Dështon shitja e Bankers Petroleum. Kinezët shtyjnë blerjen
Dritare.net
Në bazë të marrëveshjes Bankers është vlerësuar me 575 Milionë dollarë (C$) pa përfshirë detyrimet. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë. Çmimi për aksion ishte C$2.20 Bankers Petroleum njoftoi sot se transaksioni është shtyrë për shkak se “mbetet ende subjekt i miratimit nga Administrata Shtetërore Kineze e Këmbimit Valutor (SAFE). Afati i miratimit nga Republika Popullore e Kinës është shtyrë për në 30 Shtator 2016.
Kundrejt kësaj shtyrje, Geo-Jade ka rënë dakord (që në 29 Korrik 2016, data e amendimit të marrëveshjes) se nëse SAFE nuk e miraton marrëveshjen deri më 30 Shtator, 2016 Bankers ka të drejtë të marrë US$ 20 Milionë si tarifë terminimi nëse Bankers vendos të mbyllë marrëveshjen si pasojë e mosmiratimit. Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për të shtyrë afatin e fundit për transaksionin deri në 31 Tetor, 2016 për të patur kohën e nevojshme për të mbyllur këtë proces, por në rrethana të caktuara ky afat mund të shkurtohet në 30 Shtator 2016”
Geo-Jade është një nga kompanitë më të mëdha të pavarura të prodhimit dhe eksplorimit, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadez. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme nafte dhe gazi në mbarë botën dhe asetet e saj kryesore janë të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe Kinë. Marrëveshja gjithashtu parashikon një tarifë prej 20 Milion dollarë nëse Marrëveshja ndërpritet në rrethana të caktuara, raporton Lapsi.
Deri në fund të vitit 2014, Bankers ishte kompania më e madhe në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh. Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015 për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në fund të vitit 2015, Bankers u përfshi në një konflikt me qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi.
Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore. Në shkurt 2016, pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me Bankers Petroleum, u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011. Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.