Dekriminalizimi, arrihet konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës
Dritare.net
Opozita dhe mazhoranca arrijnë konsensusin për miratimin e akteve të ligjit të dekriminalizimit. Kjo u konfirmua nga deputeti socialist, Taulant Balla, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores.
Mësohet se mazhoranca ka pranuar variantin e opozitës me pyetje të hapura për formularin e vetëdeklarimit ku do të përfshihen edhe Kryeministri bashkë me ministrat që nuk janë deputetë.
Ujdia mes palëve ka mbërritur pas orësh të gjata bisedimesh, të cilat nisën rreth orës 19:30 të së mërkurës, vazhduan deri afër mesnatës dhe vijuan edhe paraditen e së enjtes.
Në këto bisedime nuk munguan përplasjet e forta maxhorancë opozitë, ku pika kryesore e ndasive ishte formulari i vetëdeklarimit për zyrtarët.
Partia Demokratike paraqiti 9 ditë më parë propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit, ndërkohë që Partia Socialiste ka bërë të njëjtën gjë të mërkurën. PS tha se ka dorëzuar propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit në mënyrë të njëanshme pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe PD më 23 shkurt.
Kjo ishte molla e sherrit mes palëve sepse opozita e kundërshtonte propozimin e socialistëve, duke deklaruar se cënon thelbin e gjithë ligjit të dekriminalizimit.
Formulari i PD-së jepte një pyetje gjithpërfshirëse ku u kërkon deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë që t’i përgjigjen pyetjes “a jeni arrestuar ndonjëherë”, ndërsa ai i socialistëve është më konkret. “A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata” pyesin socialistët.