Dy fjalë për edukatoren që e thërritëm nënë
Dritare.net
Në memorien e çdokujt, ka njerëz që lenë gjurmë të thella e të pashlyeshme, të cilat të shoqërojnë përgjithmonë gjatë gjithë trajektores dhe etapave që kalon në jetë, deri sa të jesh gjallë...
Imazhi i mrekullueshëm i kësaj gruaje, më ka shoqëruar në të gjithë qënien time duke ndikuar ndjeshëm në formëzimin e personalitetit dhe karakterit tim si një qënie humane.
Kristina Kumi, ose siç e thërrisnimin të gjithë ne fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës "Nënë Kristina", është më shumë se një fenomen njerëzor...
Ka qenë dhe është një Grua e përveçme, e destinuar si një misionare për të qenë një Nënë, edukatore, mësuese, motër e madhe e të gjithë bonjakëve të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandën, në vitet '70 - '90 - të.
Prezenca e saj në jetët tona të zbrazura, plotësonte përsoshmërisht figurën më engjëllore e shpresëdhënëse në sytë tanë të një shejntore që Zoti na e bëri dhuratë në ato kohë të vështira....
Me profesionin si arsimtare dhe edukatore, ajo i tejkaloi shumëfish përgjegjësitë e saj, e cila me pasionin e çmendur, por me shumë dashuri dhe përkushtim hyri në jetët tona për të qenë pjesë organike dhe e qenësishme, madje e pandashme edhe sot e kësaj dite që ne jemi rritur dhe jemi bërë familjarë dhe prindër.
Tashmë, në moshë paksa të thyer, në të mbi '80 -tat e saj, pathuajse ajo mban kontakte me të gjithë ne, ish - fëmijët jetim të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.
Skrupuloze, sqimtare përtej fisnikërisë dhe tepër e vëmendshme, me një memorie fantastike edhe pse ka mbi 28 vjet që jeton në Athinë, Nënë Kristina nuk i ka shkëpur asnjëherë lidhjet me ne.
Me merakun e një Nëne si Ajo, interesohet me detaje, pyet, merr informacion për sejcilin prej nesh, për hallet dhe problemet, për sukseset dhe mossukseset tona, jeton çdo çast me ne, trishtohet dhe lumturohet njëkohësisht, ashtu siç mund të bëj vetëm një Nënë biologjike për krijesat e saj.
Përpara viteve '90 - të, mësuese Kristina njihej nga të gjithë sarandiotët si modeli më i përsosur i një gruaje që mishëronte virtytet më të larta njerëzore, si qytetare dhe misionare e humanizmit.
Orët e punës në Shtëpinë e Fëmijës e kalonin cakun e kohës zyrtare (8 orarëshin). Vinte herrët në mëngjes në punë, na bënte zgjimin, kujdeseshe për higjenën e mëngjesit, na vinte mëngjesin për të ngrënë, na vishte përparesen e shkollës dhe na niste për në shkollë.
Në mesditë, na priste nga shkolla, na vinte të hanim drekën, pastaj pushonim pak për t'u rikthyer në sallën e studimit, deri sa vinte mbrëmja, hanim dakën, na vinte në gjumë dhe pastaj e qetë, me mëndje të ngritur për ne, shkonte në shtëpinë e saj në mbrëmje vonë.
Nënë Kristina punonte në mënyrë individuale me çdo fëmijë të grupit të saj, sidomos me vajzat e rritura, duke i mësuar në hollësi problemet që ato kalonin me rritjen në moshë.
I mësonte si të mbanin higjenën e tyre personale, si të gatuanin, si të qepnin dhe të qëndisnin, si të bënin punët e vogla për të mbajtur pastër mjedisinin ku jetonin dhe kalonin kohën e lirë...
Kur dilnin fëmijët nga ky institucion dhe shkonin me bursë në shkollat e mesme dhe të larta, ajo nuk i shkëpuste asnjëherë lidhjet me ta, por mbante letërkëmbim dhe korrespndencë të rregullt me sejcilin prej nesh, interesohej për mbarëvajtjen e tonë.
Kur fëmijët mbaronin shkollat, mësuese Kristina interesohej më pas që, këta fëmijë të sistemoheshin me strehim dhe të kapnin një vend pune, duke shkuar dhe trokitur derë më derë në zyrat e Komiteteve Ekzekutive të kohës, në rrethet ku këta fëmijë mbaronin shkollat.
Sa e sa herë ka marrë pjesë në gëzime, ditëlindje, fejesa e dasmat e këtyre fëmijëve, duke marrë rolin e Nënës për sejcilin prej tyre. Këtë e bënte me synimin që këto vajza e djem të rritur prej saj në Shtëpinë e Fëmijës, të cilët vendosnin të martoheshin dhe të krijonin familje, të mos ishin kokëulur e zemërthyer përpara krushqisë dhe familjes së djalit apo vajzës që ata vendosnin të lidhnin jetën e tyre.
Jeta dhe veprimtaria e kësaj gruaje të heshtur por madhështore në sakrificat, privacionet dhe modestinë që kishte, roli i kësaj misionare me shtat të vogël, por me zemër të madhe, është një film mjaft i bukur, inspirues dhe frymëzues pë çdokënd, është një roman i pashkruar ku bota e sotme e varfëruar dhe e shterpëzuar nga vlerat e humanizmit, duhet të hap sytë dhe të mësojë se ç'është DASHURIA e DHEMBSHURIA.
Ky është një leksion i domsdoshëm i ekzistencës së shoqërisë njerëzore në kohët e sotme....
Faleminderit e shtrejnta Nënë dhe edukatore e përjetshme e Jetimëve për gjithçka na dhe, për atë çka munde të bëje në jetën tënde për ne...!/Dritare.net