Edi Rama: Mu zbardhën flokët si kryeministër, kuptova më mirë vendin tim

Kryeministri shqiptar Edi Rama vizitoi redaksinë e gazetës gjermane, Hamburger Abendblatt, në Hamburg, ku foli mbi synimet në Shqipëri, paragjykimet dhe refugjatët.

Gazeta ka publikuar një artikull mbi këtë vizitë të Ramës dhe bashkëbisedimin e zhvilluar me Kryeministrin në redaksi.

Ky funksion i ka zbardhur flokët e mi“, thotë Edi Rama, Kryeministëri i 12-të i Shqipërisë, i cili e mori detyrën në vitin 2013, shkruan gazeta.

Por ai më ka mësuar ta kuptoj më mirë vendin tim. Shpresoj vetëm që të mos zhgënjej njerëzit. Të gabosh është pjesë e një funksioni të tillë; megjithatë varet nëse këto gabime bëhen qëllimisht apo gabimisht. Unë shpresoj që gabimet e mia t’i përkasin kategorisë së fundit“, ka thënë Rama.

Biografia e këtij njeriu mbresëlënës, vijon gazeta, është ndër më të pazakontat në politikën evropiane: një burrë i fuqishëm, 2.02 metra, dikur pjesëtar i kombëtares shqiptare të basketbollit, ka studiuar për pikturë dhe ka qenë lektor në Akademinë e Arteve. Nga viti 2000 shërbeu për më tepër se një dekadë, si Kryebashkiak i Tiranës. – gjatë kësaj periudhe ai ngjyrosi gjithë fasadat e shtëpive, si për të ngritur moralin e qytetarëve.

Të hënën, Rama ishte në Hamburg ku zhvilloi turin e zakonshëm për një të ftuar të nivelit të lartë dhe më pas vizitoi Hamburger Abendsblatt.
“Askush nuk dëshiron të vijë në Shqipëri, por kushdo që ka qenë një herë atje, dëshiron të kthehet përsëri“, tha Edi Rama.

Shqipëria thotë Rama, në parim ka kaluar nëpër të njëjtin proces të tranzicionit nga një ekonomi socialiste e planifikuar, në ekonominë e tregut, sikundër e ka përjetuar Gjermania Lindore dhe ish vendet e bllokut Lindor. Por me një ndryshim të madh: “Shqipëria ishte një vend tërësisht i izoluar – si nga perëndimi ashtu dhe nga lindja. Ne duhej të stërmundoheshim për të mbijetuar në  këtë izolim total dhe për të vendosur kontakte me Lindjen dhe Perëndimin. Në këto kushte, 25 vitet e fundit në çdo aspekt konsiderohen si mbresëlënëse. E thënë përmbledhur: ndryshime të mëdha, sfida të mëdha, probleme të mëdha”.

Kriza financiare dhe Brexit nuk i kanë dekurajuar shqiptarët nga rruga e tyre në BE. “Vendi ynë nuk është vetëm për Bashkimin Evropian, por identifikon vetveten  me BE-në. Të jemi pjesë e Unionit është një ëndërr, të cilën ne si komb e ushqejmë prej një kohë shumë të gjatë. Asgjë nuk mund ta shkatërrojë këtë ëndërr. “Rruga drejt anëtarësimit në BE i përket elementëve të patjetërsueshëm të modernizimit në Shqipëri”.

Gjithsesi, aktualisht, vendi ballkanik po përjeton një eksod të vërtetë – mbi të gjitha, po largohen të rinjtë. Edi Rama e sheh qetësisht këtë gjë. “Të rinjtë tanë po bëjnë thjesht atë që bëjnë të rinjtë e sotëm në tregun global të punës edhe në vende të tjera. Ata tërhiqen nga Polonia, Bullgaria, Republika Çeke apo Rumania, me synimin për të gjetur një punë më të mirë. Madje dhe të rinjtë nga Italia e Jugut tërhiqen drejt Gjermanisë”.

