Zërat për një parti të re nga rradhët e PD-së janë ende të pa sigurtë, ashtu si qëndrimi i iniciuesve. Gjithsesi dihen disa emra që mund t`i bashkohen ose të paktën pritet, si Patozi, Topalli, Bode etj, që kanë qenë aktivë që nga humbja e zgjedhjeve të PD-së në 2017-ën.
Në llogaritë e tyre politike iniciatorët janë në rregull pasi Basha është ende i dobët dhe baza ende e ftohtë. Të gjithë figurat që mendohet të iniciojnë këtë lëvizje janë politikanë me përvojë dhe njohës të mirë të bazës dhe mekanizmit elektoral. Sigurisht që nuk kanë iluzione se mund të bëhen mbartës të një fryme të re pasi kjo kërkon një lloj virgjërie politike dhe moskonsumi publik, të cilin askush prej figurave përfaqësuese nuk e ka. Madje përjashto Topallin, të tjerët kanë edhe mungesë karizme, diçka e domosdoshme për një lider.
Por me siguri në llogaritë e tyre kanë parashikuar që një pjesë e elektoratit të PD-së dhe pikërisht ai që nuk morri pjesë në votimet e shkuara, t`i ndjekë. Ndoshta. Por kanë një problem në gjithë ekuacionin e tyre. Më saktë dy kryesorë.
I pari ka të bëjë me atë që në gjuhën e historisë quhet momentum. Është çasti i përshtatshëm kur lind një lëvizje dhe ti duhet ta kalërosh ndjenjën e elektoratit, zhgënjimin e tij dhe shpresën për një ndryshim. Nëse pati një të tillë në PD ky ishte viti 2013 menjëherë pas humbjes së Olldashit në zgjedhje. Por ata iu bindën verdiktit të Sali Berishës. Edhe pas vdekjes së Olldashit, në vend se të zgjidhnin përplasjen, ata preferuan të merreshin me përkujtimore të tij. Ndërkohë humbën 5 vjet të çmuara që do iu duheshin për organizmin e lëvizjes dhe akaparimin e sa më shumë përkrahësve në momentin më të dobët të Bashës siç ishte pakti me Ramën dhe humbja e zgjedhjeve. Nuk do të ishte çudi që korriku i vitit që shkoi të ishte vit korrjesh për ta, por preferuan të prisnin se mos quheshin tradhëtarë apo të kufizoheshin vetëm në deklarata. As zgjedhjet për kryetar të PD-së nuk ravijëzuan ndonjë lëvizje të tyre përveç disa takimeve.
Njëkohësisht të gjithë ata përpiqen të gënjejnë veten dhe mendojnë se i ka përjashtuar Basha nga listat dhe gjendja aktuale e PD-së vjen nga fuqia e Bashës dhe pafuqia e Berishës. Le t`i vëmë pikat mbi i. Lista e deputetëve ishte tërësisht e Sali Berishës. Lulzim Basha mund të ketë ndërhyrë, mund të ketë futur disa emra që janë të grupit të tij, por lista është tërësisht e Berishës. Ca më shumë, vendimi për të larguar Topallin, Patozin, dhe Boden është i tij. Ai nuk do të donte që të kishte nëpër këmbë njerëz me ndikim në elektorat dhe parti; nuk ka fuqi që të përballojë edhe opozitën edhe luftën për primat brenda partisë së tij dhe beniaminit që ka.
Së bashku me momentin kur mund të krijonin partinë, iniciatorët kanë humbur edhe kauzën. Çfarë do thonë pas pesë vjetësh, që fajin e kishte Berisha? Pse nuk u kujtuan të bënin një luftë parimore edhe më parë dhe të bëheshin mbretvrasësit? Sepse askush nuk mund të trashëgojë një fron nëse nuk vret mbretin ose të paktën trashëgiminë e tij. Elozhet mund t`i bënin më pas për njeriun që i promovoi në fillimet e tyre. Por as këtë nuk e bënë.
Sot ata kanë zgjedhur çastin më të pakuptimtë për të bërë një parti të re, ku asgjë e re nuk lëviz, ku qeveria është me më pak skandale se kurrë, dhe mbi të gjitha elektorati i djathtë nuk preferon të ndërrojë llogore pasi mendon se do të zbatohet cikli 8-vjeçar i qarkullimit.
Por nëse kjo lëvizje ka të bëjë me faktorizimin e iniciuesve të saj, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme ndonjëri prej tyre të rifutet në lista, atëhere është në kohën e duhur. Berisha ka treguar se di të reflektojë, por duhet të nxitojnë të zënë radhën./dritare.net