Një ditë më parë është mbajtur protesta e opozitës së bashkuar, një protestë e cila për nga pjesëmarrja më është dukur si njëra nga më madhështoret që kam ndjekur ndonjëherë, por dje përfundimisht u vërtetua se pjesëmarrja në vendin tonë nuk mjafton.
Pasi sheshi u mbush nga kryeministria e deri tek busti i Skënderbeut, erdhën edhe liderët e partive, ata që morën përsipër të organizojnë protestën, e që qëndruar për ditë te tëra nga njëri qytet në tjetrin duke bërë thirrje për pjesëmarrje.
Unë pashë një protestë të heshtur, një protestë që për dikë mjaftonin numrat, e për dikë tjetër mjaftonte se qytetarët kanë dalë në sheshe.
Nisin të flisnin me radhë, Fatmir Mediu, Dash Shehi, Nard Ndoka, Vangjel Duke e Agron Duka, që për hir të së vërtetës përveçse lexonin ato fjalime, nuk përcillnin asgjë tek protestuesit, nuk përcillnin asgjë që i bënte protestuesit të brohorisnin, por me mungesë të këtyre mesazheve të forta, protestuesit gjenin ngushëllim tek Mona e Berisha, që kur të sipërpërmendurit lexonin fjalimet, turma ulëriste “Mona, Mona” ose “Berisha, Berisha”.
Tani duhet të tregohemi realistë, që nëse duam të arrijmë diçka duhet te punojmë fort për atë gjë, që nga organizimi e deri tek ai qe do të mbajë fjalimet e tek fjalët që ai thotë.
E nëse shumëkush nuk dëshiron të përmend emra, unë do të përmend: Si mund të mbajë me brohoritje një turmë prej mijëra personash, Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Duke?? Sa për Dash Shehin, ai thotë gjëra të goditura, edhe pse me zë të ulët ata që janë afër fonive te zërit e kuptojnë, dhe kur ata ulërasin edhe turma i ndjek ata, edhe pse nuk e kuptojnë çfarë po thotë.
Pas këtyre i erdhi radha edhe Monikës, e cila që në krye te herës tha: Nuk jam këtu si kryetare e një partie, jam këtu si nënë, jam këtu si shqiptare e zhgënjyer nga kjo qeveri.
Monika gabohet kur thotë që del në protestë si nënë, gabohet sepse po të flisnin nënat shqiptare aty turma do të brohoriste dhe revoltohej disa herë më shumë, sepse nënat shqiptare kanë hequr aq shumë në kurrizin e tyre saqë Monika nuk e kupton dot.
Monika nuk mund ta kuptoj dot dhimbjen e nënës sime, po po, pikërisht nënës sime e cila prej plotë 20 vitesh nuk e sheh djalin e saj, qe ka ikur në Angli nga varfëria e nuk ka mundur të kthehet kurrë më. Vetëm nëna ime dhe unë qe e shoh çdo ditë me lot në sy e dimë se çfarë dhimbje ndjenë ajo, Mona nuk mund ta ndjejë dot.
Monika, nuk e ndjenë dot dhimbjen e gruas së xhaxhait tim, qe para 3 vitesh kur Monika ishte në pushtet, e nisi djalin e saj për Angli, por që fatziu u shkrumbua në Francë në përpjekjen e fundit për të siguruar bukën e familjes, Monika nuk mund ta ndjejë dot atë dhimbje shkatërruese, nuk mund ta ndjejë dot.
E sot, unë ngre pyetjen, çdo të bënte turma nëse do të dëgjonte nënën time, dhe gruan e xhaxhait tim aty?
Si do të reagonte turma nëse dëgjojnë fjalët e atyre nënave që Mona mundohet t’i përfaqësojë, por nuk i përfaqëson dot?!
Unë jam i bindur se nëse ata njerëz do i dëgjonin vetëm ata dy nëna, nuk do boshatisnin sheshin për 6 minuta siç e boshatisën pas protestës, por do qëndronin aty, të kërkonin drejtësi sociale.
Pas Monës, fjala i vjen kryetarit të PD, Lulzim Basha qe me fjalën e tij të gjatë dhe me fjalitë e zgjedhura me kujdes, përsëri nuk e ndaloi popullin të ikte me vrap nga protesta pas fjalës së tij.
E ajo që dua të them nuk është se, protesta dështoi apo kishte sukses, as nuk dua ta mendoj atë, sepse nuk është puna ime ajo. Ajo që dua të them është se populli i zhgënjyer do udhëheqës, populli i lodhur e rraskapitur do fjalë që tregojnë realitetin e dhimbshëm shqiptar, jo nga liderët partiak, por nga populli qe po e përjeton në mënyrë të tmerrshme këtë realitet, e as Luli e as Mona, aq më pak Nard Ndoka e Vangjel Dule mundë ta interpretojnë dhimbjen e nënave shqiptare.
Populli nuk do rrëzim e përmbysje qeverish, populli do shpresë dhe mirëqenie./Dritare.net