Ekskluzive/ Herda, shqiptarja e Harvardit që ju tregon si të studioni në Universitetin e Ëndrrës
Dritare.net
Nga Dritare.net
Herda Xhaferaj për momentin ka bërë krenarë vetem dy prindërit e saj, por një ditë, mund të na bëjë krenarë të gjithëve. Sepse është një premtim suksesi. Është një bukuroshe që ka ç'të të mësojë, tregojë e frymëzojë.
Herda është 22 vjeç dhe studion në Harvard.
Është një vajzë pozitive, me një dëshirë të madhe për të mësuar dhe pasion për edukimin, sa realiste aq edhe ambicioze e humane.
“Gjithmonë ndjehem sikur nuk kam bërë mjaftueshëm, prandaj nuk besoj se do ndjehem ndonjeherë e plotësuar. Dua që çdo ditë të përmbush diçka të mirë.”
Në një intervistë për dritare.net, Herda tregon rrugëtimin e saj nga Durrësi, në Mostar e tashmë në Boston, ndikimn e familjes dhe aktivitetet në Shqipëri.
Vajza nga Durrësi, këtë verë do të organizojë një panel me femrat e suksesshme shqiptare, qëllimi i vetëm është që nxënësit shqiptarë të inspirohen.
“Këtë verë mendoj të organizoj një panel me femra të ndryshme që janë në karrierë ose që kanë bërë një ndryshim për Shqipërinë, të flasin për eksperiencat e tyre para nxënësve shqiptarë. Në mënyrë që kjo të shërbejë jo vetëm si një panel inspirues dhe ndihmues, por edhe si një eveniment ku njerëzit të kenë mundësinë të takojnë njëri-tjetrin.”
22 vjeçarja ka ndërruar disa shkolla dhe arsyeja ka qenë dëshira për t'u edukuar në shkollat më të mira. Herda tregon për dritare.net se edhe shtysa nga familja ka ndikuar, pasi shkollat në Shqipëri linin shumë për të dëshiruar.
“Në fillim kam qenë në një shkollë italiane në Durrës, më pas shkova te kolegji Turk, ndërkohë vitin e parë të gjimnazit e bëra në shkollën publike Gjergj Kastrioti. Më tepër ka qenë mamaja ime që më ka shtyrë të aplikoja në United World College, merrte informacione, e kërkonte të zbulonte më tepër. Aplikova në 2011, u pranova në Mostar, Bosnje.
Sapo u pranova na erdhi një email nga shkolla që thoshte “shijojeni këtë verë para se të vini, pasi është hera e fundit që trurin dhe zemrën e keni në të njëjtin vend.” Këtë e kam ndjerë dhe tani që jam në Harvard. Ndjehem shumë e rrënjosur në Shqipëri dhe sa herë kthehem jam shumë e lumtur që vij, por sigurisht që mendjen e kam andej. Pastaj kur e kam mendjen këtu, zemrën e kam me shoqet dhe shokët që kam krijuar jashtë.”
Herda ishte vetëm 16 vjeç kur u largua nga Shqipëria drejt një vendi të huaj, për tu përballur me një ambjent të ri dhe njerëz nga vende të ndryshme të botës. Një adoleshente me energji pozitive, dëshira e pasione për të bërë gjëra më të mira, tipare që e karakterizojnë Herdën edhe sot. Për të United World College ishte një eksperiencë që i ka hapur mendjen.
“Përvoja në Mostar ishte unike, mësova shumë gjëra të reja, u njoha me njerëz të ndryshëm, ishte nje eksperiencë që më bëri një njeri më të mirë.
Në shkollë i jepnin shumë rëndësi angazhimeve sociale, në këtë mënyrë gjatë kohës që isha në Mostar, punova në një kamp refugjatësh, pata eksperienca me Model United Nations, të cilat i vazhdoj edhe tani që jam në Harvard.
Duke qenë se Shqipëria është një vend në zhvillim, angazhimi social ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Unë në Shqipëri kam jetuar vetëm në Durrës, por besoj se e njëjta situatë është edhe në qytetet e tjera, ku njerëzit janë të rrethuar nga probleme të ndryshme sociale. Besoj se kjo është një pjesë që nuk do të largohet nga unë.”
Pas dy vjetësh, Herda duhej të aplikonte për të vazhduar studimet e larta dhe sigurisht që pritshmëritë që kishte nga vetja ishin të mëdha. Synonte universitet prestigjoze në Amerikë dhe me një vendosmëri admiruese, Herda aplikon në Harvard, sepse e dinte që ky ishte edukimi që donte të merrte.
“Gjëja më e mirë e shkollës UWC, në Mostar ishte që ne kishim informacion, secili student kishte këshilltarët të cilët na rekomandonin shkolla të ndryshme ku ne mund të aplikonim. Unë aplikova në gjashtë shkolla Ivy League dhe dy shkolla të tjera, u pranova në shumë prej tyre. Duhet ta pranoj që nuk e prisja një rezultat të tillë, por kam qenë e vendosur. Gjithmonë thosha që nëse nuk pranohem, do të bëj një vit pushim, do të mësoj gjëra të reja dhe do të aplikoj përsëri në këto shkolla, sepse isha e bindur që ky ishte edukimi që unë doja të merrja.
Kalimi nga Bosnja për në Amerikë nuk ishte shumë i vështirë, në krahasim me shoqet e mia të cilat e kishin për herë të parë. Unë tashmë isha mësuar të haja në mencë, të ndaja dhomën me një shoqe. Çdo problem të fillimit, që të gjithë studentët i hasin kur largohen nga shtëpitë e tyre, unë i kisha kaluar.
