Dje zbulova liqenin e Gjokës. Në Tiranë, ku tjetër!

Nga Fjorda Llukmani

Sikur ta dinit që Tirana nuk ka vetëm Liqenin Artificial dhe atë të Farkës, fundjavat tuaja nuk do ishin aq të mërzitshme. Të mjafton të hapësh Google Maps nga telefoni, e do shikosh pellgjet e mbushura me ujë, në dukje të vogla e të parëndësishme. Fundjavën që kaloi u mblodhëm grupi i përhershëm i qefosjes. Pa pikë plani, pimë kafen e mëngjesit duke vrarë mendjen se çfarë mund të bënim diçka ndryshe.

“Ore po ne s’kemi lënë liqen pa parë në Tiranë, shohim mos ka ndonjë në Krujë?”-thosha unë duke parë hartën. “Ki parasysh që nuk shkojmë dot më larg se 160 km vajtje-ardhje”-më kthehet Riflo, një prej shokëve të mi ambientalistë, i cili drejton një kompani taksish elektrike.

Makina që lëvizim zakonisht fundjavave është elektrike dhe karikohet vetëm me prizë. Me pak fjalë e masim mirë largësinë në kilometra që mos të ngelim rrugëve. Në kryeqytet ka pika karikimi të shpejta, ama dëshira jonë është të largohemi pak. Kur udhëtojmë me makinën elektrike, na bie super lirë. Lekët e naftës i bëjmë ushqime dhe birra. Ku ka më mirë se të lëvizësh me pak lek, e aq më tepër mos të ndotësh ambientin.

Nisemi si fillim për në liqenin e Kasharit.

Meqë e kemi vizituar dhe shumë herë të tjera, s’na u duk pikë interesante për të kaluar një kohë të gjatë. Luajtëm pak me veglat e palestrës që janë vënë së fundi, e u larguam. E bukura e makinës elektrike është që nuk ndjehet fare, nuk bën asnjë lloj zhurme. Tek kalonim në fshatin Gjokaj, një bari me lopën na kishte ndërprerë rrugën. As që e kishte idenë bariu që po i vinte makina nga pas. “O xhaxhi hape icik rrugën më”- thërret një nga çunat.

“Uuuuu më fal, po s’dëgjova zhurma prandaj”-kthehet ai. “Epo nuk bën zhurmë kjo, e kemi lidhur me shtyllën”-vazhdon njëri prej nesh ndërkohë që bariu ecte. E shikoj gjithë kuriozitet duke parë makinën nga mbrapa. Me siguri ishte hera e tij e parë që shikonte një mjet automobilistik të punojë me korent.

Kokën e kisha nxjerrë në penxhere në pritje të liqenit. Nuk dukej gjëkundi. Pasi u ngatërruam disa herë me nënkalimet e autostradës Tiranë-Durrës, morëm kthesën pas ‘City Park’. 5 minuta më pas, e gjej veten pas kodrave që duken nga rruga kryesore. Shikoj dy liqene ndërkohë që ecnim me makinë. Në të majtë ai i Gjokës dhe në të djathtë një rezervuar i vogël, jo me relieve që të mbesin në mendje. Mes liqenit pash mini ishullin e vogël. Fillova të imagjinoja sa bukur do ishte po të kishim një varkë, ose jet ski, ose komardare të paktën.

“Uaaaa po si s’kisha qenë këtu asnjëherë?”-i drejtohem grupit. “O nona po je e vogël ti si di ca gjona”-talleshin ata me mua. Nuk fola asnjë fjalë. Isha mjaft e lumtur për zbulimin tonë të ri sa s’kisha arsye të nxirrja fjalë negative.

