por në vendin ku u paraqita për herë të parë. Kërkova rajonin më të afërt të policisë. Aty më nxorrën përjashta. Një roje gjerman, më përplasi në fytyrë derën elektronike; largohu, ik që këtu,- tha ai, -nuk e kemi ne pasaportën. Ik, shko, ku të duash! Hipa në autobus, i dërrmuar. Kur shoferi tha, stacioni fundit, kuptova që kishte qenë autobusi i gabuar. Kishim udhëuar një orë e gjysmë, po nuk e kisha kuptuar. Kam qarë. Doja vetëm të ikja. Unë nuk jam një djalë i përkedhelur. Jam rritur me vështirësi, por i urrej padrejtësitë. Nuk futem në sherre, po atë burrë që më kishte përplasur derën në fytyrë, pa më sqaruar ku të shkoja, do të doja ta kisha rrahur. Autobusi më kishte lënë në një rrugë pa rrugë, mes dy pyjeve. Aty kalonte hekurudha dhe mendova të pres një tren, kudo të më çonte.  Isha vetëm dhe dëgjoja ulërima kafshësh, afër. Kisha ëndërruar Gjermaninë dhe do përfundoja i shqyer nga kafshët e egra, nëse nuk kalonte një tren, afër mesnatës. Ia dola të kthehem në Trier, në orën 8 të mëngjesit. Aty nisi nga e para, rradhë për bukë, rradhë për banjë, radhë për te sporteli i ankesave, ku unë kërkoja informacion për pasaportën time. Gjermanët janë të fortë ekonomikisht, por nga vlerat njerëzore janë zero. Nuk mbaj mend të kem takuar asnjë njeri të mirë, akush nuk më trajtoi si njeri. Mbase dhe nuk mundeshin, 3000 vetë në një kamp, nuk na e kishin borxh. Por mund të ishin më humanë. Nuk dinin.

 

Lëre pastaj kur erdhën sirianët. Ata qenë më mirë se ne. Kishte prej tyre që të nxirrnin shuka me lekë, kur blinin jashtë kampit. Por vinin nga lufta. Dhe qenë zhurmaxhinj, faleshin gjithë ditën, rrihnin gratë, njëri i preu kokën së shoqes.

 

Pastaj bënin protesta me pankarta; Mos mbani me hatër shqiptarët! Shqiptarët janë të këqinj. Në të vërtetë, shqiptarët nuk ia përtonin t’i shtronin në dru, kur vinte puna për sherr. Sa grushta kam parë, sa gjak e ulërima. Po mësohesh me të gjitha. Nuk të bën asgjë përshtypje. Ja, tani që jam këtu, mendoj të bëj lekë, t’u kthej prindërve borxhin që e kanë marrë borxh, dhe të iki prapë.

 

Ku, këtë herë i them? Në Gjermani, ku tjetër, përgjigjet serbes. Do aplikoj këtë herë dhe do të shkoj sërish. Po kur ishte aq keq i them e çuditur, ku do të kthehesh?

 

Po ç’të bëj,- thotë Kristi me atë vështrimin bosh. Atje të trajtojnë keq, po kur të mbajnë me bukë. Kur ke punën tënde, je i barabartë. Këtu, ku të punoj? Edhe takimin me ty, e lashë në një kafe mes një llotoje dhe një llotoje. Nuk e kisha vënë re. Por, mes dy llotove, qe vërtet bari, ku takova Eliasin nga Berati.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.