Ekskluzive/ Ilir Kanini, 42 vitet e mësuesit që Rama i uroi pensionin
Dritare.net
I ka mbetur akoma një "ves" nga koha e punës. Ka mbërritur më herët në takim edhe pse erdha pak minuta para orarit të paracaktuar. Profesioni ia ka lënë dhuratë energjinë dhe vullnetin për t’u zgjuar gjithmonë herët dhe për të ardhur para të gjithëve.
Për 42 vite me radhë ai nuk iu nda punës, duke iu dedikuar plotësisht arsimit, shkrimit dhe gazetarisë.
Ky është mësuesi 65-vjeçar i cili e ka emrin në historikun e Ministrisë së Arsimit dhe të arsimit shqiptar.
I lindur dhe i arsimuar në Tiranë si mësues historie, Ilir Kanini është shembulli i mësuesit në shërbim të mësuesisë.
Ai tregon se fill pas diplomimit e emëruan mësues në një fshat të thellë të Lezhës, ku për katër vite ndoqi me përkushtim detyrat e tij ndonëse larg familjes.
Lezha ishte vendi nga ku u largua me dy dekorata lavdërimi për shkrimet dhe punën, por edhe vendi ku njohu Marian, shoqen dhe gruan e jetës së tij.
Me të ardhur në Tiranë Iliri u emërua si redaktor në gazetën e përjavshme “Mësuesi” (gazetë ë Ministrisë së Arsimit), periudhë në të cilën u bë baba i dy djemve.
Ai tregon se me rënien e sistemit komunist në vend kishte pasiguri të mëdha në lidhje me punën, por megjithatë Iliri nuk u tremb nga vështirësitë. Ky ishte momenti në të cilin ai u emërua si kryeredaktor në të njëjtën gazetë.
Ka kaluar aty vitet më të bukura të jetës së tij, njëkohësisht vite në të cilat ka punuar me zell i etur për dije dhe gjithmonë me besimin se arsimi do të përparojë në vendin tonë.
“Gazeta ‘Mësuesi’ përmbante shkrime për arsimin, shkollat, kushtet, mësuesinë. Sigurisht kishte kritika dhe akuza si p.sh, që shkruante në favor të qeverive, por në fakt synimi ynë ishte të shkruanim jo për çfarë nuk ishte bërë, por për atë që po bëhej, sepse aty po ndërtohej diçka; Po zhvilloheshin tekstet, shkollat, programet, dhe qëllimi jonë ishte t’ju tregonim njerëzve se edhe këtu arsimi po merrte zhvillim.”
Kjo gazetë nuk ka qenë thjesht një punë për të, ajo ka qenë pjesë e jetës së tij të cilës siç tregon i është përkushtuar ‘me mish e shpirt’.
“Më kujtohet dita që vdiq im atë, nëna më dërgoi të lajmëroja të gjithë të afërmit. Pasi kreva porosinë shkova në redaksi për të mbaruar shkrimet që nuk mund t’ia lija askujt tjetër. Në momentin që do ikja erdhi makina me letrat e printit, dhe nëse nuk i sistemoja të gjitha brenda, mund të na i merrnin sepse ishin kohë trazirash, në vitet pas ’90. Kam mbaruar të gjithë punët pastaj ika në shtëpi për të qarë tim atë”.
Gazeta “Mësuesi” u mbyll në vitin 2003, dhe për Ilirin ky është pengu më i madh.
“Më erdhi vërtet keq që u mbyll ajo gazetë sepse un kam punuar fort për ta mbajtur. Madje e kam mbajtur si gazetë edhe për një vit tjetër ndërkohë që më emëruan si inspektor të arsimit. Shkruaja çdo fundjavë dhe botonim letrat që dërgonin në adresën tonë, por normalisht ishte e kushtueshme dhe nuk mund ta mbaja gjithmonë. Por ishte një gazetë që i duhet njerëzve e sidomos asaj pjese që e do arsimin”.
Që prej asaj kohe Iliri ka vazhduar të punojë në Ministrinë e Arsimit si specialist i inspektimit dhe i monitorimit nëpër shkolla.
“Nuk kam pasur frikë të them atë që mendoja edhe kur e dija që mund të më pushonin, përkundrazi ju kam shprehur eprorëve të mi të gjitha ato që mendoja se nuk shkonin siç duhej, dhe më vjen mirë që më kanë dëgjuar dhe nuk ka pasur qejfmbetje”.
Ai arriti tu injektonte fëmijëve të tij dashurinë për tu arsimuar, dëshirën për tu bërë dikush dhe pasionin për të qenë i përkushtuar në punë; i orientoi ata se në çfarë profili të vazhdonin dhe zgjodhi që të arsimoheshin brenda vendit sepse besoi fort në cilësinë e arsimit tonë.
“Dy djemtë e mi sot kanë rrugët e tyre, janë të shkolluar, të punësuar, dhe jam i kënaqur që në krijimin e personalitetit të tyre, në atë që ata janë bërë sot kam qenë udhëheqës, sidomos kur në kohët e sotme është mjaft e vështirë për të rinjtë t’i mbijetojnë konkurrencës, sistemit dhe vështirësive të tjera ”.
Iliri mbylli eksperiencën e tij 42 vjeçare me një surprizë të veçantë në ditën e fundit të punës. Kryeministri Edi Rama e vizitoi pa lajmëruar Ministrinë e Arsimit dhe së bashku me ministren e arsimit e kolegë të tjerë trokitën në zyrën e Ilirit për ti uruar ditëlindjen që përkonte me këtë ditë, dhe për ta përgëzuar për punën e palodhur, korrekte dhe profesionale.
“Ma punuan,-thotë duke qeshur, e mendova se do të më kishin përgatitur diçka por nuk më shkonte kurrë në mendje se do të vinte vetë kryeministri të më uronte daljen në pension. Ishte një vlerësim që më emocionoi dhe nuk mbaj mend as se çfarë thashë për t’i falënderuar”.
Ai shprehet se nuk do të jetë e lehtë për t’u mësuar me daljen në pension sepse në gjithë këto vite nuk mori kurrë raport, megjithatë është i lumtur që e mbylli me sukses karrierën e tij duke dhënë shembullin e një njeriu që e do punën, familjen dhe vendin e vet.
Ka ende njerëz si Ilir Kanini dhe ka sërish shkrime për ta. Sepse e mira nuk del kurrë nga moda. /dritare.net