Rruga deri buzë liqenit është e shtruar. Mund të shkoni dhe nëse keni makina të vogla që i përdorni në qytet. Mirë fare do ishte me biçikleta. Nga Tirana është 15 km dhe s’ke malore për të ngjitur. Dmth për gjysmë ore nga zhuli i Tiranës, ndodhesh në periferi me ambiente të pastra. Ndalojmë makinën buzë liqenit. Megjithëse kishte pak re, m’u duk si ditë vere. Të gjithë kishim birra nëpër duar, të lumtur e të gëzuar që ndryshuam pamjen, muzika si në plazh, çfarë do mo nga jeta? Dielli përveçse të jep jetë, të ndryshon dhe humorin. Po flas për diell pranveror, jo vapë gushti.

LEXO DHE :  Shpat Kasapi tërbohet pas asaj që i thonë, ngrihet dhe ikën nga emisioni

Diku në fund të liqenit pranë nesh, shoh një grup meshkujsh që po peshkonin. Ata po ndiqnin me sy nga larg çdo lëvizje tonën. Meqë donin ta dinin aq shumë se pse ndodheshim aty, zgjodha t’i përshëndes nga afër. Drejtohem e vetme për të bërë dy pare muhabet. Sytë i kishin të gjithë drejt meje. Edhe ata që po flisnin pushuan. “Jalla”,-thashë me vete, “të ketë femra kaq shumë pushtet nëpër periferi?” Afrohem pranë njërit dhe ndaloj.

Nuk i fola fare, sa për të parë çfarë reagimi do bënin. Ata vazhdonin në heshtje. “Punë e mbarë shoku”,-i drejtohem me një buzëqeshje 24 karatsh,”a ke kap ndonjë peshk sot?” Vetëm ta shikoje sa u lumturua ai burri që i fola. “Vallaj u bo kohë që s’kapim peshk, po rrimë sa për të shtyrë kohën, e me thonë që po bëjmë një punë”-më kthehet ai. “Po ju për çfarë keni ardh, apo me shoqnin?”

M’u mbush mendja 100% që buzëqeshja është arma më e fortë e komunikimit. Sa herë i them dikujt një fjalë të mirë para fillimit të bisedës dhe e shoqëroj me buzëqeshje, nuk ma refuzon askush muhabetin. “Ne erdhëm për të kaluar kohën por unë s’di asgjë për këtë liqen. Çfarë mund të më thuash për zonën përreth?”-e pyes unë direkt e në temë. “Këtu ndodhesh në Gjokaj, fshat i Vorës.

Quhet liqeni i Gjokës, ose Gjokajt, varet si të duash. Unë jam lindur e rritur këtu, e kam shtëpinë sipër në kodër. Kënaqemi kur shohim njerëz si ju që na e pëlqeni zonën tonë”-e mbyll rrëfimin ai. 10 metra më tutje po peshkonin dhe disa të tjerë, të cilët po dëgjonin ç’po përrallisnim ne. Madje dy çuna, mosha ime filluan duke qeshur me dialogun tonë.

“O çuna hë më ka ndonjë gjo me qesh e?”-i kthehem unë gjithë nerva. Asnjë prej tyre nuk flet. “Hë më flisni ca ka me qesh ta mar vesh dhe unë me këtë zotërinë?”-vazhdoj pyetjen. “Nuk dashkan me u përgjigj o xhaxh, qenkan skutha si duket”-i drejtohem peshkatarit e fillojmë duke qeshur të dy. Largohem me përshtypjet më të mira nga biseda me të, me shpresën se do kapte peshk në orët në vazhdim. Edhe hajde të udhëtosh vetëm si femër nëpër periferi. Këta të hanë të gjallë more!

Në kthim filluam të bënim plane pikniku për në liqenin e Gjokës. S’ka dyshim që do kthehemi shpejt, mundësisht me rroba banjo. Atë ditë ishte pak freskët se do lahesha dhe me bluze. A thua se të shef njeri aq larg. Çdo ditë e më shumë më mbushet mendja që në Tiranë ke plot gjëra për të bërë. Kush kërkon gjen. “Vende ka por duhen profesionistë për t’u zbuluar”-do thoshte i Madhi./dritare.net



1 Comment

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.