Ekskluzive/ Romeoja i “San Romeos” së Vlorës
Dritare.net
Të paktë janë shqiptarët që nuk e kanë dëgjuar shprehjen “Bari është si Durrësi”. Ka në të, shpërfillje, por edhe afrimitet. Në realitet, jugu i Italisë është shumë i ngjashëm me ne. Por edhe me ndryshime që janë jo pak. E gjithë Pulja, krahina që kemi përballë e cila ka një sipërfaqe dhe popullsi pothuajse sa e gjithë Shqipëria, nuk ka ujë. Gojëdhënat thonë se dikur puljezët e ndërronin një bucelë me verë ose me vaj ulliri, me një bucelë me ujë. Deri në ditët e vona verërat e tyre ishin të panjohura, dhe ia merrte veriu i pasur për pak lireta e pasi i shkartiste me verërat e tij me emër, i shiste në gjithë botën. Kjo deri para viteve ’90. Pas këtyre viteve, fshatarët e rajonit filluan të bëheshin më të zotë në tregun e madh. Sot Pulja është një ndër prodhueset më të mëdha të grurit për pasta, të verërave të forta, të vajit të ullirit, dhe të domateve për sugot e famshme italiane.
Ndërkohë disa dhjetëra kilometra përballë është një zonë e cila është më e pasur se Pulja për resurse natyrore. Ka fushë të begatë dhe nën ujë, ka kodra të buta si të Toskanës, ka erëra të ngrohta që i fryjnë në luginat e saj dhe ka ujë me bollëk. Është ultësira jonë perëndimore. E megjithatë mangësitë tona nuk vijnë vetëm nga marketingu i dobët i produkteve, por edhe nga mungesa e standarteve dhe ajo e cilësisë, pa harruar prodhimin ekstensiv, që e bën të pamundur gjetjen e tregjeve të mëdhenj e të pasur.
Këto vështirësi i dinte një djalë që për çudi të origjinës nga vinte ku edhe dashurisë i këndojnë me tërsëllëmë, kishte një emër shekspirian dashnori të zjarrtë. Dhe ashtu si emri që ishte pak ndryshe nga të zakonshmit e zonës, ai i hyri një biznesi të çuditshëm në krahinën e cila shquhet për raki të fortë, mish të pjekur dhe pak fare pak verë, të prodhuar në fshatin e Nartës, e cila ngjan më shumë si uthull. Vendosi të prodhonte verëra cilësore, pikërisht këtu ku e kanë më kollaj të hedhin gunën mbi tela, se t’i shtrohen një punë që kërkon breza të tërë eksperience.
Romeo Tushaj është i brezit ’73. Nga Llakatundi i Vlorës, si shumë moshatarë të tij në vitin ’94 mori rrugën e aventurës tek fqinji përballë, pasagjer i skafeve që ato mote niseshin si taksi nga gjiri i Vlorës. Udhëtimi i tij nuk qe i gjatë. Ndryshe nga shumica e bashkatdhetarëve që preferonin veriun e pasur dhe me mundësi, ai u ndalua në Foxhia. Dhe fati e deshte që të punonte në një kantinë të zonës. Jugu i Italisë në ato kohë sa po fillonte ekspansionin e tij në veri dhe botë. Shtatë vjet ishte eksperienca e Romeos në Itali, deri ditën që vendosi të rikthehej në atdhe dhe të vinte në punë eksperiencën që kishte fituar.
Por vështirësitë sapo kishin filluar. Kush ka punuar në këtë profesion, e di që paratë janë vetëm një ndër problemet. Paratë u tretën si kripa në ujë menjëherë pasi ndërtoi kantinën e vogël. Problemi i dytë ishin marrëdhëniet kontraktuale me fshatarët e zonës dhe bindja e tyre të mbillnin varietetet e përshtatshme të rrushit. Por edhe pas kapërcimit të kësaj pengese, duhej luftuar me mentalitetin e zonws. Prodhuesit e rrushit per të ruajtur bistakët nga prishja i spërkasnin mbi shtatë herë në vit, ndërkohë që një verë e mirë kërkon që rrushi të jetë spërkatur jo më shumë se katër herë. Vështirësia për të thyer mentalitetin e shtynë Romeon që të blejë dy hektarë tokë. Ndërkohë që shteti dhe bankat nuk njohin kredi për aktivitete të tilla si bujqësia, ku investimi fillon dhe lulëzon pas katër ose pesë vjetësh.
Ambalazhi është një tjetër problematikë e cila ul konkurueshmërinë e prodhuesve shqiptarë. Ai kushton shtrenjtë për ta, pasi janë të vegjël krahasuar me fqinjët e mëdhenj dhe që subvencionohen nga shteti, ndaj nuk janë në gjendje të marrin çmime favorizuese pranë prodhuesve të shisheve.
Paragjykimi ishte një tjetër mentalitet që duhej thyer. Verërat shqiptare edhe kur ia dalin të jenë të mira, kanë probleme me aciditetin. Romeoja e kishte mësuar sekretin e heqjes së tij.
Por prapw, paragjykimet janë të vështira të thyhen. Aq më shumë që duhet ta bëjë vetë, derë më derë, lokal më lokal. Dhe si të mos mjaftonte kjo, akcizat e miratuara së fundmi, e penalizojnë rëndshëm aktivitetin e prodhuesve shqiptarë të pijeve alkolike.
Romeo është një ndër ata shqiptarë që po përpiqen të ngrenë një sipërmarrje e cila duhet të jetë baza e ekonomisë shqiptare. Në këtë aventurë të tyre ata nuk i ndihmon askush. Kur e pyeta nëse të është gjendur ndokush pranë, më tregoi se përveç një kredie lehtësuese të marrë nga JICA (Agjensia Ndërkombëtare Japoneze për Kooperim), e cila nuk mjaftonte as për një depozitë inoksi, të gjitha të tjerat i është dashur t’i përballojë vetë. Sot, ai ka një prodhim i cili arrin diku tek 10.000 shishe në vit. Vera e kuqe nuk i le asgjë mangut verërave të jugut italian. Të plota, aromatike dhe të forta, janë ideale për shijet tona. Sa i takon verës së bardhë, është ndër më të mirat, e krahasuar edhe me ato italiane. Shardoneja e tij kishte aromën e frutave të pyllit dhe mund të pije një shishe me një frymë. Roseja ishte ideale për këtë behar të nxehtë, ndërsa rakia, nuk ka nevojë për përshkrim. Aty nuk na e ha qeni shkopin ne shqiptarëve.
Provojeni prodhimin e Romeos. Quhet “San Romeo”. Telefoni i tij është 0693492481. Dhe nuk do të mbeteni të zhgënjyer./dritare.net