E rrëmbyen ujërat gjatë natës, shpëtohet i moshuari pas përmbytjeve në Laç
Dritare.net
I moshuari është arritur të shpëtohet, dhe dëmet nga përmbytjet e shiut kanë qenë vetëm materiale.
“Fati i tij. E dëgjuam zhurmën dhe e shpëtuam nga dera mbrapa. Pastaj e çuam në spital, se ambulanca këtu nuk vjen”, tregon Leonard Hidri.
Banorët shprehen se problemet kanë nisur pas ndërtimit të superstradës, pasi përroi i cili grumbullon ujërat e pjesës kodrinore dhe malore të Milotit ka devijuar rrjedhjen normale nga drejtimi për në lumin Mat drejt banesave të ndodhur përbri superstradës.
“Jam veti i tetë në familje dhe jemi përmbytur komplet. Shyqyr që kam nxjerrë fëmijët gjallë, por jemi të mbuluar nga uji deri në fyt”, tregon një banore.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të shumta edhe në Fushë Kuqe, ku veç sipërfaqeve të tëra toke që jane mbuluar nga uji ka pasur dëme edhe tek bizneset e zonës.
Ndërkohë, forca të shumta të Emergjencave Civile dhe ushtrisë janë duke vijuar punën për të pastruar kolektorët dhe rrugët të cilat janë të bllokuar nga inertet e lëna pas nga uji.
Kanali i ujërave të larta, i cili është i mbushur me inerte vazhdon të jetë mbi nivelin normal, ndërsa forcat e ushtrisë vazhdojnë të jenë të dislokuara në Laç.