Problemi më i madh ishte sesi të navigoja në një universtitet që të ofron kaq shumë mundësi, si mund të merrja më të mirën nga Harvard.”
Natyra kurioze e Herdës e bën të kërkoj të marr më të mirën nga çdo eksperiencë. Për të Harvard nuk do të thotë vetëm një shkollë prestigjoze por një oaz frymëzimi.
“Deri tani kam përfituar shumë nga Harvard, përveç gjithë njohurive të marra nga profesor që kanë bërë ndryshime në subjektet respektive. Kur sheh artikujt e tyre në gazeta dhe të nesërmen mund t’i bësh pyetje, pasi ata janë shumë të hapur dhe interaktiviteti është shumë i madh.
Ajo që është më e veçanta është inspirimi që unë kam marr nga Harvard. Njerëzit që të rrethojnë janë shumë kuriozë, me shumë dëshirë për të mësuar e për të dhënë, të apasionuar dhe gjatë gjithë kohës janë duke bërë gjëra frymëzuese.
Por edhe vetë arkitektura e shkollës të inspiron, sapo hyn në derë shkruhet “Enter to grow in wisdom” (hyr që të rritesh në njohuri), ndërkohë dera e daljes “Depart to serve better thy country and thy kind” (dil nga kjo shkollë për t’i shërbyer më mirë vendit tënd dhe njerëzve). Për mua nuk është thjesht një shkollë, është më shumë se kaq.”
Dita e Herdës në Harvard është e mbushur me aktivitete, ku përveç angazhimeve mësimore, 22 vjeçarja është pjesë e aktiviteteve jashtëshkollore. Një prej tyre është "Strong Women, Strong Girls."
“Nëpërmjet këtij programi ne shkojmë në zona jo të priviligjuara të Boston dhe japim mësim për vajza të vogla që kanë probleme në familje, e për këtë arsye nuk kanë kujdesin që ju nevojitet. Jam pjesë edhe e konferencës së Harvard Model United Nations.”
Herda studion për Qeverisje në Harvard dhe arsyeja përse ka zgjedhur këtë degë ka qenë dëshira për të bërë ndryshime në vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria.
“Arsyeja pse zgjodha degën e qeverisjes ka qenë e ndikuar nga formimi im, duke qenë se unë jam rritur në një vend në zhvillim dhe shkollimi në Bosnje. Interesat e mia janë pikërisht në këto vende në zhvillim dhe unë mendoj se ndryshimi vjen nga lart-poshtë. Është shumë e rëndësishme të mësosh qeverisjen për të bërë një ndryshim dhe kjo është ajo çka unë dua të bëj për vendet në zhvillim, pse jo dhe për Shqipërinë.
Mendoj se në Shqipëri ka shumë probleme, një prej tyre është korrupsioni. Duke qenë e hapur në politikë, korrupsioni implemetohet edhe në fusha të tjera dhe duket sikur është bërë pjesë e Shqipërisë. Kur vij këtu që bisedoj me miqtë e mi apo edhe njerëz të tjerë, vë re që ka një mungesë shumë të madhe besimi. Edhe nëse bëhen ndryshime, njerëzit janë shumë skeptikë për ndryshimin. Në Amerike, kur njerëzit shkojnë në spital, kanë besim te doktorët apo nëse shkojnë në gjykatë, kanë besim se këta njerëz po përpiqen të bëjnë më të mirën për popullin e jo për veten.
Për të ndryshuar këtë gjendje, duhet të mobilizohemi të gjithë."
Për 22 vjeçaren një problem shumë i madh i shkollave në Shqipëri është mungesa e informacionit, që i privon mundësitë e nxënësve për tu shkolluar jashtë.
“Unë diplomohem në maj dhe po shoh për vende pune jashtë Amerikës. Mendoj se në vendet si Shqipëria, ndryshimet që bëhen janë shumë të prekshme dhe një punë që mund të bësh, sjell impakt real në jetën e njerëzve. Për këtë arsye edhe kthimin në Shqipëri nuk e përjashtoj.
Nëse do të kthehesha në Shqipëri, do të krijoja një sistem informacioni për nxënësit në Shqipëri. Unë këtë gjë e kam bërë edhe pse në një shkallë më të vogël, në disa shkolla në Durrës. Para disa kohësh shkova në gjimnazet e qytetit dhe fola me nxënësit, i tregova për mundësitë që ofrojnë shtete të ndryshme për arsim.
Qëllimi ishte t’i inkurajoja për të provuar e të aplikonin, që të mos stepeshin pasi mendonin mundësitë ekonomike. Kjo është e gabuar pasi këto shkolla të ofrojnë shumë mundësi, nëpërmjet bursave dhe në këtë mënyrë shkollimi të shkon relativisht lirë. Nuk është aspak e vërtetë që për të shkuar në Harvard duhet të jesh i pasur. Mjafton të kesh dëshirën, informacionet e duhura për të aplikuar dhe mund të marrësh bursën, unë jam me bursë të plotë. Për këtë arsye çdo vit mundohem të ndihmoj nxënës që të vazhdojnë studimet në Amerikë.
Për Herdën është e rëndësishme që të bëhen ndryshime, edhe pse mund të preken pak persona, njerëzit duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të bëhet më humane./dritare.net