E keni provuar menynë e re të shef Gentit, në Hotel Flower?
Dritare.net
Pikërisht kur po mendoja se ishte e domosdoshme të nisja një diete, Genti Malaveci më njoftoi se po punonte për menynë e re të hotel "Flower” dhe se ishim të ftuar ta provonim. Tundim i fuqishëm dhe nuk e them për t’u justifikuar. Për ketë më besojnë të gjithë ata që e njohin kuzhinën e Gentit. Menynë dimërore të “Flower” e kisha provuar disa herë. Madje u kam treguar për të. Por shef Malaveci, më bëri që të shkruaj përsëri për kuzhinën e tij, pasi e kishte tejkaluar vetveten.
Përpara se sa të nis e t’u tregoj pjatat që provuam, dua të rrëfej se, qëkur kam provuar krijimet e Genti Malavecit, nuk kënaqem lehtësisht. Madje disa shefave ua kam hequr « yjet » dhe i quaj thjesht « kuzhiniere që trazojnë ». Në një shkrim tjetër do flasim edhe për shefat e vetëshpallur të Tiranës. Sot skena i përket menysë se re, e cila nisi me një supë me trahan e hithra. Sa delikate aq edhe ngacmuese për të pritur me padurim pjatat e tjera.
E shijova ngadalë supën dyngjyrëshe, me dy shije e disa aroma. Më pëlqeu aq shumë sa i kërkova shef Malavecit, të kthehej edhe një herë në kuzhinë e të më tregonte se si e realizoi këtë pjatë interesante, edhe në pamje.
E xhiruam procesin përfundimtar që të mund ta shihni edhe ju dhe pse jo, të tentoni ta realizoni në kuzhinën tuaj.
https://youtu.be/rxC8k_MQg3A
Më pas vazhduam me sallatën e parë e cila në pamje dukej si ëmbëlsire. Një “ricotta mousse”, luleshtrydhe, rukola dhe sorbetto limoni, të vendosura mbi një shtrat kadaifi.
Sallata e dytë, përgatitjen e të cilës e keni edhe në video, përbëhej nga crouton ose peksimadhe, me qiqra e mjaltë, e pjekur në furrë druri, e sipër saj një përzierje gjethesh e erëzash me vaj të aromatizuar me tartuf. Dhe surpriza e kësaj pjate ishte shoqërimi me sorbetto speci të kuq.
https://youtu.be/lJYbBqMbCQY
Më pas erdhi trilogjia terina, që ndryshe nga sa tregon emri, kishte më shumë se tre lloje peshqish : Troftë të tymosur, salmon, skumbri, ton tatakii të marinuar në sheqer, kripë, uzo dhe bimë aromatike.
Një pjatë interesante ishte edhe ajo e midhjeve sote, me uzo dhe domate të thara, si dhe pjata e karkalecave me salce speci të pjekur. Salcën, shumë aromatike, që më kujtoi fërgesën verore, ne e ngjyem me kekët e vegjël të zinj, të përgatitur me të zezën e sepjeve dhe domate.
Nuk kisha ngrëne asgjë të ngjashme tjetërkund. Por ajo që i vuri « vulën e mjeshtërisë» menusë së re, ishte prezantimi i kecit breze me fëstëk, ricotta, spec të kuq, petë byreku dhe paprika. Për një moment menduam se kishim përpara një kompozim ëmbëlsire. Kec me të bukur se ky, zor se do të gjeni gjëkundi. Prezantim modern, por të sillte pranë aroma, shije dhe kujtime fëmijërie, kur pjatat ishin të thjeshta dhe gatuheshin nga duar të dashura si ato të mamit apo gjyshes.
Një tjetër pjatë që do ju sugjeroja mos e kumbisnit, është filetoja e gjelit arose carpacio, me krem parmesane. I gatuar ngadalë, me gjalpë clarifié.
Dhe në fund, u shfaq ëmbëlsira e ëmbëlsirave: Bakllavaja e Gentit. Pa sherbet, por me petë kërce, mousse frutash të thata, të pjekura me shurup dhe akullore luleshtrydheje. Besoj se tek kjo pjatë ashtu si edhe tek keci, shpërfaqet filozofia e shef Malavecit, i cili dëshiron që të ndihet personaliteti i tij tek ajo që krijon.
Të jetë 100% vetvetja, ndryshe nga çfarë dikton tregu. Genti është gjithnjë ne kërkim të teknikave të reja si dhe në kërkim të produkteve të harruara, me të cilat të ndërtoje pjata të një niveli të lartë, siç ishte pjata e supës me trahan dhe hithra, përbërësit e së cilës doli dhe i mblodhi në fshat. Ai bindi edhe banorët e zone për të bashkëpunuar dhe për të punuar më fort që të mos mjaftoheshin me shitjen e dy tufave hithra. Zonja që përgatiste trahanin e thartë, tek i cili dalloheshin mirë thërrmijat e grurit, ishte pjesë e skuadrës së hotel "Flower”. Ndërsa Genti përgatiste supën, sytë e saj shndrisnin sepse edhe asaj i takonte me të drejtë një pjesë e meritës për ketë krijim kaq të shijshëm.
Atë natë, Genti na la pa fjalë. M'u deshën ca ditë sa t’i gjeja përsëri e t’jua tregoja dhe juve./dritare.net