Dritëhijet e dëshmitarit X, mashtrimet seriale rrëzojnë audiopërgjimin

Një spirale gënjeshtrash të vërtetuara vendosin në pikëpyetje të thellë besueshmërinë e “superdëshmitarit X”, personit të reklamuar ditën e sotme nga Partia Demokratike si njeriu kyç në demaskimin e lidhjeve kriminale të vëllait të Ministrit të Brendshëm.

 

Albert Veliu, 51 vjeç, pretendon se gjatë karrierës së tij kriminale, e cila e dërgoi atë pas hekurave për disa vite në Itali, ka pasur kontakte të afërta me Agron Xhafajn.

Megjithatë, dosja penale e Veliut, e siguruar nga “Report TV” tregon se ai ka gënjyer në lidhje me vitin e arrestimit, vitin e burgimit, sasinë dhe tipin e lëndës narkotike me të cilën është kapur, si dhe disa detaje të tjera që e bëjnë atë një dëshmitar jokredibël.

Ndërkohë, dëshmia e sotme, ka ngritur një varg dyshimesh të reja. Pikë kryesore në ngritjen e kësaj mjegullnaje, përveç shkëputjeve teknike të videos që ngrenë dyshimin e arsyeshëm për një montim, është fakti që ai nuk jep asnjë detaj konkret me mënyrën e administrimit të kësaj prove.

 

Gjithashtu, “superdëshmitari” nuk ishte në gjendje të hidhte dritë mbi një numër problemesh të tjera të lindura me të ashtuquajturin audiopërgjim, mbi të cilën opozita ka montuar kauzën e saj të re anti-qeveritare.

 

Pyetja e parë. Albert Veliu, në një moment të dëshmisë së tij thotë se i ka kërkuar Agron Xhafajt të marrë përsipër një transport droge, por këtë nuk e ka bërë me qëllim për të transportuar me vërte lëndën narkotike, por “për ti provuar zemrën”.

 

Nëse është e vërtetë, përse në pjesën e parë të përgjimit dëgjohet vetëm zëri i Veliut, përderisa ata kanë bashkëbiseduar midis tyre?

 

Ku e gjeti Albert Veliu audiopërgjimin, meqënëse ai gjatë intervistës deklaron se ai vetë e ka çuar tek selia e Partisë Demokratike? Minimumi që dëshmitari duhet të kishte deklaruar, duhet të ishte vendi, rrethanat dhe momenti i realizimit të këtij përgjimi, por kjo nuk ka ndodhur.

LEXO DHE :  Pas Lu largohet dhe Vlahutin, ja kush do ta zëvendësojë!

Pyetja e dytë, kush e ka përgatitur Albert Veliun, për përgjigjet që ka dhënë nga selia e PD dje, meqënëse vetë ai pranon se ndodhej në selinë e PD gjatë intervistës?

Një tjetër pyetje e ligjshme është nëse janë koordinuar dëshmitë e Salianjit, Bardhit dhe Albibeajt me dëshminë e Veliut. Nëse është kështu, a është kjo një prishje e provave, një ndërhyrje e paligjshme e kësaj force politike tek dëshmitari i pretenduar i një vepre penale?

Dhe një tjetër pyetje kyçe, në këtë skenar të paqartë është se përse nuk janë paraqitur në Prokurori përfaqësuesit e thirrut të Partisë Demokratike për të zbardhur një orë e më parë këtë ngjarje? Përse këto prova po përdoren vetëm për qëllime politike, por nuk po i vendosen në dispozicion drejtësisë? Në mungesë të këtyre përgjigjeve, ajo që mbetet e qartë është që Partia Demokratike ka vendosur të përdorë një person me një dosje të pasur kriminale, për qëllimin e vetëm të bllokimit të negociatave të anëtarësimit, një muaj përpara se vendet anëtare të Bashkimit Europian të marrin vendimin e tyre. Ekziston gjithashtu një tjetër provë që të shtyn të besosh në këtë skenar.

 

Menjëherë sapo u publikuan lajmet e para mbi përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e drogës, për më tepër një lajm i njohur që nga viti 2002, Partia Demokratike u tregua e shpejtë për të dërguar në formën e një “breaking news”, një komunikatë në të gjithë ambasadat dhe kancelaritë europiane.  Por, përderisa dëshmitari i vetëm i kësaj çështje ishte në duart e PD, përse demokratët nuk pritën deri në publikimin e dëshmisë së tij?

Përballë dyshimeve të besueshmërisë së këtij individi, duket se kjo ka qenë një zgjedhje strategjike nga ana e Partisë Demokratike, e cila ka preferuar që të bëjë të njohur dosjen e akuzave, përpara se të provohet se elementë të shumtë të asaj dosje janë të trilluara, ose në rastin më të mirë, të pabesueshme./lexo.al/

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*