Detaje të reja për shpërthimin me tritol në Lazarat
Dritare.net
Shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur në fshatin Lazarat rreth orës 02:30 në orët e para të së enjtes. Rreth 200 gram tritol është vendosur në portën hyrëse të banesës së Adem Selimit nga ku dhe ka shpërthyer. Shpërthimi ka tronditur pjesëtarët e familjes. Nuk ka të lënduar por vetëm dëme të mëdha materiale.
Ka qenë kryefamiljari, ai që ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur dhe policia po vazhdon për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.
47-vjeçari Adem Selimi, është i ati i Klodian Selimit, një nga pjesëtarët e grupit prej 11 personash, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, rreth tre vite më parë. 22-vjeçari u arrestua në korrik të vitit 2015, teksa qarkullonte me mjetin në zonën e poshtme të Lazaratit.
Mësohet se, grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ngjarja e ndodhur, pikërisht tre vite më parë, dyshohet të ketë lidhje me atentatin me tritol në shtëpinë e familjes së Klodian Selimit.
Nga ana tjetër, mësohet se i ati i 22-vjeçarit, Adem Selimi, nuk është person i skeduar, me të kaluar të dyshimtë apo me precedentë penalë. 47-vjeçari njihet si person i qetë dhe pa probleme në Lazarat. Selimi nuk ka pranuar të rrëfejë ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Nga hetimet paraprake mësohet se, lënda plasëse ka qenë në sasinë e 200 gramëve tritol. Shpërthimi kishte krijuar një krater të thellë në hyrje të banesës dhe me diametër gati 100 cm.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që është bërë sekuestrimi i kamerave të sigurisë që kanë filmuar lëvizjet gjatë natës në fshatin Lazarat, për të parë nëse ka pasur diçka të dyshimtë.
Klodian Selimi, djali i Adem Selimit, është dënuar 13 vjet burg. Ai është një nga të pandehurit që bashkëpunoi me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes, ku humbi jetën oficeri i RENEA-s.
Informacion Paraprak
Rreth orës 02:35, njoftohemi se në banesën e shtetasit A.S, në fshatin Lazarat, Bashkia Gjirokastër, në derën e jashtme të banesës është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve./panorama.al