Dhuro një përrallë në 1 qershor!

“Përrallat e Pitilushes” është një libër që përmban 10 përralla dhe një tregim. Përrallat janë për fëmijët dhe tregimi për nënat. Ky libër ndihmon nënat si të sillen në kohët moderne me fëmijët e tyre.

Ndërsa po afron 1 qershori, ju sigurojmë që kjo është dhurata më e bukur për fëmijët tuaj.

TË PISH LËNGUN MAGJIK

Nga Rudina Xhunga

Pitilushja është një vajzë e vogël me flokë të shkurtër, që sapo shikon lëng pjeshke te frigoriferi i dyqanit, përplas duart:

– E dua, e dua, mami, edhe një lëng molle, edhe një rrushi, edhe një, edhe të gjitha për mua!

Mami i tregon se nuk duhet t’i blejnë, por Pitilushja nuk e dëgjon. Ajo i përplas edhe këmbët, veç duarve dhe ngre zërin, pastaj qan, ë-ë-ë, pastaj fshin lotët dhe lutet:

– Vetëm një, mami, vetëm një dhe nuk pi më.

Mami bindet dhe ia blen. Pitilushja e kthen me një frymë dhe kështu bën çdo ditë.

Qan e lutet, derisa mami bindet. Derisa, një ditë, ndodhi ajo që mami i kishte thënë përditë.

Një ditë, kur Pitilushja e piu gllënjka-gllënjka lëngun e pjeshkës dhe u bë gati të merrte një lëng molle, ndodhi diçka e çuditshme fare; lëngu i mbeti në grykë. Ajo u mbyt nga sheqeri dhe fytyra e bukur gjithë dritë iu bë e verdhë. Kollitej e qante dhe mami nuk dinte ç’të bënte.

Kur sheqeri i kaloi poshtë, pasi piu ujë mirë e mirë, mami e nxori Pitilushen para pasqyrës dhe i tha:

– Pitilushe, shikoje veten. Të është bërë fytyra e kuqe nga kolla, dhëmbët të verdhë nga lëngu dhe barku i madh nga aq shumë gaz e sheqer.

LEXO DHE :  Molla e sherrit për vrasjen në ish-Bllok, reagon për herë të parë, Elvana Gjata

– Po çfarë të bëj, mami, – tha Pitilushja, – si ta kem përsëri fytyrën time, barkun e vogël dhe dhëmbët e bardhë?

– Do pimë lëngun magjik, Pitilushe, ai të shëron dhe të shpëton, të bën të bukur dhe të fortë! – tha mami.

– Si quhet lëngu magjik, ku ta gjejmë? – pyeti Pitilushja me atë gojën e bukur.

– Ja, – i tha mami, – do të marrim një mollë, një karotë, një panxhar, do t’i shtrydhim dhe do të dalë një lëng i kuq  që të ndryshon e të zbukuron, të forcon dhe të rrit. Me ta pirë, do të të zgjaten flokët, trupi yt do të ma kalojë mua dhe ti do bëhesh një yll. Ylli im, Pitilushe!

– Bëje, mami, do ta pi, – tha Pitilushja.

Kur lëngu i kuq magjik u bë gati, mami ia hodhi në gotën e preferuar dhe Pitilushja e piu të gjithën. Që nga ajo ditë, çdo mëngjes e përditë, ajo pi lëngje magjike të kuqe dhe jeshile, që ia përgatit mami.

Nuk kërkon më kurrë në frigoriferë dyqani, por ndalon me mamin vetëm te frutat dhe perimet, për të marrë ato që shtrydhen dhe bashkë bëjnë çudira.

Qysh atëherë, Pitilushja ka flokë të gjatë, dhëmbë të bardhë, trup të drejtë dhe të bukur, se nuk ndahet kurrë nga lëngu magjik./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.