Të gjithë mediat që e pasqyruan këtë dasëm, e përshkruan me pozitivitet këtë eveniment, ndërsa të pranishmit shfletuan disa prej revistave suedeze dhe nga vende të tjera, që përshkruanin me simpati e pozitivitet dasmën dhe çdo detaj të organizimit të saj, duke e konsideruar të denjë me ato të oganizuara vitet e fundit në pallate të mëdha monarkësh. Në diskutime të ndryshme gjatë kësaj mbrëmje, të pranishmit hodhën idenë se figura e çiftit Leka dhe Elia Zogu, mund të shërbejë si përcjellës i një imazhi pozitiv për Shqipërinë, të ndryshëm nga ai i korrupsionit, konfliktualitetit, etj. Ndërsa vetë zonja Berisha u cilësua nga pjesëmarrësit si “ambasadore” e Shqipërisë, e reklamimit të vlerave dhe bukurive të saj, e traditës, zakoneve dhe kulturës.
Ajo tha se gjithnjë ka theksuar rëndësinë e asaj që politikanë apo mbretër të promovojnë vendin e tyre në mënyrë që të krijohet një ndërgjegjësim sa më i madh për vendin. Sipas saj, është detyra e gjithësecilit që të promovojë endin tonë dhe të bëjmë ç’është e mundur për zhvillimin e tij ekonomik.Zonja Berisha, falenderoi në mënyrë të posaçme Roger Lundgren, bashkëpunëtorin e saj të ngushtë, gazetar me një ekspertizë të gjerë në evenimentet mbretërore jo vetëm në Suedi. Ndoshta në pamundësi për t’i falenderuar në Tiranë, ajo gjeti rastin që tu shprehë mirënjohje publike mediave shqiptare, stafeve të kateringut, atyre që gatuan gjellët tradicionale shqiptare, atyre që mundësuan pijet, veshjet dhe çdo gjë tjetër për këtë dasëm. Falenderim special zonja Berisha kishte edhe për partnerët dhe miqtë e saj suedezë si dhe motrat e saj, të cilët kontribuan me mundësitë e tyre në mënyrë që kjo dasëm të ishte perfekte deri në detaje.
Zonja Berisha zbuloi gjatë mbrëmjes një “peng” që e kishte munduar prej kohësh. Ditën kur ishte martuar Leka Zogu i Parë, ajo vetë ishte fëmijë dhe nuk kishte mundur që të merrte pjesë në dasmën e tij, sikurse e gjithë familja e saj. Atë ditë ajo kishte veshur një fustan të bardhë dhe kërcente në shtëpinë e saj. Sot pas disa dekadash ajo bëhet protagoniste në dasmën e djalit të Leka Zogut të Parë dhe përmbush kështu një ’padrejtësi’që koha kishte bërë ndaj saj.
Pyetja retorike që zonja Berisha shtroi ishte “A ishte gati Shqipëria për një martesë mbretërore?!” Përgjigja është Jo, por askush nuk mund të priste për një kohë tjetër. Ndërsa për zonjën Berisha, projekti tjetër mesa duket sapo është ngjizur, por ajo preferon që ta mbajë sekret deri në momentin e zyrtarizimit./dritare.net