Dëshmitari që pa avionin: Bëri 20 xhiro, po kontrollonte diçka nga ajri
Dritare.net
“Një helikopter i vogël, avion, po ne i themi katundarçe, bëri nja 20 xhiro sipër në ajër dhe se dukej se diçka po kërkonte, po ne nuk e dimë. Ai ishte pak larg nga derdhja e lumit të Ishmit, ku ne gjuajmë për peshk në bregdet”, tha një dëshmitar pa u identifikuar me emër, në një lidhje telefonike për “News 24”. Sipas tij, avioni u pikas në zonën e njohur si Gotull, një zonë moçalore.
“Zona nuk ka njerëz që kanë prona, kontakte, shtëpi aty afër, pra është zonë e lirë. Por kjo nuk është hera e parë, pasi ne kemi parë edhe raste të tjerë të helikopterëve që të vijnë”, tha ai. Ai tregon më tej se dukej se avioni po kontrollonte diçka që nga ajri, po bënte xhiro dhe zgjodhi pikërisht atë zonë për t’u ulur, zonë që nuk ka njerëz.
“Na u pa sikur po bënte xhiro, po kontrollonte diçka. U pa sikur donte të ulej fshehurazi. U duk pak i dyshimtë. Mund të ulej edhe tek fushat i kishte afër. Avioni është ulur, nuk ka rënë”, tha dëshmitari. Pyetur nëse u tentua prej dëshmitarëve që të afroheshin për ndihmë, ose për të parë, ai përgjigjet: “Që të tentosh të afrohesh është rreth 34 km nga vendi ku ishim ne. Nuk erdhi tek kodrat, tek bregu, por ishte poshtë tek kënetat”.