Denoncimi/ Juristi i Hipotekës së Fierit merr 300 mijë lekë për një dokument

Fiks Fare denoncoi me zë dhe figurë një nëpunës të Hipotekës së Fierit, i cili i merr ryshfet një qytetari 300 mijë lekë për t’i dhënë atë që i takon! Qytetari Ariz Çervanaku, nga zona e Frakullës në Fier, u ankua se juristi i ZVRPP Fier, Ervis Bregasi, e ka sorollatur për muaj me radhë për t’i nxjerrë certifikatat e pronësisë së tokave. Në fund, juristi i kërkoi 300 mijë lekë, ndërsa kamera e “Fiks Fare” faktoi momentin kur nëpunësi i shtetit merr edhe ryshfetin.

“Unë jam 60 vjeç dhe i jam drejtuar emisionit ‘Fiks Fare’ se kam 3 vjet që sorollatem nëpër zyrat për të aplikuar për tokat dhe s’po m’i bëjnë certifikatat. Topografi më kërkoi 300 mijë lekë. Ja dhashë dhe po më sjell vërdallë. Vete te hipoteka dhe ai juristi kërkon 300 mijë lekë. Unë kam 4 dylymë e gjysmë dhe e kam përfituar me ligjin 7501” thotë qytetari.

Më tej shton se “i dhashë lekë Bedri Trokës, 300 mijë. Bedriu është topografi i njësisë vendore Frakull e Madhe dhe po më bie vërdallë. Në Hipotekë ky juristi Ervis Bregasi më kërkon 300 mijë lekë për një parcelë”.

Qytetari shton se lekët ia kërkon për të bërë tokat me certifikatë. “E kam takuar 4-5 herë dhe më ka thënë nam 300 mijë lekë t’i bëj certifikatat. Pronat i kam në rregull, me ligjin 7501 dhe s’kam konflikte me njeri” thotë Çervanaku, ndërsa kërkon vetëm të regjistrojë pronat.

Pas denoncimit, qytetari shkon te Hipoteka e Fierit për të takuar juristin Ervis Bregasi. Pasi e pret disa orë, juristin nuk e takon dot, ndërsa i merr numrin e telefonit rojës. E telefonin dhe lënë takim te ETC-ja në Fier. Qytetari shkon te vendi dhe pasi e pret disa minuta, takohen dhe lëvizin bashkë. “Tani hua i gjeta unë ato (lekët) të shkreta, hua i gjeta ato. S’ke ça bën dhe ti, po dhe ne s’kemi ça bëjmë se unë kam 7 parcela, po nga 5, i thonë 35. Po Bedriu do. Do se s’ti bën, po s’ti bëri ai, s’ti bën dot ti dokumentet. I bën dot ti, pa prurë ai? S’i bën dot” i thotë qytetari, ndërsa ai i përgjigjet se “po mirë, ça të bëj dhe unë o Ariz”.

Më pas i thotë “i ke marrë me vete (lekët)?”. “Ja shikoje, se thua pastaj më ke dhënë 200 pastaj. Ma ka bërë njëri kështu mua. Gjashtë… Na…” i thotë, ndërsa i jep edhe 300 mijë lekë.
Më pas të dy bisedojnë edhe për parcelat e tjera, ndërsa juristi i thotë se certifikatën e kësaj parcele e ka në shtëpi ditën e hënë. Për të tjerat nuk i kërkon lekë, ndërsa e pyet sa i ka marrë edhe topografi i Njësisë Administrative Frakull. “300 i kam dhënë” i thotë qytetari.

LEXO DHE :  Bëni mirë të hiqni dorë nga këto veshje, edhe pse janë të modës!

Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish në Hipotekën e Fierit, ku kërkon juristin. Roja thotë se “shefja i ka mbyllur brenda me çelës”. Pas kësaj, qytetari telefonon juristin dhe ai i përgjigjet se “certifikatën e bëri, me postë do vijë”.

Ndërkohë, pas disa ditësh, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Hipotekën e Fierit dhe takojnë drejtorin Petrit Kanani. Pasi i bëjnë me dije përse kishin shkuar, drejtori thërret juristin nëse ka përfunduar praktikën e z.Çervanaku. “Ai ka marrë certifikatë pronësie, unë e kam mbaruar praktikën që në datë 19.03.2018. Unë si jurist e kam mbaruar” thotë Bregasi, ndërsa drejtori e pyet nëse ka marrë apo jo lekë.

“Ai mund të thojë çfarë të dojë. Arizi është i mangut nga trutë. E kam takuar poshtë, më ka thënë kshu kshu e kam hallin. I thashë Ariz do të ndihmojë. I thashë, sipas ligjit Ariz unë do të ndihmojë. I thashë do ta shikojmë me përparësi praktikën, do të të ndihmoj. E ndihmova” tha juristi, ndërsa tha se nuk ka marrë lekë. Gjithashtu, nuk pranoi të japë intervistë. Gazetarët e pyetën nëse e ka takuar këtë qytetar, dhe ai fillimisht tha se “në sportel po, edhe në telefon po, më ka kontaktuar. Më ka marrë numrin te roja”.

Ai mohoi ta ketë takuar para një biznesi, në momentin kur i ka marrë lekët. “Jo, se kam takuar” këmbënguli ai, ndërsa gazetarët i bënë me dije se gjithçka është e filmuar. “Ti mund t’i nxjerrësh pamjet filmike. E kam takuar në sportel poshtë, e kam marrë në makinë se më ka ardhur keq, nuk e di ku e ka shtëpinë, andej nga …” ishte përgjigjja tjetër e tij.

Në fund, drejtori i Hipotekës së Fierit, Petrit Kanani, tha se “volumin unë se kam firmosur se kemi pasur KLSH-në këtu, do të thotë se qytetari s’e ka marrë certifikatën akoma. Do t’i kaloj unë volumet tani, që të gjitha, e ka të mbyllur ai, e ka të mbyllur ai” përfundoi ai. /TCH

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.