Ekskluzive/ Drita, piktorja e ngjyrave: Malli për vendlindjen më bëri piktore
Dritare.net
Nga Dritare.net
Ajo quhet Drita Kryeziu, ka realizuar mbi 300 piktura dhe dashuron natyrën e të bukurën. Për të çdo pikturë është një kujtim për vendlindjen e saj dhe shqiptarët.
45 vjeçarja ka lindur në Likofc të Skenderajt në Drenicë, por prej 21 vjetësh jeton në Austri së bashku me katër fëmijët dhe bashkëshortin, i cili gjithashtu është piktor.
Ja çfarë tregon Drita për dritare.net:
Dritare.net- Si është një ditë për Dritën dhe kur është momenti më i mirë për të pikturuar?
Dita ime fillon me përgatitjen e mëngjesit për familjarët. Më pas kryej punët e shtëpisë, pastaj përgatis drekën. Është kjo koha kur unë pikturoj disa orë deri sa vjen koha për përgatitjen e darkës. Pas darkës lexoj librat e mi të preferuar dhe shkruaj poezi. Tashmë kjo prej kohësh është rutina ime.
Dritare.net- Ju keni mbaruar shkollën për pikturë apo është një pasion i juaji? Kur keni nisur të pikturoni?
Artin e kam mësuar në shkollën fillore dhe në gjimnaz. Kisha deshirë të studioja për pikturë por shteti serb në atë kohë i mbylli Fakultetet në gjithë Kosovën. Mbasi kam kryer gjimnazin kam pikturuar në shtëpi dhe kam shkruar shumë poezi. Mbas një viti jam martuar. Në vitin 1992 prindrit e mi me motrat e vëllezërit shkuan në Suedi për të jetuar atje. Unë jam martuar në Klinë. Burri im më mori në Austri në vitin 1995. Në Austri, bashkëshorti është piktor si dhe dy vëllezërit e tij.
Nga mërzia që e lashë Kosovën dhe nisa një jetë e re në Austri, fillova punimet e para të artit. Kur vizatoja për mua ishte meditim edhe gëzim.
Dritare.net- Keni një studio ku punoni?
Une jetoj ne Villach dhe punoj ne banesen time.
Dritare.net- Sa piktura keni realizuar dhe a i shisni?
Une kam deri ne 300 piktura dhe i kam shitur disa. Edhe jam e interesuar të shes edhe të tjera.
Dritare.net- Ku do të doni t’i shihni pikturat tuaja?
Unë do të dëshiroja pikturat e mia t’i ndaj me ju në dritare.net. Në të ardhmen jam e interesuar të bëj ekspozita në Shqipëri e në Kosovë dhe në Evropë.
Dritare.net- Çfarë zhanri të pikturës realizoni dhe çfare i karakterizon pikturat tuaja?
Për pikturat e mia ngjyrat edhe kombinimet që bëj me to, përbëjnë veçantinë. Së pari arti im i takon ekspresionizmit. Bukuria e natyrës në përgjithësi më pëlqen shumë dhe mundohem ta paraqes në pikturat e mia aq sa mundem. Është aty ku unë gjej frymëzimin, te ngjyrat dhe ku mund t’i gjesh më mirë sesa te natyra.
Dritare.net- Cilët piktorë ju pëlqejnë shqiptarë dhe të huaj?
Mua më pëlqejnë pikturat e Picassos edhe Vincent van Gogh. Prej piktorëve shqiptarë më pëlqejnë punimet e Muslim Mulliqit edhe Ibrahim Kodrës./dritare.net