Dy sugjerime dhe një vërejtje për Erion Veliaj

Nga Dritan Hila
Me siguri që ky është halli i fundit i çdo qytetari e aq më pak i kryetarit të Bashkisë. Në kohën që ky qytet po mbytet nga kullat dhe ka një të ardhme të paqartë, është luks të flasësh për një problem kaq sipërfaqësor, në dukje. Bëhet fjalë për emërtimet e rrugëve.
Le ta fillojmë nga mungesat. Para ca ditësh kaloja në një rrugicë shtremba-shtremba ku nuk kalojnë dot dy makina dhe pa trotuar që është ngjitur me gjimnazin “Petro Nini”. Rastësisht më shkuan sytë tek emri. Quhej rruga “Adem Jashari”! Të lesh jetën tënde dhe të 58 anëtarëve të familjes dhe emrin tënd ia vënë një qorrsokaku, më mirë nuk do donin as serbët. Nuk e di kush bashkiak e ka vënë emrin, por më mirë mos ta kishin vënë sesa kjo shëmtirë.
Një emër i dytë është ai i një goxha burri që u vra për një kufi të drejtë të jugut të Shqipërisë. Është gjeneral Enrico Tellini i vrarë në pritë nga grekët. Dikur kishte një monument për të. Sot nuk ka asnjë rrugë. Pse? Nuk është turp që njeriun pa të cilin mund të mos kishim as Gjirokastrën, nuk i caktojmë dot një emër rruge?
Para ca kohësh një makinë më kishte bllokuar. Kërkoj ndihmën e policisë dhe donin adresën. Gjeneral Jozef San Martin, ju them. Bënë gjysëm ore ta gjenin pasi iu dhashë shpjegime të tipit shqiptar: Futuni tek Komuna e Parisit (që në fakt quhet Medar Shtylla), aty është Big Marketi, ktheju djathtas ku është një tezgë fruta-perimesh dhe në fund është një shesh. Nejse. Nuk e kam idenë kush është dhe çfarë ka bërë për Shqipërinë Jozefi. Kërkimi në Google më jep një të ngjashëm me variantin spanjoll të emrit, Jose. I cili nuk ka punë as me Shqipërinë dhe as me Evropën pasi e ka aktivitetin në shekullin e 19-të në Argjentinë.
Dhe këtu vijmë tek sqarimi që duhet të ketë çdo tabelë. Kjo jo vetëm për ndihmë të të huajve por edhe të brezit të ri të shqiptarëve që dinë se Skënderbeu shpalli Pavarësinë ndërsa Ismail Vlora e çliroi nga gjermanët. Mos qeshni. Është test në shkollën e gjuhëve të huaja në mes të Tiranës, ky. Por kthehemi tek cilësimi i emërtesës. Personalisht në Itali kam banuar në dy apartamente ku njeri ndodhej në rrugën “Francesco Campione” dhe poshte shkruhej “Mjek gjinekolog”; ndërsa i dyti në “Andrea Doria” ku poshtë shkruhej “Admiral”.
Aktualisht banoj në Tiranë ku përveçsë nuk di se çfarë ka bërë Jozef San Martini, para dy ditësh mësova se edhe Osman Myderizi ku kisha banuar, ka qenë gjuhëtar.
A nuk është e nevojshme të cilësojmë aktivitetin e personit emri i të cilit i jepet rrugës? Është e tepërt të kërkosh këtë? Jo! Është shenjë civilizimi./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.