Do të hash mish për Vit të Ri? Në fshatin Prush të pret "Mangalli"!
Dritare.net
Doni të hani jashtë, por i ftohti ju tremb? Pa frikë! Kam gjetur restorantin që bën për ju. Një vend i ngrohtë, ku mund të shkosh edhe pa shumë salltanete në veshje, sepse do të të duhet të gatuash për veten dhe të ftuarit e tu. E çuditshme të thuash se shkon për të gatuar në restorant, por kështu ndodh te Mangalli.
Para ca ditësh, ndërkohë që në Tiranë binte shi papushim, bashkë me kolegun tim Isa, u nisëm drejt fshatit Prush. Nuk e mata kohën që m’u desh për të arritur atje, por pata perceptimin se nuk kaluan as 10 minuta që kur dolëm nga Kombinati, e deri sa mbërritëm tek porta e Mangallit. Duke udhëtuar në drejtim të Vaqarrit, do të shihni në të djathtë të rrugës tabelën me mbishkrimin Prush. Aty do të ktheheni në një rrugë të drejtë e të qetë që ju çon në destinacion.
Restorant Mangalli të befason që në hyrje. Një sallë e madhe, me dhjetra tavolina, sipër të cilave qëndron nga një mangall dhe oxhaku përkatës prej bakri, për aspirim. Një pamje që nuk e kishim hasur gjëkundi tjetër. Administratori na tregoi se e kishte parë diçka të ngjashme 13 vjet më parë në Indi. I kishte pëlqyer shumë dhe kishte pritur momentin e volitshëm për ta realizuar edhe këtu.
Pra bëhet fjalë për një lloj barbeque në tavolinë, ku secili mund të bëhet shefi i kuzhinës dhe të pjekë produktet e mishit, perimet ose të thekërojë edhe fetat e bukës. Fillimisht na u desh të kalonim nga ekspozitori i mishit dhe nënprodukteve të tij, shumëllojshmërinë e të cilit mund ta shihni vetë nga fotot dhe videot që realizuam atje.
Së dyti u ndalem tek sallatat dhe salcat, edhe ato të shumta në numër e shije, kryesisht të bazuara tek tradita. Nëse kërkoni sallata me kinoa apo produkte ekzotike, ky nuk është vendi për ju. Te Mangalli piqet mish në prush, madje do e piqni vetë.
Pasi u ulëm në tavolinë, kërkuam asistencën e kamerierëve, por më pas i larguam sepse e morëm si lojë pjekjen e mishit, në zjarr prej vërteti dhe jo me soba elektrike, siç bëjmë gjithë vitin. Përveç afërsisë qytet-fshat, Mangalli ka edhe disa pika të tjera në favor.
Për mua është shumë i rëndësishëm fakti se nuk mbetëm me dyshimin "çfarë po ndodh në kuzhinë". Në këtë rast gjithçka ndodh para syve të tu dhe je ti vetë që e menaxhon situatën, pa pasur dyshime për përbërësit.
Perimet, restoranti i siguron nga serat përreth fshatit Prush, ndërsa mishin nga kasapët në Pezë Helmes. Diçka tjetër interesante është fakti se pas një dreke të gjatë, si ajo e jona, nuk u ndjemë të rënduar as nga aroma e mishit që piqej dhe as nga era që zakonisht përhapin mangajtë. Administratori na shpjegoi se kjo nuk ishte vetëm rezultat i aspirimit të mirë, por kryesisht i faktit se përdorej një lloj qymyri organik, që nuk dëmton shëndetin e s'të sillte dhimbje koke.
Dhe që të jemi të qartë deri në fund, restorant Mangalli është për ato rastet kur një miku juaj thotë: Më ka vajtur mendja për mish. Tani e dini mirë se ku ta çoni./Dritare.net