Ky fenomen nuk duhet konsideruar si specifikisht shqiptar. Një karakteristikë e vecantë se përse shumë shqiptarë kërkojnë azil në Shqipëri është pikërisht sepse lëvizja e tyre e lirë në rrugë normale mbetet e mbyllur. “Një zgjidhje do të ishte mundësia për t’i sjellë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun evropian të punës. Dhe ky do të ishte një treg për më tepër se 500 milion njerëz, që lëvizin të lirë e pa pengesa të mëtejshme”. Natyrshëm që kriza e refugjatëve e ka rënduar këtë efekt migrator. “Është dicka e mirë që në Gjermani është marrë vendimi për të klasifikuar Shqipërinë si vend i sigurt i origjinës – kjo ka sjellë paksa normalitet” – thotë Kryeministri.

LEXO DHE :  Android vjen me ndryshime rrënjësore! Nis t’i ngjasojë iPhone X, por fansat bëjnë çudinë

Faktin që Shqipëria është vendi me kërkesën më të lartë për azil në Hamburg, Rama e komenton me fjalët: “Ata nuk kërkojnë aspak azil, ata kërkojnë punë. Këta njerëz nuk kanë probleme politike në Shqipëri. Ata kërkojnë thjesht një jetë më të mirë dhe shpresojnë të gjejnë një punë këtu”.

Shqipëria po përjeton gjithë problemet e një vendi në proces modernizimi. Teksa pyetet për temën e nxehtë të korrupsionit, Rama thotë se është “Modë e burokracisë” të flasësh për korrupsionin, kur bëhet fjalë për vende të zhvilluara. Korrupsioni është një nga kostot e zhvillimit, për ato sisteme që nuk funksionojnë ende mirë. “Ana e keqe e korrupsionit është kur ai bëhet endemik, pra kur i përket dhe popullsisë. Megjithatë, ky nuk është rasti ynë. Është detyrë e çdo shoqërie demokratike që të zhvillojë imunitet ndaj korrupsionit”.

Ai ndihet krenar për “një vlerë themelore që është bashkëjetesa e besimeve fetare” – thotë katoliku Rama, i cili është i martuar me një myslimane. Kjo është ajo që Papa Françesku e ka quajtur “vëllazëri fetare”. “Ne kemi dhe një traditë, për të cilën krenohemi që është shpëtimi i hebrenjve”.

Shqipëria ishte vendi i vetëm që pas Luftës së Dytë Botërore kishte një numër më të lartë hebrenjsh se sa para saj. “Asnjë hebre nuk ju dorëzua gjermanëve – dhe shpëtuesit ishin kryesisht muslimanë. Më pas ne u drejtuam nga një lloj ferri gjatë epokës komuniste, duke u influencuar nga revolucioni kulturor kinez dhe kështu hodhëm në erë mbi 2400 objekte fetare, si kisha dhe xhamia. 300.000 vepra arti fetare u shkatërruan dhe shumë njerëz u burgosën. Më pas, në fillim të viteve ‘90 përjetuam një rilindje pas rënies së komunizmit. Të krishterët dhe myslimanët ndjenë se i përkisnin Evropës dhe vlerave të saj. Shqipëria ka përjetuar së fundmi sfidën e luftëtarëve të huaj myslimanë, por “ne jemi shprehur kundra tyre me vendosmëri dhe prej vitit 2015 nuk ka më të tillë tek ne”.

Nga pikëpamja turistike, peizazhet e pasura shqiptare janë ende një këshillë sekrete, edhe pse mësymja ka filluar – gjatë këtij viti shifrat e turizmit njohën një rritje me 25 % mbi kapacitetet akomoduese. “Shqipëria ende vuan nga steriotipet” – thotë Kryeministri. Askush nuk dëshiron të vijë në Shqipëri, por kushdo që ka qenë një herë atje, dëshiron të kthehet përsëri”.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.