Partia Demokratike tani është para një telashi të madh. Duke qenë se thuajse gjithë lidershipi i saj përbëhet nga njerëz pa profil të fortë politik, por që janë aty pikërisht se nuk duhet t’i dinë të gjitha, ata po kthehen në një rrezik serioz për qëllimet e vërteta të Sali Berishës, rreth reformës në drejtësi. Nëse e shikon nga larg Partinë Demokratike dhe ato që ka bërë një ditë më parë në Komisionin për debatin politik rreth reformës, ku pranoi versionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe skemën e votimit për Këshillin e Emërimeve, thua për një moment, se reforma po shkon drejt përfundimit. Vetëm instikti që Berisha nuk e do reformën të mban ende pak gjuhën pezull, për mos ta thënë fjalën e mire, dhe Berisha nuk të zhgënjen në të tilla raste.
Sot qysh në orët e para të mëngjesit, në mbledhjen e grupit parlamentar dhe më pas pas seancës parlamentare, Sali Berisha ka shpërthyer kundër parlamentit aktual, se duhet shpërndarë, duhet bllokuar, nuk duhet lejuar të vazhdojë më tej…etj. Shkaku është gjëja më e parëndësishme që kërkohet në këtë rast, por Berisha ka gjetur Rakip Sulin. Pretendon se ai ka shkelur ligjn e konfliktit të interesit, pasi biznesi i tij ka marrë nje qeramarrës shtetëror brenda ambienteve te veta.
Por kjo ka pak rëndësi. Në mos Rakipi, do dalë Valentina, në mos Valentina, do dalë ndonjë shpikje tjetër. Aq i fortë ishte shpërthimi i Berishës, saqë kur doli nga parlamenti, bëri dhe një sulm të pashembullt ndaj ambasadorit Lu. Ndërsa një gazetare i tha se ambasadori amerikan ka thënë që çështja e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të kalojë bashkë me Reformën, Berisha ja priti: Kush thotë gjëra të tilla, nuk e njeh fare drejtësinë.
Ishte e qartë që i kishte ikur truri. Ishte e qartë se ajo që kishte ndodhur dje në mbasdite, i kishte prishur gjumin dhe duhej zhbërë urgjent. Lulzim Bashën nuk e la as të bënte një rezume për vizitën në SHBA para hyrjes në Kuvend, pasi kishte frikë se mos zbuteshin zemrat e deputetëve nga vizita në SHBA dhe duartrokisnin për reformën.
Lufta e sotme e pakuptimtë në Kuvend dhe shpërthimi i Berishës brenda dhe jashtë sallës, në fakt janë një hakërrim që ka të bëjë me të vetët.
Duke qenë se këta që kanë ngelë në krye të Parisë Demokratike kanë qenë kryesisht nëpunës të Berishës dhe kanë funksionuar duke marrë vetëm urdhra prej tij, kanë një problem tani që quhen politikanë. Në gjithë historinë e tij politike, Berisha ka hyrë në konflikte të mëdha politike, jo se vartësit apo partnerët nuk i kanë bërë atë që ai ka thënë, por se nuk kanë kuptuar çfarë do ai. Kështu e kanë pësuar të gjithë ata që ai ka zbuar nga PD, kështu ka hyrë në konflikt me Alfred Moisun si president, kështu ka hyrë në konflikt me Bamir Topin si president, me Ina Ramën si kryeprokurore etj. Probemi i tij është pikërisht se për gjeste politike, kur ai është në hall, ai nuk do të lërë gjurmë dhe nuk do të japë porosi, por përmes veprimeve të tij, vartësit apo partnerët, duhet të kuptojnë çfarë ai do.
Prandaj Eduard Halimi, Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj duhet të marrin mirë seriozisht videon e Berishës në mbledhjen e grupit parlamentar, në sallën e Kuvendit dhe në sheshin para Kuvendit, për të parë çfarë e ka tërbuar aq shumë atë njeri. E kanë tërbuar pikërisht ata që e përfaqësojnë PD-në në Komisionin për reformën e drejtësisë, dhe që duke ecur me inercinë e procesit, po bëjnë hapa të ‘frikshme’ drejt miratimit të reformës, që do ishte tmerr i Berishës. Dhe për këtë shkak ai sot po hakërrehet me tërbim ndaj Kuvendit, ndaj ekzistencës së tij ndaj reformës, ndaj ambasadorit amerikan, ndaj kujtdo që këtë proces kërkon ta kalojë si normalitet. Eduard, Oerd, Enkelejd…, jeni në telashe!. E di që ju vjen zor ta pyesni se si të silleni, por provoni ta ftoni për një kafe dhe thuajini sa për provë: “Doktor, pavarësisht se ti je pro reformës, ne mendojmë se ky është një krim i rëndë…” Dhe shikoni si do reagojë. Ndoshta e qetësoni dhe shpëtoni dhe ju!/gazetatema.net