Dy histori të mërzitshme spiunësh

Nga Dritan Hila

Ka ca ditë që Shqipëria ka rënë në vorbullën e spiunazhit ku opozita akuzon për praninë e një spiuni në rradhët e komisionit që do negociojë detin me Greqinë, ndërkohë qeveria akuzon opozitën se është sponsorizuar nga Rusia, për të bërë një dreq e di se çfarë.

Që të jemi korrekt, qeveria nuk ka pse e tjerr kaq gjatë rastin e Artur Meçollarit dhe këmbëngul për prezencën e tij në komision. Nëse opozita nuk e do, qoftë edhe për kapriço të saj, nuk ka asgjë të keqe të shmanget dhe zoti Meçollari e sqaron pozitën e tij në qetësi. Argumenti qeveritar se pregatitja e tij si oficer është e domosdoshme, çalon. Ndoshta krahasuar me grumbullin e njerëzve që përbëjnë atë delegacion të cilët  nuk kanë lidhje me çështjen, zoti Meçollari është të paktën dikush që kupton. Por pak e vlefshme për rastin në fjalë ku duhen juristë të mirëfilltë të së drejtës ndërkombëtare, të cilat ai komision nuk i ka, dhe të së drejtës së detit nga të cilët Shqipëria nuk ka fare dhe duhen marrë nga shtete mike.

Tani le të vimë tek rasti Basha.

Se çfarë dreqin i duhet Rusisë të sponsorizojë Lulzim Bashën, këtë mund ta bëjë vetëm një mendje e çakërdisur ose që merret me teori komploti. Por jo Vladimir Putin.

Lajmi i fundit që dy sponsorizuesit e Bashës qënkan edhe ish operativë të KGB dhe kjo qenka zbuluar nga gazetarët, do shqyente gazit edhe macet e Moskës. Rusia është shtet serioz që të telendisë shërbimet e saj sekrete në internet apo të lerë arkivat në duar sharlatanësh.

Sa i takon shefit të Rusis, është një lojtar klasi i gjeopolitikës. Ai e di se Rusia ka burime të kufizuara financiare dhe njerëzore për të hedhur në lojërat e mëdha botërore. Ekonomia e tij nuk po përjeton ditët më të mira. Nëse i duhet të investojë diku, ka mjaft vende ku merr rezultat të sigurtë dhe me lojtarë të peshës së rëndë. Por nuk mund të investojë tek dikush si Lulzim Basha i cili nuk tremb njeri as në partinë e tij dhe nuk ka as minimumin e kapaciteteve të destabilizojë edhe jashtë gardhit të selisë.

Ajo që do të ishte e dobishme për shqiptarët, ka lidhje me çështjen e kuintalëve të kokainës, ndihmën e reduktuar ekonomike, ekonominë e frenuar. Ndërsa historitë me spiunë ti lexonin në libra në kohën e lirë por jo në parlament. Kanë ikur ato kohë kur ky ishte një vend serioz me shtet serioz që edhe të tjerët e merrnin seriozisht./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.