Kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë për herë të parë, bulevardi ishte i mbushur me fotot e klerikëve të cilët kishin humbur jetët gjatë luftës së dytë botërore dhe më vonë sundimit komunist.
Operacioni i shkëlqyer i marketingut të kryeministrit Rama, nuk kaloi pa kontestime. Për një pjesë të opinionit publik disa prej tyre kishin bashkëpunuar me të huajt si gjatë pushtimit ashtu edhe në periudhën e komunizmit.
Gjergj Fishta, Pater Anton Harapi, përveç të shkuarës patriotike kishin edhe historinë e bashkëpunimit me pushtuesin. Kjo vazhdoi edhe për civilët. Shumë prej tyre kishin qenë ndër themeluesit e Shqipërisë, por bashkëpunëtorë më vonë me italianët.
Pas vendosjes së komunizmit, Shqipëria ishte në buzën e perdes së hekurt. Mijëra shqiptarë që i ikën sundimit komunist u përdorën nga ish aleatët e luftës së partizanëve si desantë për të sabotuar prapavijat e shtetit të brishtë dhe destabilizuar ose mundësisht përmbysur rregjimin. A ishin luftëtarë të lirisë apo tradhëtarë në shërbim të të huajve? Për një pjesë të shoqërisë shqiptarë këta janë luftëtarë të demokracisë. Ndërsa për të majtën ishin pararojë e fuqive që kërkonin coptimin e vendit.
Ndërkohë dosjet e sigurimit të shtetit janë kthyer në një telenovelë që hapet sa herë i duhet politikës, por pa sqaruar askënd dhe qetësuar ata që u trazuan. Ende askush nuk di të japë përgjigje nëse kjo do sjellë më shumë të mira apo dëme. Secila qeveri ka vepruar për qëllimet e saj dhe këtu nuk bën përjashtim as ajo Rama. Pregatitja e ligjit me nxitim; mangësitë në infrastrukturë të shoqëruara me kritikat e Daut Gumenit, janë një sinjal se politikës nuk i intereson asgjë veç shout.
Ndërkohë mungojnë studimet serioze. Ndër më të fundit, flitet për kampin e burgsjes së Tepelenës. Por ende nuk ka një studim pse u ngrit, kush ishin të burgosurit dhe emrat e atyre që humbën jetën aty. Mjaftohet të quhet Aushvici shqiptar, por pa thënë pse ishte i tillë.
Një tjetër histori është ajo për revoltën e Spaçit. Ende nuk ka një studim për kryengritjen dhe shtypjen e saj; a ishte thirrje e lirisë apo në kushtet e një vendi të izoluar dhe bote të ndarë në blloqe mund të rrezikonte një ndërhyrje ushtarake të huaj. Edhe historia e pas viteve 90 ka interpretimet e saj partizane.
Megjithëse e zhvilluar nën dritën e kamerave dhe vëzhgimin e medias relativisht të lirë, ne ende nuk kemi gjetur një vend për rolin e Ramiz Alisë; Sali Berishën dhe rolin e tij. Kush ishte Azem Hajdari dhe a ishte tribun i lirisë? Është harruar Aleksandër Meksi, kryeministri i parë i një Shqipërie demokratike. A ishte Fatos Nanoja një reformator dhe cili ishte roli i tij?
Janë të gjitha pyetje të historisë së largët apo të afërt që i bëjnë edhe kombet e tjera.
Spanjollët ende janë në debate për rolin e klerit gjatë luftës civile. Mijëra manastire dhe kisha, mijëra priftërinj dhe murgesha u vranë. Madje e majta spanjolle premtoi demonstrata kundër vizitës së Papa Françeskut, që ishte menjëherë pas asaj të Shqipërisë. Arsyeja ishte shpallja shenjtorë e disa klerikëve që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të gjeneralit Franko.
Francezët kishin më të famshmin e tyre mareshallin Peten. Hero i Luftës së parë botërore, më vonë pranoi kapitullimin e Francës para Hiterit dhe ngriti rregjimin filogjerman të Vishisë. Këtë francezët nuk ja falën kurrë, por as nuk i harruan meritat.
Stalini, një kasap i paqes por një titan i luftës. Rusët nuk e shohin bardh e zi njeriun që i kaloi në progromet e viteve 30 por mundi hitlerin dhe industrializoi vendin duke e bërë superfuqi.
Polakët akuzojnë si agjent të sigurimit udhëheqësin e Solidarnosit Les Valesa.
Por as në lindje dhe as në perëndim e shkuara nuk i ka penguar të ecin përpara. Historia është punë e historianëve në gjithë botën. Përveç Shqipërisë, ku të gjithë fusin duart dhe askush nuk e le në dorë të profesionistëve. Duke penguar kështu të ndërtojmë të ardhmen./dritare.net
https://youtu.be/MdIlTod2ApI