Dervishi: Shqipëria ka dy ministra të Brendshëm, Panaritin dhe Tahirin
Dritare.net
Lutfi Dervishi tha se këto para që vijnë nga hashashi do të shkojnë në Parlament, ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejt, por nëpërmjet kushrinjve dhe të afërmëve të deputetëve.
“Problemi është se nuk ka asnjë goditje të nivelit të lartë të trafikut, prandaj kultivimi është rritur në përmasa alarmante. Tashmë është kthyer në industri krimi. Njerëz që vijnë nga Tirana marrin plantacione me qira dhe punësojnë fshatarët e zonës. Nuk kishte tavolinë sidomos gjatë kësaj vere që të mos përmendej kanabisi. Frika më e madhe ka qenë se kjo është një lloj përgjumje si e ‘96-ës me Piramidat. Në mënyrë paradoksale Shqipëria është kthyer me dy ministra Bujqësie, me ministrin e Bujqësisë Panariti dhe ministrin Tahiri që merret me prerjen dhe asgjësimin e kanabisit”, u shpreh Dervishi.
Për analistin Mentor Kikia, problemi i kultivimit të kanabisit nuk është vetëm ligjor, por është ekonomik, shoqëror dhe politik.
“Çështjen e kultivimit të kanabisit nuk duhet ta trajtojmë si çështje bujqësore, nëse u rrit apo u ul prodhimi. Nëse u referohemi shifrave, thuhet se ka rritje. Mund të thëmi se kultivimi këtë vit mori përmasa të llahtarshme. Kjo vërtetohet mjaft thjesht: hip mbi një kodër dhe shih parcelat e kanabisit me sy.
Kultivimi i kanabisit nuk është vetëm shkelje e ligjit, por ka impakt ekonomik, social dhe politik. Prodhohet një sasi e madhe parash që po shkarkohet në tërë kapilaret e ekonomisë shqiptare. Po kriminalizon ekonominë, shoqërinë, politikën dhe drejtësinë. Korrupsioni jo më kot është në këto nivele sepse ka pasur para të madhe informale. Mbi të gjitha nuk ka fuqi punëtore për bujqësinë, pasi kanë shkuar të kultivojnë hashashin ku paguhen më shumë”, u shpreh Kikia./dritare.net