Detaje nga vrasja me 6 plumba në kokë e biznesmenit në Durrës
Dritare.net
Sipas burimeve nga organi i hetimit, Shpëtim Shala është qëlluar nga afër me një pistoletë automatike.
Madje ka dyshime të forta se ekzekutuesi ka përdorur edhe silenciator. Nga këqyrja e kufomës, mësohet se Shala ka marrë 6 plumba në kokë, që edhe i kanë shkaktuar vdekjen.
Sipas burimeve, ekzekutuesi ka qëlluar nga shumë pranë. Ende nuk dihet se cili është ai, ndërsa Policia vazhdon hetimet.
Kush është biznesmeni me precedentë penalë?
Viktima është Shpëtim Shala, 39 vjeç, Shala është pronar i disa dyqaneve në zonën e plazhit. Ai u qëllua sot me armë zjarri pranë një lokali në sektorin “Iliria”.
Policia po vazhdon operacionin për kapjen e vrasësit, ndërsa ende nuk dihet identiteti i këtij të fundit, si edhe motivi i vrasjes.
Sipas dokumenteve, Shala është proceduar gjatë vitit 2011 për kultivim e trafikim narkotikësh pasi në një operacion policor në lokalin pronë e tij Bilardo pranë plazhit “Iliria” blutë sekuestruan një sasi cannabis.
Por për këtë procedim Shala kaloi një kalvar 4-vjeçar me gjyqësorin shqiptar por gjithmonë në gjendje të lirë dhe në 2015 Gjykata e Lartë la në fuqi pafajësinë e dhënë nga Apeli i Durrësit dhe pse Prokuroria kish kërkuar dënimin e tij.
Shala rezulton i shoqëruar disa herë nga policia për ngjarje të ndryshme kriminale në Durrës, por asnjëherë përfshirja e tij direkte nuk është faktuar çka ka sjellë lënien e tij të lirë deri më 8 Maj 2016 kur dhe u ekzekutua në lagjen Iliria në plazhin e Durrësit.